Ramosaj

Fetnete Ramosaj: Drejtësia franceze të mos bie pre e presioneve dhe lajthitjeve të Serbisë në rastin Haradinaj

Nesër Gjykata e Apelit në qytetin Colmar të Francës lindore, pritet të vendosë lidhur me kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.

Që nga 4 janari kur u ndalua nga autoritetet franceze në Aeroportin ndërkombëtar të Basel-Mulhouse (në pjesën franceze të këtij aeroporti), në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, përkatësisht nga Unioni Serbi-Mali i Zi në vitin 2004, union që si i tillë nuk ekziston më që nga viti 2007, Serbia ka vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e saj institucionalë dhe ata ndërkombëtarë ku mund të ushtrojë ndikim, për ta përndjekur Ramush Haradinajn dhe për të ndikuar politikisht në rastin e tij.

Zbatimi dhe marrja si të mirëqena i urdhërarresteve të këtilla, të motivuara politikisht, të lëshuara nga aparati shtetëror i kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, të ricikluara dhe të aktivizuara nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Millosheviqit, të cilët sot e udhëheqin Serbinë, me qëllim të përndjekjes ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, si dhe ndaj ish-luftëtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është padrejtësi dhe tallje me drejtësinë ndërkombëtare, aq më tepër është mosnjohje dhe mosrespektim i vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, pjesë e vendimmarrjes së të cilave ishte edhe vet Franca, sikurse që më 1999 ishte pjesë e luftës së përbashkët të botës demokratike – Aleancës Veri Atlantike të NATO-s kundër regjimit kriminal të Serbisë së Millosheviqit për të ndërprerë gjenocidin që po e kryente Serbia ndaj popullit të Kosovës.

Siç dihet, Ramush Haradinaj, në të dy nivelet e gjykimit në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës (që është mekanizmi më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare i themeluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për ish-Jugosllavinë) është shpallur i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për periudhën e luftës në Kosovë, ndonëse për t’u përgjigjur në ato akuza të fabrikuara të Serbisë, e të trajtuara në Tribunalin e Hagës, u desh që për më shumë se tetë vjet (mars 2005-nëntor 2012) të përballet me drejtësinë ndërkombëtare. Duhet përmendur se në mars të vitit 2005, sapo ishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës, Ramushi kishte dhënë dorëheqjen nga pozita e Kryeministrit të Kosovës dhe ishte vetdorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Natyrisht se gjatë dy proceseve gjyqësore në Tribunalin e Hagës, mbrojtja e Haradinajt nuk pati nevojë të thërriste asnjë dëshmitar të mbrojtjes për ta dëshmuar pafajësinë e tij.

Po çfarë po ndodh sot? Me gjithë fabrikimet dhe vënien në përdorim të dëshmitarëve të montuar e të përpunuar nga Beogradi, në shumicën e rasteve nën forcën e dhunës e të kërcënimeve, por edhe të joshjeve dhe të pagesave të larta në këmbim të dëshmive akuzuese, në Tribunalin e Hagës, maskat u çjerrën. Një armatë e tërë ushtarakësh, policësh, mjekoligjorësh, agjentësh të shërbimeve civile e ushtarake serbe, të gjithë të implikuar në krime të luftës kundër popullsisë shqiptare gjatë luftës në Kosovë, ishte vënë në sulm kundër Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, por përpjekjet për fabrikime dëshmish dhe montime akuzash u shkuan kot.

Mjafton të përmendim rastin e agjentëve të Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë (BIA) Igor Juçinac (Igor Jučinac), Millutin Radanoviq (Milutin Radanović) e Predrag Zhelkoviq (Predrag Željković), të cilët në qershor të vitit 2009, ishin kapur në vepër nga Policia e Kosovës në Çagllavicë derisa ishin në aksion për mbledhjen e dëshmive të rrejshme për të materializuar shpifjet dhe fabrikimet e Beogradit zyrtar “për trafikim organesh të serbëve”. Siç u dokumentua edhe përmes deklaratave dhe videoxhirimeve të transmetuara publikisht, këta pjesëtarë të BIA-s kishin nxitur familjarë të serbëve të zhdukur, por edhe qytetarë shqiptarë, për të dhënë dëshmi të rrejshme me qëllim të trillimit të aferës për gjoja trafikimin (transplantimin) e organeve njerëzore gjatë luftës nga UÇK-ja, duke u ofruar të paktën shumat prej 100 mijë deri në 300 mijë euro vetëm për një deklaratë të tillë. Aso kohe, agjentët e shërbimit sekret serb BIA, deklaruan para organeve të hetuesisë se shumat e premtuara për dëshmitarët e tillë (të rrejshëm) i paguante shteti.

