Shpresa Gashi: I ndaluar të kthehej në vendlindje për Agim Gashin, mërgimi nuk ishte zgjedhje e lehtë

Agim Gashi i përkiste brezit të shqiptarëve të mërgatës që jetën personale nuk e ndanë nga përpjekja për lirinë, dinjitetin dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Fotografi nga veprimtaria e tij janë të pakta, por kujtesa për të ka mbetur në familje, te bashkëveprimtarët, në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe në historinë e angazhimit të diasporës për Kosovën.

 Agim Gashi lindi më 21 shtator 1956, në Martiraj të Poshtëm, i njohur edhe si Studime e Poshtme, në komunën e Vushtrrisë. Ishte i biri i Mehmet Gashit dhe Hava Dedinca Gashit dhe nipi i mësuesit Bajram Gashi, i njohur në familje dhe në rrethin e tij për përkushtimin ndaj arsimit dhe çështjes kombëtare shqiptare.

Edhe nga ana e nënës, Agimi vinte nga një familje me histori të lidhur me përndjekjen politike dhe qëndresën. Daja i tij, Mehmet Dedinca, kishte qenë i burgosur, një pjesë e rëndësishme e historisë familjare dhe e rrethanave politike në të cilat u rritën pjesëtarët e kësaj familjeje.

Agimi u rrit në një familje ku dashuria për vendin, ruajtja e identitetit shqiptar dhe përgjegjësia ndaj atdheut ishin pjesë e edukimit familjar.

 Në një kohë kur Kosova ndodhej nën administrimin jugosllav, Agimi u përfshi që në rini në veprimtari me karakter kombëtar.

Në moshën shtatëmbëdhjetëvjeçare u largua nga vendlindja. Sipas rrëfimeve familjare, ai kaloi përmes maleve dhe arriti në Austri, duke rrezikuar jetën gjatë rrugëtimit.

Rreth vitit 1974 vazhdoi drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku nisi një jetë të re.

Edhe pse fizikisht larg Kosovës, lidhja e tij me vendlindjen nuk u ndërpre asnjëherë.

 

Jeta dhe veprimtaria në Shtetet e Bashkuara

 Në SHBA, Agim Gashi punoi, krijoi familje dhe ndërtoi biznesin e tij. Ai u bë shtetas amerikan në vitin 1981 dhe, ndër të tjera, lidhet me kompaninë “Kosovo Construction” në Illinois.

Por për të, integrimi në jetën amerikane nuk nënkuptonte largim nga çështja shqiptare.

Agimi u angazhua në organizimin e mërgatës, në protesta, tubime dhe kremtime kombëtare. Që nga vitet ’80, ai ishte pjesë e veprimtarive shqiptare në diasporë dhe punonte për bashkimin e shqiptarëve rreth çështjes së Kosovës dhe të drejtave kombëtare shqiptare.

Për të, liria që kishte gjetur në Amerikë ishte edhe mundësi për të folur për shqiptarët që jetonin nën shtypje.

Në fotografitë e ruajtura nga ajo periudhë, Agimi shihet edhe pranë figurave të njohura të rezistencës shqiptare, përfshirë Adem Demaçin.

 

I ndaluar të kthehej në vendlindje – Për Agim Gashin, mërgimi nuk ishte zgjedhje e lehtë.

 

Kur kërkoi të kthehej në Kosovë, autoritetet jugosllave nuk ia mundësuan kthimin. Në familje ruhet kujtimi se gjatë përpjekjeve të tij për të marrë vizë, atij iu mor pasaporta dhe u përball me kërcënime.

Për shkak të pamundësisë për t’u kthyer lirshëm në vendlindje, ai u detyrua t’i takonte familjarët jashtë Kosovës, përfshirë edhe në Stamboll.

Një prej kujtimeve më të dhimbshme familjare lidhet me nënën e tij, Hava Gashi. Familja kujton takimin e fundit dhe amanetin e saj për ta vazhduar rrugën dhe idealin që Agimi përfaqësonte.

 

Familja që ndërtoi në Amerikë

 

Agim Gashi u martua me Karen Gashi, një amerikane që u bë pjesë e plotë e jetës dhe identitetit shqiptar të familjes.

Çifti pati shtatë fëmijë: Artanin, Suzanën, Arbënoren, Kosovën, Mimozën, Dardanin dhe Ilirjanën.

Emrat shqiptarë të fëmijëve ishin vetë një dëshmi e lidhjes së Agimit me identitetin kombëtar. Njërën vajzë e quajtën Kosovë, ndërsa djalin Dardan, duke e lidhur simbolikisht familjen me Kosovën dhe Dardaninë.

Fëmijët u rritën me gjuhën shqipe, historinë dhe traditat shqiptare. Ata merrnin pjesë me familjen në demonstrata dhe aktivitete kombëtare.

Për Agimin, identiteti shqiptar nuk ishte vetëm kujtim i vendlindjes, por diçka që duhej ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm.

 

28 shtator 1992

Më 28 shtator 1992, Agim Gashi mori pjesë në një takim të komunitetit shqiptar në zonën e Çikagos.

Në mbrëmje, teksa po largohej nga ambienti ku ishte mbajtur tubimi, ai u sulmua me armë zjarri në parking.

Sipas të dhënave të raportuara për ngjarjen, në vendin e sulmit u gjetën një numër i madh gëzhojash të kalibrit 9 milimetra. Agimi u qëllua disa herë dhe humbi jetën. Në sulm u plagos edhe Mitat Lleshi, i cili mbijetoi.

Familja dhe bashkëveprimtarë të Agimit e kanë konsideruar vrasjen e tij një atentat politik të lidhur me veprimtarinë e tij kombëtare dhe me strukturat e regjimit jugosllav.

Në shtypin shqiptar të kohës, vrasja u trajtua si goditje ndaj një veprimtari të njohur të mërgatës.

Për familjen e tij, humbja ishte e jashtëzakonshme.

Atë natë, shtatë fëmijët e Agimit prisnin në shtëpi.

Edhe pas vdekjes iu ndalua kthimi në Kosovë

Pas vrasjes, bashkëshortja e tij Karen dhe djali Artan u nisën për ta sjellë trupin e Agimit në Kosovë, me dëshirën që ai të varrosej në vendlindje.

Por në Han të Elezit, autoritetet jugosllave nuk lejuan hyrjen e arkivolit.

Sipas dëshmive familjare, Karen dhe Artani u mbajtën për orë të tëra dhe u detyruan të ktheheshin drejt Shkupit.

Arkivoli qëndroi për dy ditë në shtëpinë e familjes Kallaba në Shkup, nën kujdesin e Lulzim Kallaba dhe familjes së tij.

Më pas, trupi i Agim Gashit u dërgua në Shqipëri dhe u varros në Fier, ku prehet ne paqe edhe sot.

Për familjen, fakti që Agimit iu ndalua kthimi edhe pas vdekjes mbetet një nga dëshmitë më të dhimbshme të përballjes së tij me regjimin jugosllav.

 

Karen Gashi dhe vazhdimi i amanetit

 

Pas vdekjes së bashkëshortit, Karen Gashi mbeti e vetme me shtatë fëmijë.

Ajo vazhdoi t’i rriste me gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare dhe mbeti e lidhur me komunitetin shqiptar.

Fëmijët e Agimit u rritën duke e njohur historinë dhe idealin për të cilin babai i tyre kishte vepruar.

Një nga dëshmitë më të forta të kësaj vazhdimësie ishte Arbënore Gashi.

Kur ajo mbushi shtatëmbëdhjetë vjeç, në moshën në të cilën babai i saj ishte detyruar të largohej nga Kosova, Arbënorja shkoi në Kosovë dhe u angazhua si vullnetare pranë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në qershor të vitit 1999 ajo filloi te punoi në Kosovë,  për rreth dy vjet si përkthyese në Kampin Bondsteel.

Ajo bashkëpunoi edhe me dajën e saj, Rreshterin e Klasit të Parë Tracy Munday, vëllain e Karenit dhe kunatin e Agimit.

Edhe familja e gjerë vazhdoi rrugën

Ndikimi i Agim Gashit u ndie edhe te familjarët e tjerë.

Vëllai i tij, Afrim Gashi, la biznesin në Kanada në vitin 1999 dhe shkoi vullnetarisht për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më vonë, ai ia vuri djalit të tij emrin Agim, duke e trashëguar emrin e vëllait të vrarë te brezi tjetër.

Kështu, trashëgimia e Agimit nuk mbeti vetëm në kujtesë. Ajo u shndërrua në veprim, shërbim dhe vazhdimësi familjare.

Një jetë që nuk përfundoi më 1992

Agim Gashi nuk arriti ta shihte çlirimin e Kosovës.

 

Fëmijët e tij e panë. Brezi i ri i familjes së tij u rrit me mundësi.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. Ass. Dr. Fidan Zeneli: HISTORIA E KOSOVËS NUK GJYKOHET ME NJË AKTGJYKIM

Kosova po përballet me një nga momentet më të ndjeshme të historisë së saj të …