Mentor Beqiri: Në Hagë u dënua drejtoria politike e UÇK-së, jo vetëm individët

Avokati i Jakup Krasniqit, Mentor Beqiri, e ka cilësuar si “skandaloz” aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, trupi gjykues ka vlerësuar provat dhe dëshmitë gjatë procesit. Beqiri ka thënë se: “Prokuroria ka të ndaluar që kur ta ngre aktakuzën të selektojë provat se cilat i konvenojnë më shumë e cilat më pak. Prokuroria është e obliguar që të përfshijë të gjitha provat, qoftë edhe ato shfajësuese”, ka deklaruar Beqiri, duke shtuar se një qasje e tillë, sipas tij, është aplikuar edhe nga trupi gjykues. Ai ka kritikuar gjithashtu përdorimin e konceptit të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, veçanërisht të shkallës së tretë, duke argumentuar se kjo formë përgjegjësie mund të çojë në përgjegjësi penale mbi bazën e dijenisë se një person tjetër mund të kryejë një krim. Beqiri ka pretenduar se kjo qasje është aplikuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe se përgjegjësia, sipas tij, është lidhur me funksionet që ata kanë mbajtur. “Nuk është dënuar individi. Është dënuar posti që ai ka mbajtur. Nuk është dënuar Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi. Është dënuar drejtoria politike e Ushtrisë së Kosovës. Është dënuar UÇK-ja rrjedhimisht”, ka deklaruar ai. Duke folur konkretisht për Jakup Krasniqin, Beqiri ka thënë se në aktgjykim, sipas tij, nuk është konstatuar se Krasniqi ka qenë i pranishëm kur ndonjë person është keqtrajtuar, arrestuar apo vrarë. “Nuk ka pasur asnjë rast që Jakup Krasniqi ka qenë prezent kur një person është keqtrajtuar, arrestuar apo edhe vrarë. Trupi gjykues e konstatoi një gjë të tillë. Mirëpo, posti politik si zëdhënës atij po i bartka përgjegjësinë, sipas trupit gjykues”, ka deklaruar Beqiri.

Kontrolloni gjithashtu

Edita Tahiri: Kosova duhet të gjejë rrugën kushtetuese për kundërshtimin e vendimit të Speciales

Ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar lidhur me …