Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar shumicën e re parlamentare si “pa busull”. Tahiri ka thënë se, pas gati dy vitesh krizash politike, institucionale, kushtetuese dhe ekonomike, vendi tashmë ka, sipas tij, një Kuvend dhe një Qeveri jashtëkushtetuese. Ai ka akuzuar shumicën e re për prodhim të krizave dhe “lojëra politike”, duke thënë se vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë parë “plot makinacione e papërgjegjësi”. Sipas Tahirit, votimi në Kuvend ka treguar gjithashtu se sa të sinqerta kanë qenë qëndrimet e deputetëve ndaj deklaratave antishtetërore të Listës Serbe. Ai ka kritikuar edhe Qeverinë Kurti 4, duke thënë se qytetarët kanë dëgjuar sërish premtime të njëjta, ndërsa rezultatet konkrete, sipas tij, mungojnë. Tahiri ka përmendur shpenzimin e miliona eurove pa projekte të përmbyllura, si dhe rritjen e çmimeve dhe kostos së jetesës, duke theksuar se nafta ka arritur në 1 euro e 83 cent, faturat e energjisë në nivelin më të lartë, ndërsa inflacioni është rritur në 7.3 për qind. “Këtyre njerëzve u ka humbur busulla”, ka shkruar Tahiri, duke shtuar se, sipas tij, ata po ia humbin rrugën edhe popullit dhe shtetit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
