BE kërkon respektimin e aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore dhe vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pak ditë para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në Hagë. Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Brukseli kanë theksuar se BE-ja e mbështet Dhomën e Specializuar si institucion gjyqësor të pavarur, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, ndërsa kanë rikujtuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk e përmbyll procesin, pasi si mbrojtja, ashtu edhe Prokuroria mund të ushtrojnë ankesë. Sipas BE-së, puna e Dhomave të Specializuara është e rëndësishme për llogaridhënien dhe për njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. Deklarata e Brukselit vjen në ditën kur në Prishtinë zhvillohet marshi paqësor në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së, me pjesëmarrje të qytetarëve nga mbarë Kosova, të cilët kërkojnë drejtësi për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin. Procesi në Hagë prej fillimit është shoqëruar me kritika të forta në Kosovë, ku Gjykata Speciale është akuzuar për njëanshmëri. Katër ish-krerët përballen me një aktakuzë prej dhjetë pikash, gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte, ndërsa Prokuroria ka kërkuar dënime të gjata me burgim. Dhomat e Specializuara u krijuan në vitin 2015, pas ndryshimeve kushtetuese dhe presionit të fuqishëm ndërkombëtar, ndërsa procedurat u zhvendosën në Hagë. Në atë kohë, zyrtarë të lartë amerikanë kishin bërë të qartë se Kosova duhej ta krijonte vetë këtë mekanizëm të drejtësisë, në të kundërtën komuniteti ndërkombëtar do ta ndërmerrte këtë hap në emër të saj.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti: Pres një verdikt të drejtë, lufta e UÇK-së ishte luftë për çlirimin e vendit

Lideri politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka thënë se edhe ai, …