Veterani i UÇK-së, Zijadin Hoxha, ka hedhur poshtë pretendimet e arkivistit të luftës, Esat Shala, se ai ka qenë dëshmitar i Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë dhe se ka falsifikuar historinë. Hoxha sqaroi se ai ka dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes në rastin e Pjetër Shalës, duke theksuar se pretendimet e bëra ndaj tij janë të pavërteta. “Në bazë të deklaratës së Esatit, i bie që kam qenë dëshmitar i katërshes së madhe, gjë që nuk është e vërtetë. Unë kam qenë dëshmitar i mbrojtjes për Pjetër Shalën”, deklaroi Hoxha. Ai tha se nuk e ka takuar asnjëherë Pjetër Shalën, por se disponon incizime të realizuara në Kukës gjatë luftës, përfshirë pamje nga varrimi i pesë dëshmorëve të Operacionit “Shigjeta”, të cilat i kishte publikuar me emrin e tij që në vitin 2010. Sipas Hoxhës, këto materiale filmike janë shqyrtuar edhe nga Gjykata Speciale, e cila fillimisht e kishte marrë në pyetje si të dyshuar dhe më pas si dëshmitar. Ai shtoi se në vitin 2019 ishte intervistuar nga EULEX-i në kuadër të hetimeve. Hoxha theksoi se qëllimi i dëshmisë së tij ishte të dëshmonte se në incizimet e realizuara në Kukës nuk figuron Pjetër Shala, duke kundërshtuar kështu pretendimet që lidhen me akuzat ndaj tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
