BDI: VLEN mban përgjegjësi për partnerët qeverisës që glorifikojnë Mlladiqin

Bashkimi Demokratik për Integrim ka kritikuar ashpër partnerin shqiptar në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, VLEN-in, pas reagimeve dhe veprimeve të një partie serbe pjesë e koalicionit qeverisës, që sipas BDI-së kanë glorifikuar figurën e ish-komandantit serb Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. BDI ka argumentuar se VLEN nuk mund të distancohet nga përgjegjësia politike vetëm përmes reagimeve publike, pasi është pjesë e drejtpërdrejtë e koalicionit qeverisës dhe, sipas saj, mban përgjegjësi për partnerët me të cilët bashkëqeveris. “VLEN-i nuk është spektator. VLEN-i është në Qeveri dhe është bashkëpërgjegjës për partnerët që i mban në pushtet dhe për gjithçka që toleron për hir të karrigeve”, thuhet në reagimin e BDI-së. BDI ka veçuar ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, dhe partinë e tij serbe si pjesë të partneritetit qeverisës, duke pretenduar se qëndrimet ndaj Mlladiqit dhe gjenocidit në Srebrenicë nuk përbëjnë një rast të izoluar, por janë pjesë e një qasjeje të përsëritur politike. Në reagimin e saj, BDI ka rikujtuar se Ratko Mlladiq është dënuar nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë për përgjegjësinë e tij në krime të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë. Sipas BDI-së, reagimet e vonuara ose formale të VLEN-it nuk janë të mjaftueshme për t’u distancuar nga qëndrimet e partnerëve të saj qeverisës. Partia e Ali Ahmetit e akuzon VLEN-in se, për shkak të interesave të pushtetit, ka zgjedhur të tolerojë qëndrime të tilla brenda koalicionit. BDI ka kërkuar që VLEN të marrë përgjegjësi politike për qëndrimet e partnerëve të tij në qeverisje, duke e cilësuar tolerimin e glorifikimit të kriminelëve të luftës si një çështje që tejkalon një incident të izoluar dhe që, sipas saj, lidhet drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionon koalicioni qeverisës.

Kontrolloni gjithashtu

Vlora Çitaku: Më 12 shtator në Prishtinë për të mbrojtur të ardhmen e Kosovës

Deklarata e deputetes së PDK-së, Vlora Çitaku, e zhvesh procesin gjyqësor në Hagë nga çdo …