Milaim Sylejmani: Propagandat politike përballë gjeopolitikës së ujit: Çfarë zbulon kërcënimi i Vuqiqit për Ibrin dhe Ujmanin?

Kërcënimi i fundit i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç- ish Ministër i Millosheviqit për devijimin e rrjedhës së lumit Ibër në mënyrë që të mos mbushet liqeni i Ujmanit dhe uji të zhvendoset në brendësi të Serbisë, nuk është thjesht një deklaratë agresive politike. Ai është një demonstrim i hapur kërcënues i të drejtave të burimeve të ujit, të rregulluar me konventa ndërkomnëtare, dhe me rrezikun real të konflikteve të ardhshme për këto burimet .
Por në këtë kërcënim, ka diqka shumë të rëndësishme që nxjerrë në dritë shpifjet e ziera ndër vite, mbas nga qendra të njejta me akter të ndryshëm!
Për vite me radhë, opinioni publik në Kosovë, dhe në mbarë hapësirat shqiptare, eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, është kontaminuar me një narrativë të fuqishme propagandistike, se Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kishin arritur një marrëveshje sekrete për “ndarjen e Kosovës” përgjatë lumit Ibër. Ku i gjithë veriu do t’i bashkohej Serbisë. Sot, kërcënimi i Vuçiçit për ta devijuar rrjedhën e lumit Ibrin para se ai të hyjë në Kosovë e rrëzon përfundimisht këtë mit. Po të kishte marrëveshje për marrjen e të gjithë veriut dhe vetë liqenit të Ujmanit, Serbia nuk do të kishte asnjë arsye logjike apo strategjike të planifikonte investime apo ndërhyrje drastike për ndryshimin e rrjedhës së lumit jashtë kufijve të Kosovës. Kjo deklaratë shërben si demantimi më i mirë i asaj propagande politike që u përdor me ngulm për konsum të brendshëm elektoral.
Përtej përplasjeve politike të ditës, ideja e ndryshimit të rrjedhës së një lumi ndërkombëtar bie ndesh me çdo normë të së drejtës ndërkombëtare. Lumenjtë ndërkufitarë mbrohen nga konventat ndërkombëtare , të cilat ndalojnë rreptësisht shtetet e rrjedhës së sipërme që të përdorin ujin si armë ose të dëmtojnë me dashje furnizimin e shteteve të rrjedhës së poshtme.
Këtu duhet përmendur edhe investimet strategjike ndërkombëtare. Ndërtimi sistemit/Digës të Ujmanit është financuar me kredi e donacione të mëdha nga Banka Botërore, me qëllim të garantimit të ujit të pijshëm dhe energjisë për qytetarët e Kosovës. Çdo ndërhyrje apo bllokim i këtij asset-i infrastrukturor nga ana e Serbisë përbën jo vetëm një shkelje flagrante të sovranitetit të Kosovës, por edhe një sfidë të hapur ndaj investimeve direkte të institucioneve më të mëdha financiare ndërkombëtare.
Për më tepër, ka një ironi të thellë historike në zonat ku pretendon të ndërhyjë Beogradi. Territoret në brendësi të Serbisë jugore, nga ku buron apo kalon Ibri përpara se të hyjë në Kosovë (përfshirë Rajonin e Sanxhakut, deri te “Molla e Kuqe” ), janë zona me trashëgimi të pamohueshme autoktone shqiptare, të spastruara dhe të tjetërsuara përmes proceseve historike ekspansioniste. Pra ktheje kah duash, Ibri tokën tonë do ta lagë, e të cilën kurrë nuk e harrojmë, dhe çdo herë ambicie mbarë shqiptare mbetet!
Në nivel global, ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se luftërat e shekullit XXI nuk do të zhvillohen më vetëm për naftë apo kufij territorialë, por për burime kritike jetësore si uji i pijshëm dhe energjia hidroelektrike. Ujmani dhe lumi Ibër janë mushkëria e vetme ujore dhe energjetike për Kosovën, pa to, vendi përballet me paralizë ekonomike dhe krizë humanitare. Kërcënimi i Beogradit dëshmon se lufta për ujin nuk është më një skenar i largët i së ardhmes, por një realitet gjeopolitik që po troket në portat e Ballkanit. Kosova duhet ta trajtojë këtë çështje me seriozitetin më të lartë shtetëror, duke mbrojtur pasurinë e saj ujore si në teren, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Milaim Sylejmani
Ish-Shef i Operativës së Brig 173 të UÇK-së

Kontrolloni gjithashtu

Zahrie Podrimçaku-Subashi: Unë sot nuk festoj, por protestoj për shkeljet e të drejtave të mia

Zahrie Podrimqaku-Subashi: Letër e hapur drejtuar shtetit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Të nderuar përfaqësues të shtetit shqiptar, Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, …