Për ata që i njohin sadopak rrethanat e luftës në Kosovë, e dinë se kush është viktima e kush xhelati, ndonëse Serbia dhe aleatët e saj kanë investuar aq shumë nëpërmjet propagandës që shqiptarët t’i paraqesin si viktimizues. Kur i shohim reagimet që vijnë nga Serbia, dhe atë nga aparati shtetëror të cilin e përbëjnë bashkëpunëtorët më të ngushtë të Millosheviqit, detyrimisht të shkon mendja të mendosh se ç’kohë është?! Serbia, në vend se të kërkojë falje dhe të përgjigjet penalisht për të bëmat kriminale e gjenocidin e shkaktuar gjatë luftërave në Kosovë, Bosnjë e Kroaci, gjatë të cilave i kreu krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit deri në shkallë gjenocidi, të papara në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, ajo sikur të mos kishte ndodhur asgjë, pa u distancuar fare nga e kaluara kriminale, po tenton t’i imponohet Europës për t’u rehabilituar në pozitën e kryexhandarit të Ballkanit, duke i akuzuar të tjerët për ta shfajësuar veten. Po ajo klasë politike që kreu gjenocid gjatë një dekade të fundshekullit XX ndaj shqiptarëve, kroatëve, boshnjakëve e të tjerëve, sot e udhëheqë Serbinë. Pozitat më të larta në shtet i mbajnë persona të tillë që vetëm pak po të funksiononte drejtësia, do të duhej të ishin në burg e jo në poste publike udhëheqëse.

Shtrohet pyetja: Cilët janë ata që po vazhdojnë ta akuzojnë dhe përndjekin Ramush Haradinajn? Cilët janë ata që po bëjnë presion politik mbi mekanizmat e drejtësisë në Francë, duke bërë rolin e viktimës?!

Ivica Daçiq (Ivica Dačić), tash Ministër i Jashtëm i Serbisë, apo “Slloba i Vogël”, siç kishte preferuar ta thërrisnin derisa ishte përkrah kryekriminelit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq (Slobodan Milošević), në të gjitha ndërmarrjet gjenocidale kundër popujve joserbë, në cilësinë e zëdhënësit të partisë SPS të Millosheviqit, shpesh herë nuk dihet a është ministër i Serbisë apo ambasador i Rusisë. Riardhjen e tij në pushtet që nga viti 2012, Daçiq ia dedikon gjuhës së ashpër, arrestimeve dhe keqtrajtimeve ndaj shqiptarëve. (Mjafton të kujtojmë arrestimin dhe poshtërimin e policëve të Kosovës në kufirin me Serbinë në kohë zgjedhjesh). Daçiq në cilësinë e Ministrit të Jashtëm të Serbisë, pas arrestimit të Haradinajt, kishte deklaruar se “rasti i ish-komandantit të UÇK-së Ramush Haradinaj është test për Europën se a është legale vrasja e serbëve”, duke e akuzuar edhe për vrasjen e dëshmitarëve! Të ndalemi këtu. Daçiq është një nga personat kompetentë që mund dhe duhet të japë përgjigje në akuzat e parashtruara. Ndër të tjera duhet të sqarojë veprimtarinë e të ashtuquajturës Drejtoria e Gjashtë (Šesto odeljenje Centra DB-Beograd) e njohur si “Drejtoria për Vrasje” (Odeljenje DB za ubistva), e formuar zyrtarisht por në mënyrë të jashtëligjshme në vitin 1999 në kuadër të Qendrës së Sigurimit Shtetëror serb në Beograd, e cila ka operuar edhe në Kosovë gjatë kohës së luftës dhe të pasluftës. Nën përkujdesjen e kësaj “drejtorie” rezulton të jenë kryer krime të shumta monstruoze dhe ekzekutime enigmatike në Serbi dhe jashtë saj. Ndonëse “Drejtoria e Gjashtë”, për shkaqe konspirative përbëhej vetëm nga pesëmbëdhjetë persona, siç është bërë publike, kishte fuqi të jashtëzakonshme dhe të drejtë që të angazhonte në operacionet e saj çdo pjesëtar aktiv të Shërbimit Shtetëror serb, e në veçanti pjesëtarët e Njësisë për Operacione Speciale (JSO).  Sipas kryeshefit të kësaj “Drejtorie” Ratko Romiq (tashmë i dënuar me 40 vjet burgim për vrasje politike të kryera në Serbi), kjo drejtori sekrete ishte formuar “për kryerjen e shërbimeve të fshehta dhe aktiviteteve operative jashtë vendit”. Krahas likuidimeve misterioze, ekipet e kësaj drejtorie njëkohësisht mësohet se janë marrë me zhdukjen e dëshmive dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës në gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, pra edhe në Kosovë. Pra, është një mekanizëm që me “dekret” të shtetit serb është marrë me zhdukjen e dëshmive dhe të dëshmitarëve. Është e ditur publike se dy pjesëtarëve të këtij njësiti sekret për likuidime, iu dhanë pozita të larta në Qeverinë Daçiq.

