Sapo mbarova shkollën e lartë u caktova përkohësisht mësues në Berishë, sepse mësuesi i gjuhës dhe i letërsisë ishte në zborin 5-mujor që kryenin djemtë që mbaronin studimet e larta, si shlyerje të detyrimit ushtarak. Ishte fundi i gushtit. Njeriun e parë që takova në sektorin e kooperativës ishte Nikollë Mushaku. Nga sektori te shkolla ishte një distancë prej 600 metrash. Nikolla kishte veshur një kostum veror, ngjyrë gri dhe mbante një çantë dhe një kapele. Në dimër vishej me një xhup të trashë me gëzof, të cilin ia kishte dhënë Ndërmarrja Gjeologjike. Ishte njeri i qeshur dhe të tërhiqte menjëherë në bisedë. Në komunikimet me njerëzit ishte i shkathët, elastik, dinamik, dashamirës dhe fjalëëmbël. Më bëri përshtypje dhe u interesova për të.
Ishte nga Mërturi i Pukës, nga fisi i Berishës dhe të parët e tij kishin mëse 200 vjet që ishin vendosur në Rodogosh, pjesë e mëse 15 familjeve me mbiemrin Doçi. Thuhej se kishte lindur nga fillimi i shekullit XX, por data dhe viti i saktë nuk dihej. U nda nga jeta në qershor të vitit 1985.
Gjeologu popullor Nikollë Mushak Doçi
Nikolla ishte i dhënë pas kërkimeve gjeologjike. Kishte punuar me italianët në kohën e pushtimit fashist dhe pas çlirimit me gjeologët rusë, të cilët e kishin qendrën në Kam. Kishte mësuar prej tyre për mineralet. Nga Fusha e Shëngjergjit – Rrushtë – Mash – Dobrej – Qafë e Luzhës – Stobërt – Skatinë – Qafë Prush nuk kishte vend që nuk e kishte shkelur me këmbët e tij disa herë. Ishte i paparë në ecje. Askush nuk mund të garonte me të. Kishte një konstrukt të veçantë: i gjatë, i hollë dhe peshëlehtë. Me të dalë dielli deri vonë në mbrëmje ishte në terren, duke gjurmuar për minerale. Jo më kot i vunë emrin “gjurmues popullor”. I pëlqente natyra dhe shëtitjet në ajrin e pastër. Në çantë mbante një çekiç, me të cilin thyente gurët dhe një lente zmadhuese, me të cilën vërente grimcat e gurëve. Të gjitha kërkimet në Berishë, Pac, Vlad, Zherkë, Çorraj mbanin emrin e tij. Aty ku tha ai se kishte mineral, u gjet. Njoftonte gjeologët, të cilët vinin menjëherë, bënin shpimet dhe analizat, pastaj fillonte shfrytëzimi. Në atë kohë në Berishë dhe në Pac kishte ekspedita gjeologjike. I paketonte gurët, shënonte vendet ku i gjente, i vendoste etiketat përkatëse dhe i dërgonte në Ndërmarrjen Gjeologjike në Bajram Curr. Rregullisht e bëntë këtë punë me pasion dhe dëshirë të madhe.
Ka marrë pjesë në Konferencën Shkencore për Gjurmuesit Popullorë në Tiranë, u falenderua për punën e bërë dhe u dekorua. I ishte lidhur një rrogë mujore 3600 lekë të vjetra si shpërblim për punën që bënte në zbulimin e vendburimeve të mineraleve. Kishte një memorie të fortë. Mbante mend të gjitha vendet, ku kishte qenë me të gjitha karakteristikat e tyre, llojet e mineraleve, veçoritë e tyre, teknikët dhe inxhinierët gjeologë vendas dhe të huaj, me të cilët kishte bashkëpunuar ndër vite. Gëzonte respektin e të gjithëve. E ftonin në dasma e gëzime familjare, por ishte tepër i rezervuar. Rrallë shkonte. Emri i tij është në Muzeun Gjeologjik në Bajram Curr, të cilin e ngriti me shumë sakrifica, mundime dhe përkushtim Mehmet Doçi. Marrëdhëniet më të mira i kishte me familjet e njohura në Rodogosh: Rexhep Arifi dhe Zenun Jaha, në Visoçë: Haxhi Brahimi, në Shëngjergj: Sadik Rama, në Rrushtë: Halil Diku dhe Rexhep Avdia, të gjitha këto familje punëtore, fisnike, mikpritëse dhe që shquheshin për tolerancë. Edhe pse me besim katolik, të gjitha familjet myslymane e respektonin, e ftonin në festat dhe ceremonitë fetare. Ishte besimtar i madh dhe u grind me djalin e xhaxhait se i tha: “Na lodhën fetë!” Beja e tij ishte: “Pasha të drejtën!” Se ishte i drejtë, besonte tek e drejta dhe i donte dhe i respektonte njerëzit e drejtë. Ishte nipi i familjes së Mëhill Doçit, e cila u vendos në tokën e tij në Rodogosh. Kjo familje me gjithë anëtarët e saj e mbajtën, e trajtuan Nikollën si pjesëtar të saj.
Karakteri i tij i fortë i siguroi suksesin si gjurmues popullor i mineraleve
Duke analizuar sjelljet dhe qendrimet e tij, të cilat përbëjnë bazën e veprimit moral, arrijmë në përfundimin se ishte një njeri me karakter të fortë, i ndershëm, me virtyte të larta e që rrezatonte mirësi, i përgjegjshëm për atë që paguhej dhe realizimin e objektivave që i kishte vënë vetes. Ishte i qendrueshëm në përballjen me vështirësitë dhe i vendosur për t’i çuar gjërat deri në fund. Arritja e suksesit qendron në faktin se ne duhet të njohim kualitetet tona dhe t’i jetësojmë në realitet me këmbëngulje. Tërësia e cilësive tona pozitive na krijon mundësinë që një vizion të bëhet realitet. Vizioni i tij ishte: të gjente sa më shumë vendburime mineralesh. Kjo përputhej edhe me qëllimet e tij, sepse janë pikërisht ato që na mbajnë brenda një kursi të caktuar. Definimi i qartë i qëllimeve, formulimi i prerë i tyre dhe këmbëngulja e vazhdueshme në atë çfarë është qenësore për të përmbushur këto qëllime – janë rregullat themelore mbi të cilat ndërtojmë të ardhmen e suksesshme. Ishte një njeri i vendosur. Të jesh i vendosur do të thotë të kesh besim në vetevete, të jesh i sigurtë dhe i qendrueshëm në shprehjen e nevojave dhe kërkesave të tua, në ndjekjen e objektivave të tua edhe atëherë kur has në kundërshtime. Në thelb vendosmëria është një komunikim i hapur dhe i drejtpërdrejtë. Në komunikimet me njerëzit ishte i sinqertë dhe krijonte atmosferë miqësore me ta. Me të qeshurën e tij të përhershme i bënte për vete njerëzit. Ai e kuptonte se je duke e dëgjuar me vëmendje dhe vetë ishte një dëgjues i vëmendshëm.
Njerëzit punojnë për para. Ai e merrte një pagë mujore, por nuk ishte kjo ajo që e motivonte. I kishte hyrë punës së gjurmuesit popullor pa e llogaritur pagën. Njerëzit bëjnë shumëçka për t’u vlerësuar, për të marrë vlerësime morale dhe materiale. Nga kjo vinte edhe fuqia e frymëzimit të tij. Në qoftë se një njeri nuk është i frymëzuar nga diçka në jetë, atëherë ai nuk mund të dëshmojë se është në botën e të gjallëve. Të qenit aktiv dhe gjallëria e karakterizuan gjithë jetën Nikollë Mushakun. Forca e frymëzimit tek ai shfaqej përmes syve, vështrimit të tyre, me mënyrën sesi lëvizte, përmes gjithë asaj që bënte me shumë dëshirë gjatë gjithë ditës.
Ai i qendroi besnik punës dhe misionit të tij. Zona e rehatisë ishte armiku i tij. Është nje vend i bukur, por asgjë nuk rritet atje. E karakterizonte vetëdisiplina. Nuk kishtre orar pune dhe nuk i kërkonte kush llogari për zbatimin e tij. Ishte i ndërgjegjshëm për atë që do të bënte, por edhe çfarë kërkonin të tjerët prej tij. Puna për të ishte lumturi. Qendrueshmëria dhe këmbëngulja ishin çelësi i suksesit. Si njeri ekstrovert kërkonte kontakte sociale, ishte energjik dhe vetëbesues, me një dëshirë të madhe për të përjetuar gjëra të reja dhe për t’u hapur ndaj kulturave dhe ideve të reja. Nuk kishte lexuar libra për komunikimet, as sociologji, as psikologji, por gjithçka që e realizoi ishte në sajë të të qenit inteligjent, i lindur si i tillë. E vlerësuan si njeri me dinjitet. Përpjekja për të ndërtuar dinjitetin e të tjerëve është një fundament për të realizuar marrëdhënie të qytetëruara dhe miqësore mes njerëzve. Kishte dëshirë për famë , dëshirë për të qenë i rëndësishëm. Dhe e arriti.
Epilogu
Secilit i jepet mundësia për të bërë diçka të rëndësishme. Duhet të gjesh kohën, vendin dhe të kesh vullnet për ta bërë këtë, të mbështetesh nga të tjerët e të shpërblehesh. Shqetësimi ynë duhet të jetë: A e kemi realizuar këtë? Analiza jonë: Çfarë duhet të bënim më mirë dhe përse nuk e kemi bërë? Vizioni ynë: Çfarë do të bëjmë në të ardhmen?
Nikollë Mushaku e bëri detyrën e tij dhe e bëri mirë. Është shembulli më i mirë për t’u marrë, pikë referimi për të gjithë ne.
Tani nuk ka ekspedita gjeologjike, nuk ka as kërkime gjeologjike, pra nuk ka as gjurmues popullorë. Pasuritë tona nëntokësore i shfrytëzojnë në mënyrë të pamëshirshme privatët dhe të huajt. Mundi, djersa dhe puna jonë 50-vjeçare për evidentimin dhe shfrytëzimin e tyre ka shkuar kot.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
