Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas rizgjedhjes së Albin Kurtit në postin e kryeministrit, duke e kritikuar ashpër mënyrën se si u formua Qeveria e re. Rama ka pretenduar se Kurti u zgjodh me votat e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe, duke theksuar se në sallën e Kuvendit nuk ishte i pranishëm asnjë deputet tjetër shqiptar. “Albin Kurti zgjodhi veten Kryeministër të Kosovës me votat e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe”, ka shkruar Rama, duke e akuzuar kryeministrin se gjatë viteve në politikë ka prishur raportet me subjektet e tjera shqiptare. Ai ka kritikuar edhe gjuhën e përdorur nga Kurti pas zgjedhjes, duke iu referuar shprehjes “me pre me gërshërë” dhe duke ngritur pyetjen se ndaj kujt ishte drejtuar ajo deklaratë. Rama ka thënë se 52.87 për qind e qytetarëve që votuan në zgjedhjet e fundit nuk e mbështetën Vetëvendosjen dhe se kryeministri, pas marrjes së detyrës, duhet të përfaqësojë të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Sipas tij, mënyra e ushtrimit të pushtetit dhe përplasjet e vazhdueshme me kundërshtarët politikë tregojnë mungesë të kulturës institucionale. Rama ka akuzuar Kurtin se pushtetin e ka siguruar përmes “hileve dhe numrave” dhe bashkëpunimit me deputetë serbë, duke përfunduar se, sipas tij, Kurti nuk është kryeministër që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