Kur jemi këtu, duhet theksuar se është mirë që Daçiqi ta sqarojë rastin e paradokohshëm të një dëshmitari pjesëmarrës në krime kundër shqiptarëve, likuidimi i të cilit ka kaluar fare në heshtje në Serbi. Daçiq është mirë të tregojë se çfarë ka ndodhur me dëshmitarin Radoslav Ognjenović (58 vjeç), i cili u gjet i vdekur më 4 janar 2017, në rrethana të pasqaruara në periferi të Beogradit, pasi që paraprakisht dy ditë më herët ishte zhdukur gjatë orarit të punës. Ognjenović ishte shoferi i kamionit me të cilin i transportoi për në Serbi trupat e 86 civilëve shqiptarë (në mesin e tyre edhe 49 anëtarë të Familjes Berisha nga Suhareka). Tashmë dihet se ky kamion u gjet në lumin Danub në Serbi, më 6 prill 1999. Kamioni ishte pa targa, kishte vetëm një logo që tregonte se i përkiste thertores “PIK Progress Export” nga Prizreni. Siç është dokumentuar, më 7 prill 1999, 53 trupa si dhe tri koka të prera nga trupat e tyre u dërguan me një kamion në qendrën stërvitore të policisë serbe në Batajnicë, ku i hodhën nëpër gropa dhe i dogjën, ndërkaq të tjerët përfunduan në varrezën masive në Petrovo Sello. Ky dëshmitar u likuidua vetëm disa javë para publikimit të raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) me seli në Beograd “Fshehja e dëshmive të krimeve gjatë luftës në Kosovë, Operacioni i fshehjes së trupave” (i publikuar më 1 shkurt 2017), sipas të cilit, zyrtarët më të lartë të qeverisë së Serbisë, më saktë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe departamentet e ushtrisë së ish-Jugosllavisë, përkatësisht të Serbisë, kanë qenë të përfshira drejtpërdrejt në fshehjen e krimeve të kryera ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë. Mbetjet mortore të qindra prej tyre u gjetën në varrezat sekrete masive në Serbi (Batajnicë, Petrovo Sello, Peruçac, Rudnicë etj.).

