Fatmir Graiqevci

Fatmir Grejqevci: Nga „Vëllezërit Karamazov“ te Durkheimi dhe thirrjet për pushkatimin e Ramush Haradinajt (!)

Dukuritë negative që po vazhdojnë të lëshojnë rrënjë, papengueshëm, në shoqërinë tonë, nuk kanë se si të mos na rikthejnë në kujtesë romane që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë botërore e që kanë trajtuar dukuri të tilla, me pasoja të thella, të gjata e të mëdha.

Thirrja e djeshme për pushkatimin (!) e komandantit emblematik të UÇK-së, Ramush Haradinajt, nuk ka se si të mos na sjellë në kujtesë një nga kryeveprat e letërsisë botërore, Vëllezërit Karamazov, botuar fillimisht në vazhdime gjatë viteve 1879–1880, të njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë botërore, Fjodor Dostojevskit (1821–1881).

Në qendër të këtij romani është vrasja e babait, Fjodor Pavlloviç Karamazov!

Shkrimtari Fjodor Dostojevski nuk mjaftohet vetëm me pyetjen: Kush e kreu vrasjen? Ai bën edhe një hap më tutje, duke nxitur lexuesin të reflektojë nëse duhet fajësuar vetëm dora që e kreu këtë krim apo edhe faktorët e tjerë që çuan në kryerjen e tij.

Dhe është pikërisht kjo pyetje që ia shton vlerën e jashtëzakonshme këtij romani dhe që e nxit lexuesin të reflektojë se, në krimet makabre, përgjegjësia nuk lidhet vetëm me personin që e kryen aktin, por edhe me rrethanat, ndikimet dhe klimën morale e shoqërore që mund ta kenë ndikuar ose ushqyer atë.

Dhe kur kujton këto, nuk ka se si të mos na vijë në mendje pyetja: A duhet të mjaftohemi vetëm me përballje me drejtësinë të këtij thirrësi për pushkatimin e komandantit emblematik të UÇK-së, Ramush Haradinajt, apo duhet të kërkohet përgjegjësi edhe për ata që, për vite me radhë, kanë krijuar një klimë të tillë politike, ku oponenti politik perceptohet si plaçkitës, kriminel e shkatërrues i atdheut?

Të mos harrojmë se, për vite me radhë, militantë partiakë janë ushqyer me propagandën se Kosova është plaçkitur e rrënuar dhe se Ramush Haradinaj është mik i kriminelit Radojçiq.

Dhe kur njeriu i beson një propagande të tillë djallëzore, mohuese të shtetit dhe njollosëse ndaj drejtuesve të UÇK-së, të cilët jo rrallë janë quajtur kriminelë, vrasës, profiterë të luftës e superkriminelë, atëherë mund ta konsiderojë edhe kërkesën për vrasjen e tyre si një akt patriotik, sepse, në mendjen e tij, eliminimi i tyre do ta shpëtonte atdheun nga shkatërrimi.

Dhe këtu shtrohet pyetja tjetër:

Cila qasje është më efikase: kërkimi i llogarisë vetëm nga individi që kërkon të pushkatohet çlirimtari, apo kërkimi i llogarisë edhe nga të tjerët që kanë krijuar këtë klimë urrejtëse ndaj drejtuesve të UÇK-së?

A mund ta ndalim të keqen duke u marrë vetëm me individin naiv që bën kërkesa morbide, apo edhe me ata që kanë kontribuar në krijimin e një klime të tillë?

Është interesante se nga Dostojevski te Durkheimi nuk kalon as një brez. Vëllezërit Karamazov botohet në vazhdime gjatë viteve 1879–1880, ndërsa vetëm rreth pesëmbëdhjetë vjet më vonë, më 1895, Durkheimi boton Rregullat e metodës sociologjike. Letërsia dhe sociologjia, secila në mënyrën e vet, vazhdojnë të na drejtojnë te një pyetje e ngjashme: a duhet ta shohim krimin vetëm si akt të individit, apo duhet të shohim edhe rrethanat dhe shoqërinë që e rrethojnë atë?

Dhe derisa njeriu reflekton për pyetje të tilla, nuk ka se si të mos i vijë në mendje edhe Émile Durkheimi (1858–1917), një nga themeluesit e sociologjisë moderne, dhe mendimi i tij mbi krimin.

Duke shkruar për këtë dukuri tejet negative e të dëmshme për shoqërinë, në veprën e tij Rregullat e metodës sociologjike (1895), Durkheimi, ndër të tjera, trajton marrëdhënien midis krimit dhe reagimit të shoqërisë ndaj tij.

Në këtë kontekst, ai shprehet se një veprim nuk konsiderohet kriminal thjesht për shkak të natyrës së tij, por edhe për shkak të reagimit që shoqëria ushtron ndaj tij.

E në shoqërinë tonë, etiketimet ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si profiterë lufte, shkatërrues, plaçkitës e shkatërrues të atdheut, kriminelë, vrasës e super kriminelë, jo vetëm që nuk janë dënuar, por janë shpërblyer në vazhdimësi, në forma e mënyra të ndryshme, duke iu dhënë mundësi të vendosen edhe në majat e pushtetit – në fronin ku nuk guxon as të mendojë të niset dora e drejtësisë për të kërkuar llogari!!!

Ndoshta pikërisht këtu qëndron mësimi që mund të nxjerrim si nga Dostojevski, ashtu edhe nga Durkheimi: e keqja nuk fillon gjithmonë në çastin kur ngrihet dora për ta kryer krimin. Ndonjëherë ajo fillon shumë më herët – kur fjala e urrejtjes përsëritet aq gjatë, saqë e bën urrejtjen normale, ndërsa dhunën të duket si një zgjidhje e mundshme.

Prandaj, nëse duam ta ndalim të keqen, nuk mjafton të dënojmë vetëm dorën që kërkon të godasë. Duhet të pyesim edhe se kush e ushqeu mendjen që e ngriti atë dorë.

Kontrolloni gjithashtu

Ramiz Tafilaj: Veriu i Kosovës është pjesë integrale e Republikës se Kosovës

Ramiz Tafilaj: Kur Kosova përçahet, Serbia ëndërron rikthimin e së kaluarës

Historia nuk përsëritet rastësisht. Ajo përsëritet kur harrohen mësimet e saj. Sot, ndërsa Kosova vazhdon …