Në prag të vendimit përfundimtar të Gjykatës Speciale, organizatorët e platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, iu drejtuan pjesëmarrësve të tubimit, duke rikujtuar historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rëndësinë e përkrahjes për çlirimtarët e Kosovës. Në fjalën e saj para të pranishmëve, Eliza Hoxha lexoi një historik të UÇK-së, duke theksuar rrugëtimin e saj dhe sakrificën e luftëtarëve për lirinë e vendit. Ajo përmendi edhe Marshin për Liri të mbajtur para 27 vjetësh, duke vënë në pah simbolikën e rikthimit të kësaj thirrjeje në ditët e sotme. “Si për ironi, edhe sot marshojmë për lirinë e çlirimtarëve të Kosovës, që ata të kthehen në Kosovë, në shtëpinë e tyre”, ishte mesazhi i përcjellë nga Hoxha, duke e lidhur marshin e sotëm me përpjekjet e vazhdueshme për drejtësi dhe liri për ish-pjesëtarët e UÇK-së. Në përmbyllje të fjalës së saj, Eliza Hoxha falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, pa dallim, për praninë dhe mbështetjen e tyre. Edhe Ismail Tasholli iu drejtua të pranishmëve, duke shpalosur rëndësinë historike dhe kombëtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai vuri theksin te roli bashkues i UÇK-së, duke përcjellë mesazhin se kjo vepër dhe kujtesa për të mbeten të përbashkëta për shqiptarët. “UÇK-ja na bashkon përgjithmonë”, ishte mesazhi kryesor i Tashollit, në një tubim që synon të shprehë mbështetje për çlirimtarët e Kosovës dhe të rikujtojë sakrificën e tyre për lirinë e vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
