Themeluesi i Këshillit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiq, ka deklaruar se marrëdhëniet ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Milan Radojçiqit, i akuzuar për sulmin në Banjskë dhe raste të tjera, janë të ndërlikuara dhe të tensionuara. Në një intervistë, Janjiq tha se Radojçiq nuk është vetëm një figurë me të kaluar kriminale, por një person me ndikim të madh në veriun e Kosovës, madje, sipas tij, më të fuqishëm në atë zonë sesa vetë Vuçiqi. Ai kujtoi përplasjet që kishte pasur me Radojçiqin lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe mbështeti kritikat e mëhershme të Rada Trajkoviqit, duke e cilësuar Radojçiqin si një njeri me aftësi të mëdha për organizim dhe zbatim. Janjiq vlerësoi se Radojçiq ka krijuar një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, përfshirë edhe kontakte ndërkombëtare, çka e bën të vështirë kontrollimin e tij. Sipas tij, kjo është arsyeja pse Vuçiq dhe qarqe të tjera në Beograd mund të kenë frikë nga veprimet e mundshme të Radojçiqit. Ai shtoi se sulmi në Banjskë nuk mund të ketë ndodhur pa planifikim paraprak dhe pa dijeninë e Beogradit, duke sugjeruar se rasti mund të jetë monitoruar edhe nga faktorë ndërkombëtarë. Sipas Janjiqit, një nga shqetësimet kryesore të presidentit serb është mundësia që Radojçiq, nëse përballet me drejtësinë, të dëshmojë kundër tij dhe të zbulojë detaje për ngjarjet që lidhen me Banjskën.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
