Vlora Çitaku merr drejtimin e PDK-së pas dorëheqjes së Bedri Hamzës

Vlora Çitaku është caktuar ushtruese e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, pas dorëheqjes së parevokueshme të Bedri Hamzës nga kjo pozitë. Lajmi është konfirmuar nga zyra për informim e PDK-së, e cila ka bërë të ditur se organet drejtuese të partisë kanë vendosur që Çitaku ta udhëheqë partinë deri në përfundimin e procesit të brendshëm zgjedhor. “Pas dorëheqjes së parevokueshme të z. Bedri Hamza nga pozita e kryetarit të PDK-së, organet drejtuese të partisë kanë caktuar Vlora Çitaku si ushtruese të detyrës së kryetares”, thuhet në përgjigjen e PDK-së.  Para emërimit në këtë pozitë, Çitaku kishte shërbyer si sekretare e përgjithshme e partisë. Dorëheqjen e tij, Bedri Hamza e bëri publike më 21 tetor, pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, duke theksuar se ka ardhur koha për një fazë të re në udhëheqjen e partisë. “Çdo kryetar duhet ta dijë kur është kohë për të hapur rrugë për një fazë të re”, deklaroi Hamza. Ai theksoi se gjatë mandatit të tij ishte përballur me procese zgjedhore dhe sfida të njëpasnjëshme, ndërsa shprehu bindjen se PDK-ja do të dalë më e fortë nga procesi i ardhshëm i zgjedhjeve të brendshme. Hamza e kishte marrë drejtimin e PDK-së pas largimit të Memli Krasniqit nga kjo pozitë. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 dhe të 9 qershorit 2026, Hamza ishte kandidat i PDK-së për kryeministër, ndërsa partia u rendit e dyta në të dyja proceset zgjedhore. Tashmë, me Vlora Çitakun në krye si ushtruese e detyrës, PDK-ja pritet të zhvillojë procesin e brendshëm zgjedhor për përcaktimin e udhëheqjes së saj të ardhshme.

Kontrolloni gjithashtu

Remzie Zeqiraj, mori pjesë në Konferencën e 18-të Ndërkombëtare të Ombudspersonëve për Forcat e Armatosura

Komisioneri Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës: KOMISIONERJA PARLAMENTARE PËR FSK-në MORI PJESË NË …