Policia e Kosovës ka ndërprerë një tubim që po mbahej në ambientet e Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut, lidhur me zgjedhjet parlamentare që Serbia do t’i mbajë më 25 tetor.Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në tubim kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të Listës Serbe, të cilëve u është kërkuar të largohen nga ambientet. Sipas Elshanit, ndërhyrja është bërë me urdhër të eprorëve, pasi Policia kishte informacione se aktiviteti ishte në funksion të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet në Serbi. “Na thanë se bëhej fjalë për një lloj edukimi, por ata u larguan nga ambientet. Ne kishim informacion se po zhvillohej një tubim parazgjedhor. Nuk do të lejohen tubimet parazgjedhore për Serbinë në Kosovë”, ka deklaruar Elshani. Deri në publikimin e këtij lajmi, Lista Serbe nuk ka reaguar ndaj ndërhyrjes së Policisë së Kosovës. Lista Serbe, e cila konsiderohet partia kryesore politike e serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e autoriteteve në Beograd, ka deklaruar mbështetje për listën “Srbija Ujedinjena” të Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
