Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Rashit Qalaj, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e zvarrit me qëllim formimin e institucioneve të reja, duke e cilësuar këtë si një veprim në dëm të qytetarëve dhe funksionimit demokratik të shtetit. Qalaj i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, si partia me më së shumti ulëse në Kuvend, që të ndërmarrë sa më shpejt hapat për konstituimin e institucioneve. Sipas tij, mungesa e një Kuvendi funksional i pamundëson opozitës mbikëqyrjen e Qeverisë dhe krijon hapësirë për vendimmarrje pa kontroll parlamentar. Ai pretendoi se kjo situatë po shfrytëzohet për menaxhim të buxhetit të shtetit me qëllime elektorale, duke paralajmëruar se vendimet e marra pa mbikëqyrje parlamentare mund të kontestohen edhe në aspektin ligjor. Qalaj përsëriti se PDK-ja nuk do të hyjë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se partia e tij synon të mbetet në opozitë. Ai shtoi se është i papranueshëm një skenar ku tri postet kryesore të shtetit kontrollohen nga i njëjti subjekt politik, ndërsa presidenti, sipas tij, duhet të zgjidhet përmes një marrëveshjeje të gjerë politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
