Raoul Jaeggi, ish-deputet i kantonit të Jures në Zvicër, ka kritikuar ashpër aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së, duke argumentuar se drejtësia nuk mund ta shkëpusë përgjegjësinë individuale nga konteksti historik në të cilin u zhvillua lufta e Kosovës.Sipas Jaeggit, aktgjykimi pretendon të mbështetet në parimin e përgjegjësisë individuale, por qasja e ndjekur nga gjykata, sipas tij, krijon përshtypjen se faktet janë shqyrtuar jashtë historisë që i prodhoi ato. Ai e konsideron veçanërisht problematike ndarjen e procesit gjyqësor nga krimet e kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës dhe nga rrethanat që çuan në luftë. Jaeggi thekson se Kosova nuk ishte një territor paqësor ku një organizatë e armatosur u shfaq papritur, por një vend ku shqiptarët kishin përjetuar represion, diskriminim, dëbime dhe dhunë nga forcat serbe dhe jugosllave. Ai nënvizon se ky kontekst nuk justifikon asnjë krim të kryer nga pjesëtarë të UÇK-së, por është i domosdoshëm për të kuptuar rrethanat në të cilat ata vepruan. Shpjegimi, thekson ai, nuk është justifikim. Në qendër të kritikës së tij qëndron rreziku i asaj që Jaeggi e quan “fajësi për shkak të lidhjes”. Sipas tij, Hashim Thaçi mund të kritikohet politikisht, por nuk mund të dënohet vetëm për shkak të pozitës, përkatësisë në UÇK apo reputacionit të tij. Përgjegjësia penale, argumenton Jaeggi, duhet të përcaktohet përmes provave konkrete që lidhin drejtpërdrejt personin me veprën penale. “Përgjegjësia penale nuk bartet përmes një titulli, përkatësie ose reputacioni. Ajo duhet të përcaktohet përmes provave të sakta”, thekson ai, duke përmendur si elemente të rëndësishme një urdhër, një udhëzim, një kontribut të vetëdijshëm, dijeninë për krimet apo kontrollin real mbi kryerësit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
