Pleurat Sejdiu për Flora Brovinën: “Me të drejtë u quajt Luaneshë Shqiptare”

Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë u mbajtë ceremonia përkujtimore për mjeken, humanisten, veprimtaren dhe ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina. Në këtë ceremoni, në emër të Odës së Mjekëve të Kosovës ka folur doktori Pleurat Sejdiu, i cili ka vlerësuar lart jetën dhe kontributin e Brovinës në mjekësi dhe në shërbim të shoqërisë. Sejdiu e ka cilësuar Brovinën si një “shëruese të vërtetë”, duke rikujtuar edhe epitetin me të cilin ajo është njohur ndër vite, “Luaneshë Shqiptare”. “Të gjithë ata që e njohën, e dinë që doktoresha Flora ishte shëruese e vërtetë. Me të drejtë u quajt Luaneshë Shqiptare. Ajo mori përgjegjësi që t’i mbronte luanët e vegjël të Kosovës”, ka thënë Sejdiu. Duke iu drejtuar familjes së të ndjerës, Sejdiu ka thënë se ata duhet të jenë krenarë për jetën dhe veprën e saj. “Familje e nderuar, të jeni krenarë për nënën, shtyllën e shtëpisë suaj. Është nder për ne që e kemi njohur, ndërsa ju që jeni brumosur nga ajo, të jeni gjithmonë faqebardhë, gjithmonë kokëlartë”, është shprehur ai. Në fund të fjalës së tij, Sejdiu e ka përshëndetur për herë të fundit mjeken dhe veprimtaren Flora Brovina me një mesazh të ndjerë: “Pusho në paqe, luanesha jonë.”

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti pas dënimit të krerëve të UÇK-së: Drejtësia nuk mbrohet me standarde të dyfishta

Bashkimi Demokratik për Integrim, parti e drejtuar nga Ali Ahmeti, ka reaguar ndaj deklaratave të …