Feride Papleka: Në 30 vitet e fundit, Shqipëria është kërcënuar nga mungesa e një ideologjie kombëtare

Feride Papleka: Në 30 vitet e fundit, Shqipëria është kërcënuar nga mungesa e një ideologjie kombëtare

Me një kulturë të ushqyer nga pasioni për artin, letërsinë dhe filozofinë pragmatike, me nderimin për mendjet e ndritura të historisë kombëtare e botërore dhe me shpirtin humanist, bir i një skulptori dhe i një mjekeje të pasionuar, nip i dy familjeve nga më të shquarat e kohës së tyre, Edi Rama komunikoi  dje në një mënyrë të re me shqiptarët.  Duke thënë se në zgjedhjet e 25 qershorit « Fitorja është e Shqipërisë » dhe se « shqiptarët kanë vendosur me një votë qartësisht kuq e zi », ai e shndërroi edhe sheshin e Skënderbej, i cili shquhet për një perspektivë të re moderne, në një simbol të bashkimit kombëtar.

Për herë të parë në Shqipëri pas 30 vjetësh në një ligjërim politik, të çliruar nga retorika rutinë, u ndien elemente të një fryme shprese e bashkëpunimi midis njerëzve të një kombi për të ecur përpara. Ato çaste njeriu shqiptar ka menduar me seriozitet për të ardhmen kombëtare, duke i lënë pas si një ëndërr të keqe, ndarjet disa herë të papajtueshme partiake e me pasoja të rënda në jetën e vendit. Kjo lëvizje e re e mendimit si një praktikë që do të karakterizojë një qeverisje, në qendër të së cilës do të jenë interesat kombëtare të shqiptarëve është gjëja më me vlerë që sollën këto zgjedhje.

Mendimi  i ri që vë në lëvizje energjitë njerëzore, është një kapital i çmuar për çdo shoqëri. Rama e ka ndier se duhet të bashkohet ajo që është ndarë, copëtuar e thërmuar, me perceptimin e një politike qytetëruese që momenti historik e kërkon  të ngrihet mbi bindjet partiake e mbi interesat meskine. Atij i pëlqen të përballet, të hyjë në garë, por mbi të gjitha të bashkëpunojë. Qëndrimi i tij i hapur për të vlerësuar të gjitha kontributet, e ka burimin te filozofitë antike, të cilat thonë se oqeani përbëhet prej detesh e këto të fundit prej lumenjve. Ky  është një vizion i ri kombëtar.

Ligjërimi i tij vërtetoi sesa rëndësi ka për shoqërinë bashkëpunimi i forcave, ndërveprimi i energjive të tyre krijuese për të ndërtuar një realitet të ri.  I vetëdijshëm për një  shpërbërje kombëtare në këto vite krizash të njëpasnjëshme, ai e ka kuptuar se rruga e vetme  që do ta çojë përpara këtë vend, është bashkimi i forcave në  shërbim të shoqërisë e të qytetarëve të saj. Domosdoshmëria për të pasur një këndvështrim të ri që do të jetë në dobi të të gjithëve është edhe një nga idetë themeltare të politikës së re, të shpallur prej tij. Thirrja e tij se «  Eshtë koha për ta vënë flamurin përbashkues kuqezi, flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit përpara flamurit të feudëve tonë politikë », është dëshmi e një solidariteti humanist, mbipartiak, strategjik, të atij solidariteti të detyrueshëm për të mirën e përbashkët.

Ne jemi dëshmitarë të përçarjes që ka përjetuar ky popull, këto tridhjetë vjetët e fundit. Kjo ka bërë që forca ekstremiste të kenë vlerësuar ata që bashkëpunuan me armikun dhe janë përpjekur për të zhvlerësuar veprën e dëshmorëve, çfarë nuk ka ndodhur në ndonjë vend tjetër të botës. Por duke u vlerësuar vepra e tradhtarëve, herë-herë është lënë mënjanë vepra e disidentëve të vërtetë për demokraci e të drejta qytetare, vepra e atyre që mbrojtën të drejtën e shprehjes së lirë, në kushte kur çdo qëndrim në mbrojtje të lirisë së shprehjes paguhej rëndë.

