Joaquín Urías, vë në pikëpyetje drejtësinë e Hagës: A u përdor ligji si mbulesë për politikën?

Profesori spanjoll i së Drejtës Kushtetuese, Joaquín Urías, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si drejtësia ndërkombëtare është qasur ndaj Kosovës, veçanërisht pas dënimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Në një shkrim autorial, Urías ka kritikuar ashpërsinë e dënimeve, duke argumentuar se ato tejkalojnë trajtimin që, sipas tij, u është bërë përgjegjësve të krimeve të kryera nga regjimi serb gjatë luftës në Kosovë. “Komuniteti ndërkombëtar e ka ndëshkuar Thaçin me një dënim më të ashpër se çdo organizator i përpjekjes për gjenocid serb”, ka shkruar Urías, duke shtuar se është e vështirë të mbështetet një vendim i tillë nëse ai shihet përmes raportit mes ligjit dhe politikës ndërkombëtare. Sipas tij, në konfliktet e mëdha politike dhe historike, ligji rrezikon të shndërrohet në “një mbulesë për politikën”, duke ngritur kështu pyetje mbi ndikimin e kalkulimeve politike në trajtimin e rasteve të tilla. Urías ka theksuar gjithashtu se veprimet për të cilat është dënuar Thaçi duhet të shihen në kontekstin e luftës së UÇK-së kundër spastrimit etnik, duke vënë në dukje dallimin mes rrethanave të konfliktit në Kosovë dhe krimeve të kryera nga regjimi serb. Deklaratat e profesorit spanjoll vijnë në një kohë kur në Kosovë dhe jashtë saj po vazhdojnë protestat kundër aktgjykimit të Hagës. Sot shënohet dita e shtatë e protestave në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, nën thirrjen “Jo në emrin tim”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive.

Kontrolloni gjithashtu

Identifikohen tri viktima nga mbetjet mortore të gjetura në tri zona

Kushtrim Gara ka bërë të ditur se janë identifikuar tri viktima nga mbetjet mortore të …