Profesori amerikan, Edward Joseph, ka deklaruar se aktgjykimi dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit mund të shfrytëzohet nga Serbia, Rusia dhe Kina në përpjekjet për ta dëmtuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Duke komentuar dënimin prej gjithsej 81 vitesh burgim ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, Joseph ka thënë se vendimi mund të përdoret për të diskredituar UÇK-në dhe për të izoluar më tej Kosovën. “Kjo gjë do të përdoret nga Serbia si mjet për të diskredituar UÇK-në, veprimtarinë e saj. Do të përdoret nga Rusia dhe Kina. Do të përpiqen ta izolojnë edhe më shumë Kosovën”, ka deklaruar Joseph. Ai ka përmendur edhe reagimet në Serbi pas vendimit, duke iu referuar nderimeve për figura serbe të luftës dhe gjuhës së urrejtjes në Beograd. Sipas Josephit, dënimi i shqiptuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është i krahasueshëm me dënimet e shqiptuara ndaj disa figurave politike dhe ushtarake serbe të dënuara për krime gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. “Dënimi nuk është i barabartë me dënimet që kanë marrë figurat serbe, që kanë kryer krime”, ka theksuar ai.