Ramush Haradinaj Prekaz

Frank Shkreli: Ramush Haradinaj, hero në luftë, hero në paqe

Pas lirimit të tij nga një gjykatë franceze ku mbahej nën akuza të trilluara nga bashkëpunoëtorët e ngushtë të kriminelit Sllobodan Millosheviç që sot udhëheqin Serbinë, Ramush Haradinaj, ka falënderuar qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët anë e mbanë globit për mbështetjen që i dhanë gjatë qëndrimit të tij në Francë.    Gjatë përballjes së tij me akuzat fals të Serbisë për krime lufte, Z. Haradinaj ka gëzuar gjithmonë, sidomos në rastet më të vështira të jetës së tij, mbështetjen e pjesës dërmuese të shqiptarëve, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Më kujtohet se ishte viti 2005 dhe unë ndodhesha në Prishtinë me një delegacion, në kapacitetin tim si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.  Ipeshkvi i atëhershëm katolik i Kosovës, i ndjeri Mark Sopi kishte kërkuar një takim me mua, vetëm e vetëm, për të biseduar për rastin Haradinaj dhe për të shkëmbyer ide se ç’ishte e mundur për të ndihmuar Ramush Haradinajn në atë kohë, si komunitet shqiptaro-amerikan por edhe për të ushtruar influencën tonë në qarqet e politikës amerikane, në mbështetje të tij.  Përkrahja për të dhe për familjen e tij ishte e fortë atëherë dhe është edhe sot në radhët e shumicës së shqiptarëve kudo. I vetëdijshëm për këtë mbështetje, Z. Haradinaj është shprehur se lirimi i tij kohët e fundit nga gjykata franceze, nuk ishte vetëm një fitore për të, por siç e ka cilësuar ai, ajo ishte edhe një fitore e të “drejtës shqiptare”, duke thënë se “shqiptarët sot kanë fituar” gjithashtu, ndërkohë që falënderoi të gjithë shqiptarët kudo për përkrahjen e dhënë, duke deklaruar se, “Kurrë nuk është boll të punosh për vendin tënd”.

 Ramush Haradinaj luftoi për Atdhe, familja e tij flijoi për Atdhe dhe tani ai ka vendosur që të mos pushojë së punuari për Atdhe. Si kryetar i Aleancës për Ardhëmërinë e Kosovës, është njoftuar se Z. Haradinaj do të jetë kandidat për kryeministër të Kosovës i koalicionit të posa njoftuar (PDK-AAK-NISMA), në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit në atë vend.  Pas këtij njoftimi, Z. Haradinaj shënoi në faqën e tij elektronike fejsbuk se si kandidat për kryeministër të Kosovës, ai zotohet se jo vetëm do të punojë për Atdheun, por u premton zgjedhësve se duke punuar për Atdhe ai, “Do t’a nderojë Atdheun”.

“Besimin e dhënë në luftë e kam nderu edhe te bashkëluftëtarët edhe te populli im; Besimin e dhënë nga Presidenti Rugova e kam mbajt me nder; Me besimin e dhënë sot, do ta nderoj atdheun!  Na priftë e mbara”, është shprehur Z. Haradinaj në faqen e tij elektronike fejsbuk.

Arrestimin e fundit të Zotit Haradinaj në Francë në bazë të trillimeve serbe kundër tij, e pata cilësuar në një shkrim me atë rast, si një urgjencë kombëtare, sepse ishte një padrejtësi kombëtare ndaj luftës dhe të drejtës së shqiptarëve për liri, demokraci dhe pavarësi.  E tillë edhe ishte. Ishte një ndalim i padrejtë, pasi Z. Haradinaj është përballur sy patrembur dhe si burrat, dy herë më parë me Tribunalin Ndërkombëtar duke nderuar veten dhe kombin me qëndrimin dhe trimërinë e tij, për t’u përballur me drejtësinë.  As ndalimi i tij i fundit dhe as gjykimi i tij në Francë nuk mund të përfundonte ndryshe veçse me lirimin dhe shpalljen pafajsisë së tij.

