Parlamenti Evropian reagon për protestat në Shqipëri, dënon dhunën dhe kërkon hetim për forcën policore

Delegacioni i Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe raportuesi i përhershëm për këtë shtet kanë shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit gjatë protestave, veçanërisht në Tiranë. Në një deklaratë të publikuar më 19 tetor, ata dënuan përshkallëzimin e dhunshëm të protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe dëmtimin e pronës publike e private, duke u bërë thirrje protestuesve për vetëpërmbajtje dhe shmangie të akteve të dhunës. Megjithatë, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian shprehën shqetësim serioz edhe për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës policore ndaj protestuesve. Ata kërkuan që autoritetet përkatëse të hetojnë çdo rast dhune dhe të përcaktojnë përgjegjësitë individuale, përfshirë rastet e mundshme të përdorimit të tepruar të forcës. Delegacioni theksoi se liria e tubimit dhe e shprehjes paqësore janë të drejta themelore të garantuara nga Karta e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në deklaratë u veçua edhe e drejta e të rinjve për të shprehur shqetësimet e tyre për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre, ndërsa autoriteteve shqiptare iu kërkua të garantojnë ushtrimin e lirë të së drejtës për protestë paqësore. Në përfundim, përfaqësuesit evropianë bënë thirrje për dialog paqësor, konstruktiv dhe të sinqertë ndërmjet të gjitha palëve, me qëllim adresimin e ankesave të protestuesve në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet evropiane. Ata rikujtuan se respektimi i sundimit të ligjit mbetet një kusht thelbësor për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Bekë Berisha përfaqëson AAK-në në Grupin Punues për Apelin në Hagë, emërohen edhe Çitaku e Rrustemi

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bekë Berisha, do ta …