Komisioni për Arsim dhe Shkencë ka diskutuar sfidat dhe prioritetet e arsimit parauniversitar në Kosovë, me fokus në cilësinë e mësimdhënies, rezultatet e nxënësve, tekstet shkollore dhe përshtatjen e arsimit me kërkesat e tregut të punës. Kryetari i Komisionit, Enver Hoxhaj, ka kritikuar mungesën e një debati të mirëfilltë për strategjinë e Ministrisë së Arsimit, duke vënë në pah problemet që pasqyrohen edhe në rezultatet e testeve ndërkombëtare PISA. Ai ka theksuar se cilësia e arsimit varet në masë të madhe nga përgatitja profesionale, puna dhe kushtet e mësimdhënësve, si dhe nga cilësia e procesit mësimor në shkolla. Ndërkaq, zëvendësministri i Arsimit, Përparim Kryeziu, ka prezantuar prioritetet e strategjisë së re të arsimit, duke bërë të ditur se edukimi në fëmijërinë e hershme do të jetë njëra nga katër shtyllat kryesore të saj. Sipas tij, zgjerimi i rrjetit të çerdheve publike dhe krijimi i mundësive të tjera për edukimin e hershëm synojnë përmirësimin e zhvillimit socio-emocional të fëmijëve dhe rritjen e cilësisë së arsimit në nivelet e mëvonshme.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
