Përparimin Krasniqin e kisha taku në Bajram Curr dhe kohë pas kohe kisha udhëtu me të për Kosovë. Kësaj here ai kishte nejt ma gjatë në Bajram Curr se po priste do armë që vinin prej Amerikës
Kishim bisedu gjatë për gjithçka. Ishte brumosë mirë me atë që ia kishte mësu e shpjegu Heroi i Kosovës, Adriani, vëlla e shok i një qëllimi. Më tregonte për Kodrën e Vranocit, për vendet kah do të kalonte kur t’i çonte ato armë, çka do të bante e qysh do të luftonte me to
E shihshe në sy që nuk ishte tu folë veç me fjalë. Ai e kishte nda mendjen dhe pikërisht më 10.09.1998 ishim përgatitë bashkë me shokët e idealit që duhej gjallë a vdekë me ju dalë shokëve në ndihmë
Unë pikërisht në këtë ditë kisha një takim shumë të rëndësishëm me eprorë nga Shqipëria dhe Kosova. Po planifikonim me futë një togë prej 20 ushtarësh mrena kufinit në pjesën e Kosovës
Takimi kishte për qëllim koordinimin e veprimeve të togut, ndarjen e detyrave, përbërjen e njësive, llojin e armatimit, komunikimin dhe ndërlidhjen, sigurinë, lëvizjet dhe furnizimin si dhe planin rezervë
Por fatkeqësisht plani ynë mbeti pa u realizu. Nga eprorët u informova se Dukagjini ishte në prag të rënies. Pavarësisht insistimit tim plani dështoi dhe me urgjencë u kthyem në shtabin e Bajram Currit për t’i ndalë ushtarët që ishin nisë për Kosovë për t’u dalë në ndihmë shokëve në Dukagjin
Edhe këtu dështova sepse ata kishin shku shumë larg dhe radiolidhjet që kishim nuk mundeshin me u lidhë me ta për me u tregu se plani duhej me ndryshu pasi Dukagjini pothuajse kishte ra dhe mundësia për t’u lidhë me pjesën tjetër të ushtarëve ishte pothuajse e pamundun
E mora Ramushin në telefon dhe e pyeta
Ku jeni
M’u përgjigj shkurt
Aty ku duhet me qenë
Biseda ishte e shkurtë po e qartë, kemi nevojë për armatim dhe ushtarë. Ne veçse e kishim të planifikuar që mrena tri ditësh me nisë një grup të mirëarmatosun me ushtarët ma të zotë për t’u dalë në ndihmë luftëtarëve të Dukagjinit
Përparim Krasniqi Shabani, Xhevdet Duka, Florim Krasniqi Fuli, Rasim Mazrrekaj, Haxhi Krasniqi, Ilir Shoshi dhe Bislim Isufaj veçse ishin nisë për Kosovë nga drejtimi i Zogajve të Tropojës drejt Dukagjinit
Isha shumë i brengosun për situatën që kishte rrjedhë brenda disa orësh dhe nuk arrita të lidhesha me njësitin që ishte nisë në rrugë derisa u kthye Besnik Krasniqi i cili i kishte përcjellë deri te Mahalla e Epërme në Zogaj të Tropojës dhe me informoj p`r rrjedhen e situate`s.
Atë natë për fatin tem kisha fjetë në dhomën e Pritjesë. Ishte diku rreth orës katër të mëngjesit kur ra telefoni. E hapa me frikë sepse në ato kohë telefoni nuk bjen haber të mirë.
Alo jam Fuli
Po Fuli
Përparimi ka vdekë, jemi në Spitalin e Bajram Currit
Mbeta i shtangum
S’thashë asnjë fjalë, as sot nuk e di qysh e mbylla telefonin pa thanë asnjë fjalë. U çova dhe shkova te dhoma e xhaxhit Besnik
Xhaxhë s’di a jam në andërr a në zhgjandërr po kështu po duket se ka ndodhë
Shkuem në spital, ehh atë pamje more Zot nuk e harroj kurrë sa të jem gjallë
Përparimi i shtrimë në atë krevat në atë dhomë të spitalit, zemra m’u ça në dysh
E përqafova Fulin, as ai as unë nuk mujshim me u përmbajtë
Në atë orë e mora në telefon Ilir Krasniqin djalin e axhës së Përparimit dhe vëllain e Adrian Krasniqit. Ishte një moment shumë i vështirë për mua ndër ma të vështirët që kam pasë me jet` me ia kumtu lajmin e kobsh`m.
Për disa minuta nuk tha asnjë fjalë
E luta me e marrë në telefon Lecin Florim Krasniqin i cili ishte në Amerikë. Por ai nuk e pat forcën me ia dhanë lajmin e hidhur
Kështu që u detyrova prap unë me e marrë në telefon Florin dhe me i tregu për rastin
Dhe në atë moment pasuan disa sekonda heshtjeje që m’u dukën të gjata sa një jetë
E sot mbas 28 vjetësh kur e kujtoj Përparimin më dalin para syve buzëqeshja e tij shakatë këshillat bisedat udhëtimet, më kujtohet ai djalë i ri që mezi priste me u kthy në Kosovë, mezi priste me i marrë armët, mezi priste me dalë në luftë. Ai u nis me gëzim për me luftu për Kosovën por nuk pati fat me e pa Kosoven t` lir`, ndoshta vdekja padrejt`sisht e mori shumë herët
Përparim shoku jem, 28 vjet kalun po ti për mue je qysh ishe atëherë i ri i qeshun plot jetë plot fjalë e plot shpresë, sot kur flasim për ata që ranë për Kosovën unë nuk po flas për një emën në një pllakë por flas për shokun tem për njeriun që e kam taku me të cilin kam udhëtu kam qeshë e kam bisedu prandaj dhimbja asht ndryshe, koha i merr vitet po nuk i merr shokët prej zemrës
Përparim, sot veç një fjalë mundem me ta thanë
Më ka marrë malli për Ty Heroi jem
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
