Arben I. Kastrati: Tashmë nuk kemi nevojë për ndihmën e Serbisë për t’u ndarë ne dy kombe, ndahemi vetë!

Arben I. Kastrati: Tashmë nuk kemi nevojë për ndihmën e Serbisë për t’u ndarë ne dy kombe, ndahemi vetë!

…Unë jam shqiptar. Gjuha ime është gjuha shqipe. Atdheu im quhet Shqipëri. Jetoj në pjesën veriore të Shqipërisë, që quhet Kosovë. Në jetën time, në vazhdimësi kam pasur mungesë të identitetit kombëtar. Përsëri kam mungesë identiteti. Vazhdimisht kam kërkuar të quhem shqiptar e jam quajtur ndryshe. Unë vazhdoj të jem shqiptar, dhe si i tillë kam vetëm një atdhe – Shqipërinë. Kërkoj ndjesë nga realiteti, por, nuk pranoj të më quajnë ndryshe, përpos shqiptar. Askush nuk mund të më detyrojë të ndërroj identitet, të quhem ndryshe, të ndihem ndryshe e as të flas ndryshe. As të pranoj atdhe ndryshe. Atdheu im quhet Shqipëri, unë flas shqip e quhem shqiptar dhe kjo është adresa ime e përjetshme…

Në lajmet qendrore të njëherënjëkohshme të Radio Televizionit të Serbisë (RTS), krye lajmi filloi tekstualisht kështu: “Albanci su presli granicu i plackaju Siptare…”. (Shqiptarët në Shqipëri quheshin Albanci, ndërsa shqiptarët në Kosovë quheshin Siptari, që ishte term fyes). Që në përkthim do të thotë: “Shqiptarët nga Shqipëria kishin kaluar kufirin (ilegalisht) dhe po plaçkisnin Siptarët nga Kosova”.Politika e Beogradit nuk reshtte së na sjelluri prurje me pjellshmëri nga më imagjinativet. Në ato prurje zinte vend ndasia shqiptare në dy kombe: në “Albanci” dhe “Siptari”. Tentativa serbe ishte aq tragjike sa që u shndërrua në qesharake. Kaq vite pas, tentativa e dikurshme tragjike serbe që u shndërrua në tentativë qesharake, po shndërrohet nga tentativë qesharake në tragjike, nga kërkesat vetshqiptare. Tani më, ne nuk kemi nevojë për ndihmën e Serbisë për t’u ndarë ne dy kombe. Ndahemi vetë.

Madje shkojmë përtej. Ndahemi në “ata” dhe “ne”. “Ata” flasin gjuhë tjetër ndërsa “ne” “folum” gjuhë tjeter. “Ata” “folin me gramatikë” e “na” folum, folum…pa gramatik bre vlla”. “Ata” janë komb tjeter ndërsa “na” “jena” komb ndryshe. “Ata” jane shqiptar“ e “na” jena kosovar”. Ata” jon “s’di qysh me thonë” e “na” “jena ndryshe”…

***

Bashkimi ynë kombëtar, kulturor në radhë të parë, është bashkim estradesk dhe për t’u qarë me vajtojca. Prezantimi ndër shqiptar është bërë përmes mohuesve të çështjes shqiptare dhe ca analistëve dhe opinionistëve të padenjë për respekt. Mediumet rritën ndasitë, që të rrisnin shitjet; trajtonin tema të shpifura, të paqena duke vendosur të debatonin të padenjët për respekt. Në të tashmen kohë, degradimi ka arritur pikën me tragjike dhe neverike. Tabu temat kombëtare, vazhdojnë të trajtohen nga “opionistë të gjithëditur”, “opinionistë të turmave”, protagonistë të kotësisë, figurantë të dijes. Ne ende nuk njihemi ndër vete. Ne nuk njohim vlerat e vërteta të njëri tjetrit. Sikur hezitojmë të njihemi. “Sikur” jemi komod në vendet që kemi zënë në provincat tona.

P.S. Një herë të vetme u bashkuam, në futboll, dhe shkuam në Europë…

***

Në Kosovën e sotme, janë krijuar rregulla të reja jetese, respekti, hierarkije. Të respektuarit kombëtarë janë të kamurit (qofshin dhe analfabetë). Nuk ka të tjerë pas tyre. Ka vetëm të kamur dhe të respektuar. Është (pothuajse) e pamundur të bëhesh seriozisht i pasur, po qe se nuk hyn në marrëveshje me politikanët…

Në Kosovë kanë mbetur vetëm dy alternativa, të hysh në politikë ose të largohesh nga vendi. Alternativë të tretë nuk ka. Dhe rruga më e shkurtër për t’u bër i respektuar, është të bëhesh i kamur. Të kamur të bën vetëm politika.

***

Kosova është një dashuri imja që s’më sjellë asgjë përpos shqetësimeve. Kosova ka hyrë në shekullin e dytë të robërisë. Këtë shekull e karakterizon pushtimi nga vetvetja (Thaçi and Co). Shqipërinë mund ta duash edhe pa qenë komunist, – ka thënë Musine Kokalari. Kosovën mund ta duash edhe pa qenë idhtar i Thaçit

Kryetari i Kosovës, me deklaratat e tij groteske, duajeni serbin, turkun, romin, malaziasin , maqedonin, më shumë se shqiptarin, më shumë më ngjanë në kryetarin e BENETTON-it sesa kryetarin e nje shteti të brishtë.

Kryetari i Kosovës, u shndërrua nga nacionalist në kozmopolit për 2.3 sec. Tani më, do fillojë të na dëftoj (dhe po na dëfton) se nuk ka qenë fare në UÇK. Duhet të ketë qenë ndonjë Hashim tjetër. Duhet të jetë identitet i gabuar. Viziton varret e serbëve të rënë për konsum ndërkombëtar. Dërgon kërkesa në Prokurori. Përmes vartësve të tij, shan shqiptarët dhe Shqipërinë, ndërkohë që atje pritet si Zot, vetem sepse është shqiptar. Lartësia e dijes së tij, e detyron të bëjë veprime të turpshme dhe të pakuptimta. Pakuptimësia e veprimeve të tij vjen si pasojë e frikës nga Gjykata Speciale, që po përpilon listën…

Tani më, që ka arritur majat e pushtetit dhe mirëqenia e tij dhe e famijës së tij ka kapërcyer të tëra limitet e imagjinatës, arrestimi do ta kthente në figurën më tragjike. Që të mos humbas pushtetin, mirëqenien dhe famën, ai është në gjendje t’a ndajë popullin shqiptar jo në dysh por në tresh. Është i bindur që ndarja e kombit e bën kozmopolit, ndërsa kozmopilitizmi apriori ia mohon “nominimin” nga Gjykata Speciale.

Qëndrim i gabuar i një kryetari të gabuar me gjykim të gabuar…

Hashim Thaci, është dëftuesi më i mirë se si një njeri mund të shndërrohet nga një njeri me ideal për kombin dhe vendin, në shkaterrues të përmasave të frikshme për vendin. Hashim Thaci është dëftuesi më i mirë se si nga një njeri i adhuruar u shndërrua në një njeri të urryer ndër shqiptarë. Smira në paqe, e dëmtoi dhe e shkatërroi.

Ai nuk është i vetëm. Ka dhe të tjerë të shumtë. Interesi i kombit është më i vogël se interesi i individit nga politikbërësit e Kosovës. Jemi dëshmitar të maskarellëqeve të mëdha. Të tërë qeveritaret tani më janë të rehabilituar. Ata tani kërkojnë të tjetërsojnë të shkuarën që të jetojnë të ardhmen.

***

Kosova përditë e më shumë po shndërrohet në parajsë për OJQ-të, opinionistet jo-serioz dhe të ashtuquajturën Shoqeri Civile (me termin e se cilës abuzohet shumë). Të tërë janë aty (ku janë), për të ushqyer egot e tyre, që të pasurohen dhe të trajtohen. Të lakohen emrat e tyre në debatet e shpifura nëpër rrjetet sociale. Shoqëri për konsum spektaklesh (faza e parë e kapitalizmit). Dhe nuk kanë fare vetëdije për peshen që bart trajtimi i cështjeve madhore kombëtare. Ta shpif lehtësia e papërballueshme e trajtimit të cështjeve madhore kombëtare nga “opinionistët” e tejshumtë. Sa më e madhe cështja trajtuese, aq më i madh bëhet debati. Dhe egot e tyre ushqehen. Kontot mbushen. Ceshtja kombëtare kalon për debatim në nivele të turmës. Dhe humbet cdo kuptim.

***

Ne jemi deshmitarë të poshtrimit të përditshëm që na bëhet në mënyrë sistematike. U desh shumë dashuri për ta urryer Kosovën kaq shumë. Dhe janë pikërisht kjo kastë politikanësh shkaktarët e ketij konvertimi. Pas-pavarësia, ishte hyrje në injorancë. Në Kosovën e pavarur, ëdo ditë frymëzohemi për t’u shfrymëzuar. Në këtë vend ku mbretëron depresion kolektiv dhe jetohet brenda paqartësive të mëdha, popullata e të cilit është shndërruar në TV shikues profesionist me orarë të plotë, disa individ që quajnë veten Kosovarë dhe assesi Shqiptarë, të konvertuar në “kosmopolitan”, i janë yshtur Kryeministrit të Shqipërisë, duke e kritikuar për marrjen në mbrojtje të Kosovës në Serbi. Këta individ kanë flirtimet e tyre, kanë interest e tyre dhe nuk më bëjnë fare përshtypje. Më bëri përshtypje, intervista e Ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxha, që assesi nuk mund ti drejtohem me: Zotëri.

Këta “kosmopolit” (shqiptar dhe kosmoplit?!!!) kërkojnë me ngulm të krijojnë një përshtypje të gënjeshtërt për Shqipërinë, duke e ofenduar sa më shumë dhe në mënyrë sa më të pistë. Dhe po qe se shajnë Shipërinë dhe shqiptarët, këta kosovarë janë “Trendy”, janë “Inn”. Janë qytetarë të denjë për të jetuar në Prishtinë të Kosovës. Dhe në këtë debat nuk lë pa u yshtur edhe Ministri Hoxhaj.

Ç’marri. Ç’idiotizëm. Ç’papërkufizim…

Legjitimiteti i deklaratës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës është i frikshëm. Ajo deklaratë e Ministrit ka legjitimitetin e Kryetarit, sepse një i tillë si Ministri, nuk ka guximin të flas mendim të tijin, edhe nëse ka mendim. (Ata që kanë mendim të tyrin nuk gjinden as në Qeveri dhe as në Presidencë). Ndërsa Ministri u thurr lavde të tërë politikanëve botërorë sa herë që shqiptojnë fjalën Kosovë, në mënyrën më të pështirë sulmon Kryeministrin Shqiptar, pse ka marrë Kosovën nën mbrojtje. Deklaratë acidike. Acid krahinor. Tamam filozofi e pjellë në shtëpi. Është Ministri Hoxhaj dhe soji i tij që e mbajnë të gjallë dhe e bëjnë të vlefshme ende thënien: “Armiku më i madh i shqiptarit është vet shqiptari”. Ministri i Punëve të Jashtme bën politike të brendshme, duke na moralizuar e duke na dëftuar  mendime ” fisnore” mbi suksesin që do të na sillte zhbërja nga identiteti tradicional e kombëtar. Zhbërjen kombëtare e ka shndërruar në detyrë shtëpie. E gjithë kjo qasje e gabuar. I gjithë ky servilizëm tek ndërkombëtarë. Ministri mbron marrinë me devotshmëri. Mentaliteti yt është i frikshëm Ministër. Paskemi qenë të nëmur të udhëhiqemi nga të tillë lider. C’paskemi keqtrajtuar… Dështimi yt i përhershëm dhe i sukseshëm nuk të pengon as kur nuk arrinë të bindësh asnjë shtet që ta njoh Kosovën e pavarur, por të pengon marrja nën mbrojtje e Kosovës në Serbi nga Kryeministri Shqiptar. Ytzot Hashimi dhe ti, jeni Ministrat e Punëve të Jashtme më të denjë për jorespekt. Fabulista fshati e Ministra te Punëve të Jashtme. Absurdi në Kosovë gjenë shtrirje të gjërë.

***

Kosova ka përparuar aq shumë nga puna juaj, sa që e keni bërë vend të mundësive të pafundme. Nuk është më Amerika vend i mundësive. Është Kosova vend i mundësive të mëdha. Është Kosova vendi ku ky soj (Enver Hoshaj me bashkëmendimtar), mund të bëhen ministra (të cdo qeverie), por mbi të gjitha mund të bëhen profesor universitar, pavarësisht nivelit. Mediokritet kanë gjetur parajsën në Kosovë. Ikja nga Kosova është alternativa e vetme për njerëzit e ditur. Sepse ata, janë të rrezikuarit e përhershëm. Qytetarë të Kosovës, ikja nga Kosova është gabim. Vetëm në Kosovë mund të beheni ministër, profesor, diplomat, i kamur, në cdo kohë, përderisa e plotësoni kushtin e vetëm; t’i përkisni partiëe politike në pushtet dhe të dëshmoni fanatizëm dhe lojalitet… Qytetarë të Kosovës, vetëm në Kosovë mund ta ndërroni identitetin tuaj. Jashtë, sërish do t’ju quajnë shqiptar.

Konvertimi nga shqiptar në kosmopolit nuk ju bënë më qytetarë. Përkundrazi. Ju shton dozën e primitivizmit.Më vjen shumë keq për Ju që keni problem me qenësinë tuaj. Një ditë fondet do të shterren dhe ju do të konvertoheni sërish në shqiptar. Deri atëherë, shijojini fondet. Jeta është e shkurtër. Turpi është i përjetshëm. Për fund, po e mbyll me një epilog nga një shkrim imi i kahmotshëm i titulluar “Shqiptar, adresa ime e përjetshme”.

…Unë jam shqiptar. Gjuha ime është gjuha shqipe. Atdheu im quhet Shqipëri. Jetoj në pjesën veriore të Shqipërisë, që quhet Kosovë. Në jetën time, në vazhdimësi kam pasur mungesë të identitetit kombëtar. Përsëri kam mungesë identiteti. Vazhdimisht kam kërkuar të quhem shqiptar e jam quajtur ndryshe. Unë vazhdoj të jem shqiptar, dhe si i tillë kam vetëm një atdhe – Shqipërinë. Kërkoj ndjesë nga realiteti, por, nuk pranoj të më quajnë ndryshe, përpos shqiptar. Askush nuk mund të më detyrojë të ndërroj identitet, të quhem ndryshe, të ndihem ndryshe e as të flas ndryshe. As të pranoj atdhe ndryshe. Atdheu im quhet Shqipëri, unë flas shqip e quhem shqiptar dhe kjo është adresa ime e përjetshme.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …