Tre vjet nga Banjska: Djemtë e Thaçit, Veselit e Krasniqit në familjen e Afrim Bunjakut

Në trevjetorin e vrasjes së policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, familja e tij hapi dyert për pritjen e familjarëve, miqve dhe bashkëluftëtarëve që erdhën për ta përkujtuar rënien e tij në krye të detyrës. Në mesin e mysafirëve ishin edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi, Klestor Veseli, djali i Kadri Veselit, dhe Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, të shoqëruar edhe nga familjarë të tjerë. Prania e tyre në familjen Bunjaku në këtë përvjetor mori një kuptim të veçantë, në një kohë kur baballarët e tyre, ish-krerët e UÇK-së, ndodhen në paraburgim në Hagë, ndërsa familjet e tyre vazhdojnë të përballen me një tjetër betejë të gjatë. Familjarët e Afrim Bunjakut i pritën mysafirët me bluza ku shkruhej “Liria ka Emër”, mesazhi që prej vitesh është kthyer në simbol të përkrahjes për ish-krerët e UÇK-së dhe familjet e tyre. Në këtë ditë përkujtimore, homazhe pranë varrit të Afrim Bunjakut kanë bërë edhe diplomatë të huaj të akredituar në Kosovë. Tre vjet pas sulmit në Banjskë, emri i Afrim Bunjakut mbetet i lidhur me detyrën, sakrificën dhe mbrojtjen e Kosovës, ndërsa vizita e familjarëve të ish-krerëve të UÇK-së në familjen e tij përcolli një mesazh solidariteti në një përvjetor të dhimbshëm për familjen dhe gjithë vendin.

Kontrolloni gjithashtu

Ardian Bajraktari pas aktgjykimit në Hagë: Ku mbeti drejtësia?

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar sërish pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj …