Blerim Muriqi

Blerim Muriqi: ENIGMA NËPËR TË NJOHJURA

Integrimet shqiptare në Evropë, qoftë shtetërore, qoftë qytetare, janë sot sfida që nuk përballohen lehtë. Nga mali i madh i llumit, që diverzionoi studentët duke përdorur terrenin “Flamingo” të shumë qendrave të njëkohshme, mund të vihet në jetë çdo skemë, sepse duar të huaja e armiqësore marrin terren dhe diktojnë qendra potente brenda vetë zhvillimeve. Ato duan ta kapin të ardhmen politike të vendit.

(Duart e huaja armiqësore tashmë nuk janë hamendësim apo teori konspiracioni e hedhur sa për të bërë rrëmujë. Lufta hibride, bashkë me zbritjen e kapaciteteve të tyre në terrenin real ku po zhvillohen ngjarjet, janë bërë objekt përballjeje të kapaciteteve tona shtetërore dhe të ndihmës së miqve ndërkombëtarë.)

Studentët hynë në protestë si shtresë shoqërore, e cila nuk ia doli ta ruante as veten, as platformën e vet, të cilën me rrëmbim ua zhytën në asgjë, me përdorimin e dhunës së shkollarëve nëpër kakofoninë e shumë qendrave, për t’i njëjtësuar me turmën bërthamë të qëllimeve të duarve të padukshme, atij misteri që po rri mbi protestën tash e sa muaj.

Kamuflimi i asaj që po ndodh në Shqipëri është ezopik, ndërsa edhe Evropa po zien ditë për ditë, nga qyteti në qytet!

Fabula e këtij realiteti që po shfaqet kaq vrazhdë, përtej konspiracionizmit diversionist, duhet kërkuar në pasqyrimin e asaj që është mbledhur zhvillim pas zhvillimi e vit pas viti. Këtu gjeti derën e hapur edhe diversionizmi armiqësor. Ky lloj marrëdhëniesh dhe kjo praktikë qeverisëse jo vetëm që e kanë mbushur kupën, por thjesht janë vjetëruar. Evropa e sotme njeh vetëm një lloj qeverisjeje, pushtetin e njëshit, të violinës së parë; ne jemi nuanca më e theksuar e saj. Në rrethana të tjera, sikur degradimi të mos kishte ndodhur në kupolën e botës, në “Amerikën trumpiste”, do të thoshim thjesht: kjo është “derdhje e gazanës së tejmbushur”! Por jo! Gjithçka nuk është kaq e thjeshtë, ashtu siç nuk do të jetë i lehtë epilogu i gjithë kësaj.

Në Shqipërinë tonë i gjen sot të gjitha në një pjatë: trandjen e Evropës, gazanën e tejmbushur të politikanëve të pashpirtë, majtizmin patriotik që po mëton të lindë, duar e thika shtrigash mbi këtë tentim lindjeje të re, pushtete të regjur nëpër lloj-lloj çoroditjesh, luftën e ashpër të kapitalizmit të painstaluar, i cili, me forcën e parasë, rend drejt çarjeve të mosfunksionimit të shtetit ligjor.

Në këtë kënetë mjafton të hash me grushte helmatisjen tënde dhe, ja, je pjesë e turmës, qoftë me veprim, qoftë me heshtjen tënde, duke bërë sehir. Nuk ka helmatisje më të madhe brenda një shoqërie sesa të prodhosh fëmijë kaq të dhunshëm, të pavetëdijshëm për peshën specifike të atdheut të djegur dhe të shoqërisë së rrënuar, ku institucionet e tua dhe tërë jeta e tjetrit, që është edhe taksa e jetës sate, digjen për një grusht parash të dhëna skutave nga bindja kuturu e krijuar apo nga diversionizmi i paguar (pak ka rëndësi nga cila anë vjen), për një tekanjozitet klase a shtresimi. Për një përdorim edhe nga “Doktori”, i cili, në fund, do ta mbajë kolltukun si mburojë për fëmijët e tij biologjikë, e jo për ata që po strehon sot në seli, pasi i ka nisur nga skuta të tjera, e për doktorë të tjerë, specialistë të luftërave speciale.

Evropa, në vetvete, është histori trazirash sociale, emancipim qytetërimi, fitore mbi të djeshmen, edhe atëherë kur gjërat janë dukur keq. Të kujtojmë: Revolucionin Francez të vitit 1789, Pranverën e Popujve të vitit 1848, Revolucionin Rus të vitit 1917, revoltat studentore dhe punëtore të vitit 1968.

Ani se gjërat nuk duken njësoj, ndonëse gazanat e tejmbushura janë gjithandej nga politika dhe pushtetarët hajdutë, dashur padashur ne vijmë te pyetja e madhe: A janë këto trazira gjithandej Evropës një e vetme?

Këtë do ta shohim në fund të procesit.

“Trazirat historike”, nëse mëtohet t’u vihet ky emër zhvillimeve të përhapura gjithandej Evropës, kanë lindjen (shtratin e tyre), shtatin (shtrirjen e pushtetshme) dhe pikën mbi “i” (fitoren e etabluar), pas së cilës jetohet në frymën e saj.

Por, se kriza shqiptare ka të veçantat e veta, këtë nuk ka nevojë ta themi edhe me force argumenti për ta kuptuar edhe si veçanti ndryshe më e thellë nga sa po ndodhë në Evropë. “Katuni që shihet nuk do kallauz!”, thotë populli. Integrimi i shpejtë i mundshëm i Shqipërisë në BE, sikur duket preku edhe njëherë interest e disa fqinjëve dhe të gjeopolitikës së madhe, ku Rusia po përpiqet t’i shndërrojë gërhamat e saj në dëshmi të një pranie të fortë.

Gjithë këtë kohë jam pyetur, nga brendia ime e trazuar, si lindi kaq menjëherë protesta “Flamingo”. Si ishte e mundur që të gjitha pjesët e mozaikut të gjendeshin në të njëjtin terren: edhe Zvërneci, edhe Flamingot, edhe prona e dhunuar, edhe policia private, edhe dhuna sikur të ishte e orkestruar, edhe pandjeshmëria policore, edhe veshi qytetar, edhe ndjeshmëria e tij? Si?

Si ndryshuan Flamingot kaq menjëherë me përfshirjen e studentëve? Si ndodhi tërheqja e shkollarëve krejt të mitur? Si erdhën kaq menjëherë paratë e pagesave që po dëshmohen? Si u gjetën kaq menjëherë klientët për t’u paguar? Si?

Ashtu sikurse motivi i përcakton pistat e hetimit, nuk kemi se si ta përjashtojmë përfshirjen edhe të ANTIFËS në krejt dramën shqiptare të këtyre muajve të fundit. Edhe kjo mund të jetë në luftën e saj për terren, sikurse gjeopolitika e madhe dhe armiqësitë rajonale.

Interesi i vendit (lindja e një klase të re politike) dhe këta tre faktorë të jashtëm: gjeopolitika e lartë (përfshirja ruse), armiqësitë rajonale (me fokus të veçantë Serbinë dhe Greqinë, për pasojat që do të prodhojë integrimi i Shqipërisë për çështjen çame) dhe ANTIFA, me luftën e saj kundër kapitalizmit botëror, janë katër faktorët që na bëjnë të dyshojmë se kanë zbritur në arenën shqiptare me gjithë arsenalin e tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Shqipëria e Madhe, Shqipëria e katër Vilajeteve, Shqipëria historike...

Ahmet Qeriqi: Shqipëria e Katër Vilajeteve, ka qenë dhe do të mbetet Shqipëria e Madhe, etnike dhe historike

Shqipëria e Katër Vilajeteve, ka qenë dhe do të mbetet Shqipëria historike, Shqipëria ( e pushtuar) …