E kam thënë shpesh se shqiptarët duhet të zgjohen nga kllapia mbas sundimeve kriminale dhe të mbrapshta për pothuaj 50-vjet komunizëm dhe 25 vjet post komunizëm, nëqoftëse duan të shënojnë përparimet e nevojshme për shekullin 21. Duhet të marrin fatin në duart e veta dhe të ndërmarrin një fillim të ri politik, duke kërkuar nga përfaqsuesit e tyre të zgjedhur, që mbi të gjitha, t’i shërbejnë Atdheut sepse “Shqiptar më ka falë Zoti” ka thënë Haradinaj gjatë një interviste.   T’u shërbejnë  interesave të popullit e jo interesave partiake e personale, ndërkohë që, si pasojë, shqiptarët po largohen masivisht nga trojet e veta, falë mjerimit ekonomik dhe konflikteve politike. Zgjedhjet, normalisht do të duhej të shërbenin për një fillim të ri, duke përfshirë njerëz të ri në politikë me programe dhe ide të reja, me premtimin për një të ardhme më të mirë dhe me përkushtim serioz ndaj shërbimit publik, gjë që fatkeqsisht nuk ka ndodhur në këto 27-vjetë post-komunizëm, as në Shqipëri as në Kosovën e pavarur.

Zotit Haradinaj, siç dihet, ka shërbyer si Kryeministër i Kosovës për një kohë të shkurtër prej 100-ditësh në vitin 2005, që në të vërtetë nuk ishte e mjaftueshme që të bënte ndryshime të mëdha, por ama ishte një kohë e mjaftueshme që të bindte disa vërejtës të mbrendshëm dhe të jashtëm se, siç më pat thënë një ish-zyrtar amerikan në atë kohë për Kryeministrin Haradinaj, se si udhëheqës, “He is a doer, gets things done”. “Ai e bën punën, i kryen punët”. Kjo është trashëgimia e tij për atë kohë tepër të shkurtër që pat shërbyer si Kryeministër i Kosovës, madje edhe në sytë e të huajve.

Besoj se Z. Haradinaj i njeh mirë miqtë dhe armiqtë e Kosovës.  Besoj gjithashtu se ai është i bindur se Kosovës i nevojitet gjithnjë miqësia e ndërkombëtarve, sidomos mbështetja e vazhdueshme e miqëve tradicionalë siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Por shqiptarët në përgjithsi, qoftë në Shqipëri qoftë në Kosovë, nuk do t’i merr kush seriozisht nëse vazhdojnë të veprojnë të ndarë e të përçarë politikisht, në dëm të interesave madhore të kombit. Për zgjedhsit shqiptarë, është koha për t’u zgjuar, para se të bëhet vonë.

Rezultati i zgjedhjeve të ardhëshme në Kosovë duhet të bindë jo vetëm popullin e Kosovës por edhe miqtë e Kosovës se politikanët që do të qeverisin vendin në vitet e ardhëshme, do të venë interesat e Republikës së Kosovës dhe popullit të saj mbi përfitimet personale dhe partiake. Votuesit e Kosovës dhe miqtë e saj ndërkombëtarë presin nga udhëheqsit e ri të Kosovës që do të zgjidhen me 11 qershor — që ashtu siç është shprehur edhe Ramush Haradinaj — se duke punuar seriozisht për interesat e Atdheut, me punën e tyre, ata njëkohsisht do “të nderojnë edhe Atdheun”, por edhe miqtë të cilët ia duan të mirën Kosovës dhe kombit shqiptar.

Se cilët do jenë udhëheqsit e ri që do të qeverisin Kosovën katër vitet e ardhëshme dhe nëse ata do të jenë të tillë që duke punuar për Atdhe, nderojnë Atdheun, natyrisht është në dorë të zgjedhsëve dhe varësisht votës së tyre me 11 qershor.  Zoti Ramush Haradinaj paraqitet si një alternativë dhe kandidaturë serioze për Kryeministër të vendit në zgjedhjet e ardhëshme në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …