Fatmir Grejqevci: Një vit pa nipin tonë të dashur, ushtarin e lirisë, poetin dhe arsimdashësin, Naim Ymeri!

Kush do ta besonte, pak më parë se një vit, se derisa po pinim kafe në Grykën e Krojmirit me Naimin, Nehatin, Vehapin dhe prindin tim, pas pak kohe do ta merrnim lajmin e kobshëm se kishte pushuar së rrahuri zemra e tij, e cila as që donte t’ia dinte për sëmundjen e rëndë e të pashërueshme!
Mahnitesha me të se si as që donte t’ia dinte për sëmundjen, por vazhdonte të tymoste, ndërkohë që, me lëvizje interesante të gishtërinjve, mbushte letrën e bardhë e të hollë me duhan, duke i dhënë formën e cigares dhe, duke buzëqeshur shend e verë, shtonte:
“He, a po ua kujton dajën Tafë!? Duhani nuk shijohet po nuk e bëre cigaren me duart tua, po nuk ia ndjeve aromën edhe para se ta ndezësh. Ka një marifet edhe duhani…” – shtonte mandej dhe e hapte muhabetin.
Teksa shihja shpërfilljen që ia bënte sëmundjes dërrmuese, konstatoja se ky ishte edhe një nga tiparet e tij më thelbësore.
Naimi nuk i merrte aapak ne konsiderate edhe rreziqet e shumta. Ai nuk donte t’a dinte për to kur mblidhte ndihma anekënd komunës së Lipjanit gjatë luftës çlirimtare, për t’i nisur mandej drejt Drenicës e prej andej drejt zonave të tjera. I shpërfillte edhe kur, bashkë me vëllezërit Refikun, Ragipin, Nehatin e Vehapin, shtëpinë e tij në fshatin Gllogoc e kishte shndërruar në vatër ku gjenin strehim ilegal shumë luftëtarë të UÇK-së. Naimi i shpërfillte rreziqet edhe kur, nga furnizues i UÇK-së, kishte ngjeshur armët për të marrë pjesë në frontet e luftës, ku jeta dhe vdekja qëndronin pranë njëra-tjetrës.
Injorimi i rrezikut e karakterizoi edhe gjatë ditëve të para të lirisë, kur ishte në krye të njësitit që po depërtonte brenda qytetit të Ferizajt, ku forcat serbe kishin sjellë vdekjen gjithandej, ditë e natë.
Por, a u bë i tillë Naimi vetëm gjatë viteve të luftës, apo edhe më herët?
Dhe, posa njeriu fillon të mendojë për të kaluarën e tij, e kupton se shpërfilljen e rrezikut ai e kishte nisur shumë më herët. Ishte rritur në një ambient të tillë. Ishte vëllai i tij, Refiku, ai që kishte rrezikuar mirëqenien e familjes dhe kishte përfunduar në burg si i burgosur politik.
Po, nëse shkojmë edhe më tutje, kuptojmë se edhe gjyshi i tij nga nëna, Rifat Rexhe Ribari, kishte shpërfillur rrezikun. Duke u munduar t’i gjente shkaqet e vrasjes dhe masakrimit barbar që po u bëhej barinjve, burrave dhe vajzave në kompleksin e Blinajës, ai ishte ballafaquar me një grup partizanësh, të cilët e vranë. Me shumë gjasë, për të parandaluar identifikimin e vendndodhjes së tyre ilegale. Por tashmë lajmi kishte marrë dhenë dhe vëllai i tij, Salih Rexhe Ribari, me bashkëluftëtarë të sprovuar të NDSH-së, kishte arritur ta lokalizonte vendndodhjen e tyre.
I frymëzuar nga historia qëndrestare, e rrëfyer me dhimbje e krenari nga nëna e tij, Latifja, Naimi, bashkë me vëllezërit e tij liridashës, u rrit me bindjen se asgjë nuk ka më shumë rëndësi sesa mirëqenia e kombit dhe e atdheut.
Për idetë e tij liridashëse ai ishte shquar qysh gjatë shkollës dhe studimeve. Ishte angazhuar në organizimin e grevave në fund të viteve ’80, për të vazhduar më pas me themelimin e UNIKOMB-it në komunën e Lipjanit. Krahas kësaj, dëshira e flaktë për t’i arsimuar të rinjtë në frymën liridashëse bëri që ai të jepte mësim nëpër pikat mësimore në fshatrat e rrethit të Lipjanit gjatë viteve ’90.
Pas çlirimit të vendit, ai vazhdoi tutje që me ashtu si gjatë luftës edhe tani në liri, t’i përkushtohet me tërë qenien e tij dhënien e maksimumit në trashëgimtaren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Trupat Mbrojtëse të Kosovës – për të vazhduar më pas në Forcën e Sigurisë së Kosovës, deri në frymën e fundit.
Krahas kësaj, ai gjente kohë edhe për poezinë. Në të, njeriu gjen të gërshetuar gjuhën e Agollit dhe të Migjenit: të parin, kur me gjuhë popullore dhe metafora kritikonte fenomenet e dukuritë negative; të dytin, kur me frymë migjeniane protestonte dhe shfaqte shpirtin e tij kryengritës.
Dhe, teksa njeriu kujton shpirtin e tij luftarak e kryengritës, sheh familjarët e tij me kokën ulur, të pushtuar nga një dhimbje e madhe e e papërshkrueshme për mungesën e tij fizike gjatë 365 ditëve me radhë. Mbase, nganjëherë dhimbja është aq e madhe dhe aq pushtuese, sa nuk i lë vend as ndjenjës tjetër – krenarisë.
E sot, krahas arsyeve për të ndjerë dhimbje, familjarët e Naimit – gruaja që i qëndroi gjithmonë pranë, djali, vajzat, vëllezërit dhe bashkëluftëtarët – kishin arsye edhe të ndiheshin krenarë. Ndoshta kjo ndjenjë nuk shfaqej, sepse as Naimi, ndonëse tërë jetën e kaloi në shërbim të kombit e të atdheut, asnjëherë nuk u mburr e nuk u krekos. Ai vazhdoi me përkushtim të ishte ushtar i kombit dhe i atdheut deri në frymën e fundit, pa pritur e pa marrë asgjë prej tij.
Nip i dashur përjetësisht mirënjohës që na dhe kaq shumë arsye për t’u ndjerë krenarë me ty!
Përherë në zemrat dhe mendjet tona. LAVDI

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: NË MBËSHTETJE TË SHKRIMIT TË GENTA KALOÇIT

Në portalin “ZGJOHU SHQIPËTAR”, më datën 30 qershor 2026 Hamendësimet e pushtetit dhe kërkesat e …