Ka kaluar një muaj nga shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë nga Gjykata Speciale në Hagë, me të cilin katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Vendimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nxiti reagime të shumta në Kosovë dhe në diasporë, duke u pasuar me protesta qytetare dhe veprime institucionale. Për 21 ditë, qytetarë të shumtë protestuan në sheshet e Prishtinës, duke kundërshtuar dënimet e shqiptuara ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Në të njëjtën kohë, protesta u organizuan edhe në qytete të rëndësishme evropiane, ku shqiptarët e diasporës shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj vendimit të shkallës së parë. Reagimet publike u pasuan me hapa politikë dhe institucionalë në Kosovë. Kuvendi miratoi një deklaratë politike përmes së cilës shprehu kundërshtimin ndaj aktgjykimit, ndërsa më pas miratoi edhe Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ndërkohë, Qeveria e Kosovës vendosi të themelojë një grup punues për hartimin e një strategjie të përbashkët në mbështetje të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në procedurën e Apelit. Në këtë grup parashihet të përfshihen përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të partive parlamentare, ndërsa drejtimi i tij i është besuar Glauk Konjufcës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
