Ish-deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka kritikuar qasjen e institucioneve të Kosovës ndaj zhvillimeve në Gjykatën Speciale dhe çështjes së ish-krerëve të UÇK-së, duke vlerësuar se deklarata e miratuar së fundmi nga Kuvendi nuk përcakton hapa konkretë për veprim. Duke komentuar dokumentin e miratuar nga deputetët, Hasani tha se Kuvendi ka miratuar edhe më herët deklarata të ngjashme, ndërsa sipas tij, efekti i tyre ka qenë kryesisht në opinionin publik në Kosovë. “Kësi lloj deklarata Kuvendi i Kosovës ka miratu me dhjetëra deri më tash. Efektet e këtyre deklaratave ka qenë me kënaq opinionin tonë në Kosovë”, deklaroi Hasani. Ai kritikoi edhe institucionet shtetërore për mënyrën se si është trajtuar situata pas vendimit të Gjykatës Speciale, duke theksuar se për 13 ditë, sipas tij, nuk është mbledhur asnjë nga institucionet kryesore për ta diskutuar dhe trajtuar këtë çështje. Hasani u shpreh kritik edhe ndaj zyrtarëve që sot i referohen deklaratës së Kuvendit, duke pretenduar se për gjashtë vjet nuk është ndërmarrë veprim konkret lidhur me këtë çështje. “Të gjithë këta që sot thirren në këtë deklaratë, njëri pas tjetrit në një rrethanë, në një rrethanë tjetër, nuk kanë bë asgjë për 6 vite. Sepse e kanë kuptu pozicionin ndryshe”, tha ai. Në fund, Hasani vlerësoi se dokumenti i miratuar nga Kuvendi nuk sqaron se në çfarë forme do të angazhohen institucionet dhe cilat do të jenë veprimet e mëtejshme. “Asgjë kjo deklaratë nuk jep një mundësi për formën, angazhimin, mundësitë”, u shpreh Hasani.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
