Presidenti i Institutit të Shkencave Politike në Varna të Bullgarisë, Dimitar Keranov, ka vlerësuar se stabiliteti i Kosovës është një element kyç për sigurinë e Ballkanit, duke bërë thirrje për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Bullgarisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Në një analizë të publikuar, Keranov thekson se marrëdhëniet mes Sofjes, Tiranës dhe Prishtinës nuk janë të ngarkuara me mosmarrëveshje historike apo territoriale, gjë që, sipas tij, krijon një bazë të fortë për thellimin e bashkëpunimit rajonal. Ai rikujtoi se Bullgaria ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në mars të vitit 2008 dhe se ka mbështetur vazhdimisht pjesëmarrjen e saj në nismat rajonale dhe ndërkombëtare. Sipas Keranovit, një Kosovë stabile dhe demokratike përbën një komponent të rëndësishëm të arkitekturës së sigurisë në Ballkan. Duke folur për integrimin evropian, ai tha se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova ka nevojë për një mbështetje më të fuqishme institucionale për avancimin e aplikimit të saj për anëtarësim. Keranov theksoi se Bullgaria duhet të vazhdojë ta mbështesë perspektivën evropiane të Kosovës jo vetëm përmes deklaratave politike, por edhe me angazhim konkret në proceset institucionale, duke e cilësuar këtë si një investim për stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të rajonit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
