Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Michael Doyle, ka deklaruar se institucioni nuk është konsultuar lidhur me ndryshimet e miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Doyle tha se për momentin nuk kanë koment lidhur me ndryshimet, ndërsa theksoi se fokusi i Speciales mbetet zbatimi i mandatit të saj. “Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk janë konsultuar. Për momentin nuk kemi ndonjë koment. Dhomat e Specializuara janë tërësisht të fokusuara në zbatimin e mandatit të tyre për të garantuar procese gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të sigurta, si dhe për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave”, ka deklaruar Doyle. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se ato bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Një zëdhënës i BE-së i ka bërë thirrje Kosovës që të respektojë detyrimet ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara. “Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së për Radion Evropa e Lirë. Brukseli ka theksuar se e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara si institucion të pavarur gjyqësor dhe ka kërkuar që mandati dhe pavarësia e tyre të respektohen. “Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”, ka theksuar zëdhënësi i BE-së.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
