Dr. Skёnder Demaliaj: REFORMIMI I ARSIMIT TË LARTË DHE ZHVILLIMI I EKONOMISË II

DR. SKËNDER DEMALIAJ: KURAJO E NGROHTË E BASHKIMIT KOMBËTAR KUNDËR TERRORIZMIT

Dita e 11 shtatorit 2001 tronditi jo vetëm Amerikën, por gjithë opinionin botëror. U derdhën shumë lot, u kënduan mijëra lutje. Këmbanat u dëgjuan në çdo cep të botës, u mbajtën më shumë fjalime. Në sytë e përlotur të njerëzve të thjeshtë, të udhëheqësve e burrave të shteteve, në mimikën e fytyrës së tyre, në rrudhat e ballit, në zërin e humbur, ndjehej dhimbja, trishtimi, por edhe përgjegjësia e vendosmëria për të ndëshkuar ashpër, pa mëshirë fajtorët që kishin një emër, terroristë.

Me Amerikën u solidarizuan pothuajse të gjithë popujt. Amerika e Evropa u bashkuan politikisht, ushtarakisht dhe moralisht për ta përballuar armikun e tyre të përbashkët – terrorizmin. Presidenti Xhorxh Bush, duke përshkruar reagimin ndaj 11 shtatorit u shpreh: “Sot ne ndjejmë atë çka Franklin Rusvelt e quajti “kurajo e ngrohtë e bashkimit kombëtar”. Ky është bashkimi i çdo besimi dhe kulture”.

Botës, si në vitet e Luftës së Dytë Botërore, i duhej të bashkohej e të përballonte një përbindësh të njëjtë me fashizmin, një Hitler të ri, Bin Ladenin. Hitleri e nisi luftën në emër të superioritetit të racës ariane, që duhej të udhëhiqte botën, kurse Bin Ladeni në emër të Allahut, të Islamit. Jo pa qëllim ai kishte zgjedhur Afganistanin, një vend i varfër, një popull i vuajtur, ku jeta e njeriut kishte çmimin më të ulët. Një popull që mund të mashtrohej e të manipulohej lehtë. Kishte investuar për të keqen, për vdekjen, prej kohësh. Ndoshta edhe u tolerua e nuk u mor seriozisht asgjesimi i tij.

Më 11 shtator u goditën, jo vetëm simbolet e Amerikës, por edhe besimi i njerëzve në vlerat e demokracisë. U godit shpresa për një paqe të qendrueshme pas mbarimit të Luftës së Ftohtë. Siç ishte e kuptueshme, në këto momente, u trondit qetësia tradicionale e Amerikës, ku mbijnë frika, dyshimi, pasiguria, pesimizmi. Por amerikanët e përkrah tyre popujt e tjerë gjetën kurajo, vullnet dhe vendosmëri për të mbrojtur paqen, lirinë, për të ecur me guxim në rrugën e zhvillimit e të përparimit. Pa dyshim do të ketë sakrifica, do të ketë edhe jetë njerëzish që bien në fushën e betejës. Nuk është e lehtë të fitosh mbi këta përbindësha, të vendosur e të ndërgjegjshëm në rrugën e krimit. Kurajo ka qenë dhe mbetet e lidhur me aftësinë për të rrezikuar jetën në një sfidë, në një betejë. Konflikti kishte arritur kulimin e tij – ballafaqimin ushtarak. “Nisi sipas kohës dhe kushteve të të tjerëve, por do të përfundojë në mënyrën dhe në kohën që do të zgjedhim ne”, – u shpreh Presidenti Bush.

11 shtator ishte momenti kur tensioni midis forcave progresiste dhe regresive arriti kulmin. Rezultati, u formuan dy grupe përballë njëri-tjetrit, kompakte, secili i vendosur të shtypë kundërshtarin: forcat demokratike dhe forcat e errëta sadiste, terrorite. Terroritët edhe sot luftojnë nën flamurin e Bin Ladenit. Lufta kundër terrorizmit, siç e dëshmuan edhe ngjarjet pas 11 shtatorit 2001, do të jetë një luftë e gjatë. Ndaj Presidenti Bush u shpreh në nëntor se  Afganistani është vetëm beteja e parë kundër terrorizmit.

Alberoni, psikolog i madh italian thotë:“Nëse dorëzoheni, humbasim lirinë. Për të lëshuar armët mund të jetë kollaj, por pasojat janë të tmerrshme. Sepse liria është gjëja më me vlerë. Liria nuk na dhurohet. Është gjithmonë një betejë e fituar me luftë. S’mund ta blesh me para. E blen vetëm me entuziazëm, me këmbëngulje, me pasion, me vullnet e me të qenë konstant. Dhe mjafton një çast dobësie për ta humbur atë përgjithmonë”.

Njerëzve u duhet besimi dhe jo skepticizmi, entuziazmi dhe jo trishtimi. Amerika dha shembullin e rigjetjes së vetvetes. Për të mposhtur shokun psikologjik të momentit, ajo thirri në ndihmë, jo vetëm dollarët apo avionët që dispononte, por edhe patriotizmin. Edhe këtë herë, si më parë, madje më shumë se më parë, kombi amerikan gjeti kohën që, po të shprehemi me gjuhën e Alberonit t’u thurte lavde baballarëve themelues.

Në gjurmët e kësaj tradite, vetë Presidenti Bush dha shembullin e kurajos së pashoqe. Këtë shembull e dha kur, për të thyer frikën, shkoi në një stadium e mori pjesë në një ndeshje beizbolli, madje e hapi atë. Për t’iu dhënë kurajo qytetarëve të vet e për të ndihmuar shoqëritë e aviacionit e ato turistike, zhvilloi mbledhjet e punës në bordin e një avioni etj. Për më tepër, ai e dha këtë shembull kurajoje kur përcaktoi objektivat e luftës antiterrorizëm dhe udhëhoqi botën e jo vetëm vendin e tij në këtë luftë të re.

Vështirësitë përballohen me forcë shpirtërore dhe ndjenjë përgjegjësie. ShBA – udhëheqja e Koalicionit Antiterrorizëm kishte një detyrë të vështirë, por fisnike. Njerëzit i drejtuan sytë nga ajo. Po ndodhte procesi i dyfishtë: merrnin kurajo nga Amerika dhe i jepnin kurajo asaj. Asnjëherë s’duhet të humbasim shpirtin. Të humbasësh shpirtin do të thotë të humbasësh qartësinë, dinjitetin, lirinë. Shpirtin e humbasim edhe kur heqim dorë nga ëndrrat tona, nga idealet tona. Frika, paqartësia për rrugën që do të ndjekim – janë armiqtë e kurajos.

Kurajo s’është një akt i izoluar, një impuls i çastit. Është një aksion kompleks, i cili duhet ndjekur deri në qëllimin final. Ajo, siç e kanë përcaktuar psikologët, s’është vetëm virtyti i të filluarit të një pune, por i të vazhduarit më tej, i të kompletuarit dhe i të parit të gjërave larg. Kjo do të thotë se lufta kundër terrorizmit është një luftë e gjatë, e mundimshme, me të papritura, një luftë që i takon së ardhmes dhe që do të fitohet në të ardhmen. Një luftë që do të përcaktojë rendin dhe sigurinë botërore. Një luftë midis vlerave dhe antivlerave, midis së mirës dhe së keqes, midis së madhërishmes dhe të ultës, të bukurës dhe të shëmtuarës, të moralshmes dhe të pamoralshmes, midis sinqeritetit dhe hipokrizisë, të vërtetës dhe gënjeshtrës, midis shumicës dhe pakicës.

Edhe ne duhet të ngjallim te njerëzit besim dhe entuziazëm. Këto janë të vetmet armë të afta për t’i rezistuar dëshpërimit, zhgënjimit, talljeve e tradhtisë. Sot, të ndërpresësh luftën kundër terrorizmit do të thotë të tradhtosh miliona njerëz që besojnë se do të fitojnë vlerat e demokracisë mbi antivlerat, do të thotë të tallesh me ndjenjat e miliona njerëzve që janë të bindur se bota paqedashëse është shumë më e fiqishme se një grusht njerëzish banditë që, për interesat e tyre dhe motive politike të ulëta, duan luftë, gjak, pasiguri, shkatërrim. Është çmeriduri, neveritëse dhe e trishtuar kur i dëgjon arsyetimet e tyre “sikur mbrojnë të varfërit, të përbuzurit, të fyerit e skllevërit nga të pasurit e shfrytëzuesit”. Krimi ka vetëm një emër, një ngjyrë, një qëllim: vdekjen e njerëzve të pafajshëm. Bota është para provës së madhe. Terrorizmi luftohet, jo vetëm me armë, me bomba e raketa, por edhe me kulturë, me inteligjencë, me kurajo, me forcë morale, me zhvillim ekonomik të të gjithë kombeve, duke mbrojtur të drejtën, me bashkëpunim e solidaritet ndërkombëtar.

Lufta me terrorizmin është një luftë midis jetës dhe vdekjes. Të gjithë e duan jetën dhe të jetosh do të thotë të kesh forcë, të krijosh. Të krijosh do të thotë të meritosh jetën. Ja pse në këto çaste është e domosdoshme që mendja e njeriut të punojë, të punojë sistematikisht e seriozisht për të shpëtuar njerëzimin nga kjo murtajë, të gjejë mjetet më efikase për ta mundur atë, të gjejë instrumentat e duhura që kostoja të jetë sa më e ulët, të godasë atje ku duhet, në kohën e duhur, ata që e meritojnë. Nënë Tereza jonë thoshte: “Jeta është këngë – këndoje, është sfidë – përballoje, është tragjedi – kaloje, është jetë – jetoje

Shembulli i njerëzve të mëdhenj, të cilët me kurajo e vullnet i kanë kapërcyer vështirësitë e pengesat të na nxisë e të na frymëzojë për të mos u tërhequr në luftën tonë deri në fitoren përfundimtare. Uashingtoni udhëhoqi me kurajo amerikanët në luftën për pavarësi. Linkolni me kurajo i bashkoi amerikanët. Rusvelti u dha zemër e forcë për të fituar mbi fashizmin. Kenedi i bindur në fitore, në 13 ditë e detyroi Hrushovin të heqë raketat nga Kuba. Bushi, më 1991, me guxim e përballoi agresionin e Irakut kundër Kuvajtit, duke i kthyer atij sovranitetin dhe lirinë. Klintoni, miku më i madh i shqiptarëve, me kurajo e udhëhoqi luftën në Kosovë dhe e çliroi atë nga terrorizmi dhe gjenocidi serb.

Përpjekjet e disa qeverive proserbe në Evropë përballë vendosmërisë së tij dhe stafit që drejtonte në Shtëpinë e Bardhë, dështruan. Dante, Ainshtajni, Sollzheniceni kaluan një pjesë të madhe të jetës së tyre në mërgim për të shpëtuar nga despotizmi, fashizmi dhe stalinizmi, duke mos ndërprerë për asnjë çast veprimtarinë e tyre krijuese në dobi të njerëzimit, me besim në fitore. Shekspiri kishte lënë shtëpinë, fëmijët, vetëm e vetëm të realizonte qëllimet e tij të mëdha. Bethoveni kompozoi dhe i shurdhët. Niçja ka luftuar kundër çmendurisë. Frojdi iu rezistoi kritikave, talljeve e sëmundjes. Edhe në vendin tonë kurajo, guximi, shpirti i paepur liridashës, vendosmëria për t’i dalë zot atdheut – qenë çelësi i fitores së Skënderbeut për 25 vjet në luftë me ushtritë turke – perandoria më e madhe e kohës. Mjerë ai që nuk lufton, nuk reziston e nuk qëndron i paepur për vendin e vet! Mjerë ai që trembet para terroristëve! Mjerë ai që e humb besimin në fitore! Mjerë ai që nuk e vë gjithë potencialin e tij fizik e intelektual në shërbim të ruajtjes së vlerave, të lirisë e të demokracisë! Mjeranët si duhen askujt. Njerëzit kurajozë në luftën dhe përpjekjet e tyre për të mirën e njerëzimit nuk bëjnë llogari: a do të shpërblehen, sa do të shpërblehen. Kurajo do të thotë pa u ndalur, pa u trembur, pa u tërhequr para kërcënimeve e shantazheve, në kërkim të asaj që na lartëson.

Të kemi kurajo. Kjo është ajo që na duhet. Jo vetëm amerikanëve, por edhe të tjerëve, edhe ne shqiptarëve. Kurajo e ngrohtë e bashkimit për të cilën fliste Rusvelti i Madh.

Kontrolloni gjithashtu

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Djaloshi me shqiponjë në ballë

Shikoni këtë foto të Aziz Kelmendit. Është origjinale, nuk ka kurrfarë  retushimi. Para se të …