Zoran Stankoviqi (Zoran Stanković), gjithashtu njeri i afërt i Sllobodan Millosheviqit, i cili për një kohë të gjatë ka qenë në krye të VMA-së (Akademisë Mjekësore Ushtarake) në Beograd, i shpërblyer me poste të larta ministrore (ministër i shëndetësisë, ministër i mbrojtjes), në cilësinë e “patologut” ka shprehur gatishmërinë që të dëshmojë pranë autoriteteve franceze kundër Ramush Haradinajt! Falsifikimeve dhe fabrikimeve të Stankoviqit dhe të tjerëve si ai, të bëra në emër të “profesionalizmit”, ka kohë që u ka dalë boja! Janë zhvlerësuar shkencërisht edhe në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. Por në vend të gatishmërisë për të dëshmuar kundër Ramush Haradinajt, është mirë që Stankoviqi të dëshmojë e të japë llogari për mbi 5 mijë obduksione të dyshimta mjeko-ligjore të kryera në VMA dhe të zbardhë dyshimet e bazuara për eksperimentimet që janë bërë gjatë luftës (1998-1999) me shqiptarët në vend të minjve në bodrumet nëntokësore të VMA-së dhe të Institutit për Siguri të ish-RSFJ-së në Beograd. Nuk është e rastit pse Stankoviqi sot gjendet në pozitë për “përkujdesjen” ndaj shqiptarëve në krye të Trupit Koordinues të qeverisë së Serbisë për komunat Bujanoc, Preshevë e Medvegjë!

Edhe Lubisha Dikoviqi (Ljubiša Diković), Shefi aktual i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, i akuzuar publikisht nga Fondi për të Drejtën Humanitare për vrasjen e të paktën 1400 civilëve shqiptarë në pranverën e vitit 1999 gjatë luftës në Kosovë, veçanërisht në rajonin e Drenicës ku ka operuar në krye të Brigadës 37 të Motorizuar të UJ-së me seli në Rashkë, duke i mohuar akuzat për këto krime ka thënë se nuk ka ardhur në Kosovë për të vrarë, por se atij i takuakan meritat se paska mbrojtur 15 mijë civilë shqiptarë! (Çuditërisht të njëjtën përgjigje e kanë dhënë edhe kriminelë të tjerë serbë nga Beogradi kur janë pyetur për arsyen e dërgimit të njësive speciale nga Beogradi në Bosnjë! Sipas kësaj logjike del se  edhe në Srebrenicë njësitet e Serbisë paskan shkuar për të mbrojtur popullin e atjeshëm! E kanë mbrojtur duke vrarë mbi 8000 civilë). Komandanti i Brigadës 37 të Rashkës, Lubisha Dikoviq, gjatë luftës në Kosovë ka pasur nën komandën e tij 4500 veta. Është e vërtetë se në rajonin e Drenicës, në të cilin ka operuar, Dikoviq ka përdorur një taktikë paksa më të ndryshme ushtarake në krahasim me njësitet tjera të ushtrisë serbo-jugosllave. Dikoviq, nuk i ka rrethuar fshatrat e Drenicës në formë “patkoi” (siç planifikohej në planin e famshëm sekret serb për spastrimin etnik të Kosovës dhe siç u veprua praktikisht në fushëbeteja), por ato i ka vënë në rrethim të plotë, pa ua lënë asnjë shtegdalje. Ndaj popullsisë civile të këtij rajoni, të cilën Dikoviqi thotë se e ka mbrojtur (!), forcat ushtarake-policore dhe paramilitare serbe i aplikuan format më të tmerrshme të gjenocidit. Mbase Dikoviqi mund ta konsiderojë “mbrojtje” okupimin e Drenicës, pasi që në ndërmarrjet antinjerëzore e antishqiptare edhe gjatë luftës në Kosovë kisha dhe shteti serb krimin ndaj joserbëve e kanë konsideruar si “ndëshkim që vjen nga Zoti”!

Mjafton që secili të shohë raportet sekrete të Dikoviqit të bëra gjatë kohës së luftës, apo edhe sot të shkojë në Drenicë: në Qirez, Rezallë, Likoshan, Vërbovc, Izbicë, Çikatovë të Vjetër, Gllanasellë, Drenas, Poklek, etj., për të parë nga afër “humanizmin” e Dikoviqit, e pse jo të shohin edhe varrezën sekrete masive në Rudnicë të Rashkës, e zbuluar pikërisht në rajonin e përgjegjësisë së Dikoviqit. Dy vite më parë në Rudnicë u gjetën mbetjet mortore të 53 civilëve shqiptarë nga rajoni i Drenicës, ku kishte vepruar Dikoviqi. Ende nuk janë kryer të gjitha gërmimet në këtë lokalitet, ku dyshohet se ka edhe shumë trupa të tjerë (shifrën se në këtë varrezë masive gjenden trupat e 250 deri në 400 civilëve shqiptarë, e ka deklaruar vet prokuroria për krime lufte e Serbisë).

Velko Odalloviq (Veljko Odalović), tash sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, duke e ditur se është i pamundur ekstradimi i Haradinajt në Serbi, insiston që megjithatë autoritetet franceze Haradinajn ta dërgojnë në Gjykatën Speciale! Velko Odaloviq, para të gjithëve personalisht duhet të përgjigjet për krimet e shumta të kryera ndaj shqiptarëve, por edhe ndaj serbëve e të tjerëve para dhe gjatë luftës në Kosovë. Anëtari i SPS-it dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Sllobodan Millosheviqit, Velko Odaloviq, gjatë luftës në Kosovë ka qenë kryetar i të ashtuquajturit Qarku i Kosovës, i emëruar prej qeverisë së Serbisë. Qarku të cilin e ka kryesuar Odaloviq ka përfshirë dhjetë komuna: komunën e Podujevës, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Drenasit, Shtimes, Shtërpcës, Ferizajt, Kaçanikut dhe të Lipjanit, prandaj si përgjegjësi kryesor i pushtetit serb në këtë qark ishte urdhërdhënësi kryesor për krimet e kryera në komunat e lartpërmendura. Për këtë ka dëshm, dëshmitarë dhe prova të pakontestueshme. Në të njëjtën linjë janë vënë edhe zyrtarë të tjerë serbë. Është interesant se të gjithë ata rezultojnë të jenë të përfshirë në krime lufte në Kosovë. Sa u përket Nikoliqit e Vuçiqit është kuptimplotë dhe e ditur publike deklarimi i Sheshelit, i bërë një vit më parë, kur deklaroi se në të gjitha që ai i ka bërë, i ka pasur bashkëpunëtorë Aleksandër Vuçiqin e Tomislav Nikoliqin. “Maja Gojkoviq, Tomislav Nikoliq dhe Aleksandar Vuçiq kanë marrë pjesë në të gjitha që unë kam qenë i përfshirë. Ata ishin bashkëpunëtorët e mi”, u deklaroi Shesheli medieve të Beogradit më 28 mars 2016.

Nuk është mirë që edhe tetëmbëdhjetë vjet pas humbjes së luftës në Kosovë, Serbia të vazhdojë ta mbajë peng dhe ta terrorizojë rajonin duke mos e pranuar të vërtetën, duke mos i pranuar përgjegjësitë e krimeve të luftës dhe të gjenocidit ndaj shqiptarëve e të tjerëve në dekadën e fundit të shekullit XX. Deri më tani Serbia jo vetëm që asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin e bërë ndaj popullit shqiptar, por asnjëherë nuk e ka bërë publike të vërtetën për luftën e Kosovës as para popullit të vet. Nuk i ka bërë publike humbjet reale që i pësoi si agresor në Kosovë, nuk e ka dhënë numrin e saktë të dëmeve në njerëz që ka pësuar gjatë luftimeve. Janë bërë bajat fabrikimet, falsifikimet, montimet e gënjeshtrat me të cilat po shërbehet.

Serbia duhet ta dijë se barrën e krimeve e të gjenocidit të kryer si shtet gjatë luftës në Kosovë nuk mund t’ia bartë Ramushi, nuk mund t’ia bartë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk mund t’ia bartin shqiptarët as të tjerët. Është barrë e rëndë e krimeve mizore që nuk ia merr përsipër askush. Përndryshe, serbizmi si ideologji raciste që po vazhdon ta kultivojë dhe ta aplikojë Serbia, po del t’ua kalojë të gjitha ideologjive raciste, të shfaqura në Europë gjatë shekullit XX.

Me rastin Haradinaj drejtësia franceze po e humbë prestigjin që e gëzon në botë si shtet i të drejtës dhe i demokracisë, prandaj nuk guxon të bie pre e lajthitjeve dhe e presioneve të Serbisë. Nesër duhet ta lirojë pa kusht Ramush Haradinajn dhe t’i kërkojë falje për ndalimin e padrejtë! Shqiptarët dhe bota demokratike dhe liridashëse nesër presin drejtësi!

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …