Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ekzistenca e Listës Serbe është e lidhur drejtpërdrejt, sipas tij, me praninë dhe përfaqësimin e serbëve në Kosovë. Gjatë një vizite në Kurshumli, Vuçiq ka deklaruar: “Atë ditë që nuk do të jetë Lista Serbe, nuk do të ketë as serbë në Kosovë”. Deklarata e tij ka ngritur pikëpyetje, veçanërisht për mënyrën se si Beogradi i sheh serbët që nuk e mbështesin Listën Serbe apo që kanë qëndrime të ndryshme politike. Vuçiq ka sqaruar se me termin “Lista Serbe” nuk i referohet vetëm subjektit politik, por një force që, sipas tij, përfaqëson Beogradin, Serbinë dhe popullin serb në Kosovë. “Rashiqi dhe ndihmësit e tij do të mbeten. Kur them Lista Serbe, nuk kam parasysh Listën Serbe, por dikë që përfaqëson Beogradin dhe Serbinë, ndër të tjera, dhe popullin serb në tërësi në Kosovë”, është shprehur ai. Kjo deklaratë mund të interpretohet si lidhje e përfaqësimit politik të komunitetit serb në Kosovë me një subjekt të vetëm politik, duke lënë në plan të dytë serbët që nuk e mbështesin Listën Serbe. Ndërkohë, Vuçiq ka folur edhe për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ai ka bërë të ditur se do t’i dërgojë një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, lidhur me këtë çështje.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
