UBT diplomon gjeneratën e 23-të, Hajrizi: Dija është pasuria që askush nuk mund t’ua marrë

Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT) ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në historinë e tij akademike, duke organizuar ceremoninë solemne të gradimit të gjeneratës së 23-të të studentëve, në një vit jubilar kur institucioni shënon 25-vjetorin e themelimit. Në ceremoninë ku morën pjesë të diplomuarit, familjarët e tyre, profesorët, përfaqësues të komunitetit akademik dhe partnerë të UBT-së, u vlerësua rrugëtimi i studentëve dhe kontributi i familjeve në përfundimin e studimeve.

Ceremonia nisi me intonimin e himnit kombëtar, himnit shtetëror dhe himnit të studentit, ndërsa në fjalën e tij rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, u tha të diplomuarve se diploma përfaqëson shumë më tepër sesa përfundimin formal të një programi studimi. Ai theksoi se pas çdo diplome qëndrojnë vite pune, sakrifice, sfida, projekte, provime dhe përvoja që kanë ndërtuar jo vetëm profesionistët e rinj, por edhe mënyrën e tyre të të menduarit.

Sipas Hajrizit, pasuria më e rëndësishme që studentët marrin me vete nga universiteti është dija, e cila mbetet një vlerë personale që nuk mund t’u merret. Ai i inkurajoi të diplomuarit që këtë njohuri ta shndërrojnë në përgjegjësi profesionale dhe në vlerë për shoqërinë, duke e parë diplomimin jo si pikën e fundit të rrugëtimit akademik, por si fillimin e një etape të re në jetën e tyre.

Një pjesë e veçantë e fjalës së rektorit iu kushtua familjeve të studentëve, të cilat, sipas tij, kanë qenë pjesë e pandashme e suksesit të tyre. Hajrizi vlerësoi mbështetjen, sakrificat dhe besimin e prindërve dhe familjarëve, duke theksuar se kur një familje ia beson një universiteti edukimin e fëmijës së saj, ajo i beson institucionit edhe një pjesë të së ardhmes së tij. Për këtë arsye, ai i konsideroi edhe familjarët bashkëpjesëmarrës në suksesin e të diplomuarve.

Ceremonia e këtij viti kishte një domethënie të veçantë edhe për vetë UBT-në, pasi institucioni po shënon 25 vjet nga themelimi. Hajrizi kujtoi fillimet e universitetit, kur në ceremoninë e parë të diplomimit ishin vetëm 26 studentë, ndërsa sot institucioni ka mijëra studentë dhe një staf të zgjeruar. Ai e cilësoi këtë zhvillim si rezultat të një rritjeje të vazhdueshme dhe të një vizioni të ndërtuar mbi arsimin bashkëkohor, shkencën, inovacionin dhe lidhjen me zhvillimet ndërkombëtare.

Në këtë çerek shekulli, UBT është zhvilluar nga një ide fillestare për krijimin e një institucioni modern të arsimit të lartë në një komunitet akademik me mijëra studentë dhe të diplomuar. Për gjeneratën e 23-të, ceremonia e gradimit shënon përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm akademik dhe hyrjen në tregun e punës e në jetën profesionale, ndërsa për UBT-në përfaqëson një tjetër dëshmi të rrugëtimit 25-vjeçar të institucionit.

Kontrolloni gjithashtu

Protestë në Bonn kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Të premten pritet të mbahet një protestë në qytetin gjerman të Bonnit, në shenjë kundërshtimi …