Nis gjykimi për krime lufte: Nadica Cepkenoviq përballet me akuzat për torturimin e të burgosurave shqiptare në Lipjan

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore ndaj Nadica Cepkenoviqit, e cila akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile, të dyshuara se janë kryer gjatë luftës në Kosovë, në burgun e Prishtinës, në paralelen për gra në Lipjan. Rasti i saj lidhet me periudhën 1998–1999, kur Cepkenoviqi shërbente si gardiane në këtë institucion të vuajtjes së dënimit. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ajo, në bashkëkryerje me gardiane të tjera, dyshohet se ka ushtruar keqtrajtime dhe torturë sistematike ndaj të burgosurave shqiptare. Në aktakuzë pretendohet se të burgosurat janë rrahur me shkopinj gome, shqelma dhe grushte, duke pësuar lëndime të ndryshme trupore. Përveç dhunës fizike, Prokuroria përshkruan edhe pasoja të rënda psikologjike që, sipas saj, viktimat i kanë përjetuar si pasojë e trajtimit të dyshuar çnjerëzor. Këto pretendime i referohen një periudhe të luftës kur burgjet dhe qendrat e ndalimit në Kosovë u shndërruan në vende të vuajtjes dhe dhunës ndaj shqiptarëve. Në rastin konkret, organi i akuzës pretendon se keqtrajtimet ndaj të burgosurave kanë qenë të përsëritura dhe të kryera në bashkëpunim me pjesëtare të tjera të personelit të burgut. Aktakuza ndaj Nadica Cepkenoviqit është ngritur më 16 janar 2026 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Ajo akuzohet për veprën penale “Krime kundër popullatës civile”, sipas nenit 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së. Seanca gjyqësore shënon fillimin e shqyrtimit të këtyre akuzave para drejtësisë së Kosovës. Përgjegjësia penale e të akuzuarës do të përcaktohet nga gjykata në përfundim të procesit gjyqësor.

Kontrolloni gjithashtu

Besnik Tahiri: Shumicës së re parlamentare i ka humbur busulla

Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, …