Realiteti i hidhur i dobësimit të forcave shpirtërore të këtij populli, i shoqëruar me mospërfilljen, nëpërkëmbjen apo zhdukjen e elementeve të identitetit shqiptar, sidomos në mosruajtjen e traditës  kulturore, i jep  ligjërimit të tij një kuptim të madh historik. « Nëse i bën një proces së kaluarës, ti pengon veten për të jetuar », thotë Romain Rolland. Duke u ngritur mbi problematikat e ngushta  partiake, ligjërimi i Edi Ramës, na bind sesa urgjente është të rithemelohet një qëndrim i  ri kombëtar që do të ripërtërjë  dhe forcojë ndjenjën e përgjegjësisë së të gjithëve ndaj atdheut. Kjo detyrë duhet të jetë parësore jo vetëm për arsimin kombëtar.

Parimet, ato që lidhin, që plotësojnë njëri-tjetrin, që ndarvaren nga njëri-tjetri, shprehin një akt të madh dialogjik dhe i zgjerojnë marrëdhëniet e solidaritetit ndërnjerëzor që shtrihen edhe në marrëdhëniet e njeriut me natyrën, me botën mbarë. Refleksionet e Edi Ramës në fillimet e demokracisë kanë qenë të lidhura pikërisht me këto marrëdhënie solidariteti në ndryshueshmëri që i kanë munguar shoqërisë shqiptare. Në ato refleksione është nënvizuar me forcë pluralizmi i mendimit.

Edhe pse qeverisja e tij është bërë objekt i disa vlerësimeve ndërkombëtare dhe i një kundërshtimi të përditshëm e të përhershëm nga opozita, ai është dalluar për forcën dhe guximin për të përballuar goditjet në emër të punës dhe përgjegjësive që ka ndier. Gjatë fushatës zgjedhore ata që do të votonin dhe ata që nuk e dhanë votën e tyre për arsye mosbesimi, shpeshherë kanë pyetur veten nëse Shqipëria do të rrijë e mbërthyer si në shtratin e Prokrustit në të kaluarën e vet, apo do të dalë e t’i  bashkohet botës së qytetëruar me fytyrë të vërtetë demokratike ? Duke lënë mënjanë verbërinë partiake nga e cila kemi vuajtur jo pak, individët e kësaj shoqërie treguan se e kuptuan qartë këtë moment historik. Ata e dinë mirë se fryma e përçarjes që ka karakterizuar dhe karakterizon ende disa forca politike, nuk mund ta shohë dritën e mendimit të përparuar që vjen qoftë prej epokave historike të Shqipërisë, qoftë prej shembujve të përparuar në botë.

Besimi i zgjedhësve, i cili triumfoi mbi dyshimet e majta apo të djathta, e vë Edi Ramën para një përgjegjësie të madhe e të rëndësishme, sepse nga kuptimi i saj varet zbatimi i politikës që do t’i shërbejë përditë e më shumë zhvillimit dhe fuqizimit ekonomik të Shqipërisë, krijimit të kushteve që rinia të mund të jetojë e ta realizohet në këtë vend, emancipimit të përgjithshëm të shoqërisë në fusha të veçanta siç janë ato të të drejtave të njeriut, të barazisë së burrit me gruan, të të drejtave të fëmijëve, të leximit si akt kulturor i domosdoshëm në procesin e zhvillimit. Të mos harrojmë se në shumë qytete të Shqipërisë janë zhdukur bibliotekat, burimi i dijes dhe i kulturës.

Në këto tridhjetë vjetët e fundit, Shqipëria e ka ndier kërcënimin që i ka ardhur nga mungesa e një ideologjie kombëtare. Prandaj « Sfidat e Shqipërisë sot s’janë sfida socialiste apo demokrate, por sfida shqiptare, të vjetra e të reja, të të njëjtit atdhe, të të gjithëve pa dallim, në të njëjtin flamur kombëtar ». Në një moshë relativisht të re Edi Rama bëhet shprehës i një ideali që rri zgjuar te shqiptarët edhe si rezultat i fatit historik të mbushur me padrejtësi. Ky program është me të vërtetë një befasi e këtyre zgjedhjeve. Kryetari i partisë socialiste tha :« Fitorja është e Shqipërisë dhe merita është e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi ».

Ligjërimin e tij të datës 26 qershor 2017e përshkoi tej e ndanë fryma  e re kombëtare për ta ngritur këtë vend në lartësitë e ëndrrave të të parëve tanë dhe veçanërisht të rilindasve, sepse :  « Shqiptarët nuk zgjodhën për Shqipërinë që kemi, por për Shqipërinë që duam”. Shqiptarët me votimin e tyre treguan se dinë të bashkohen kur është fjala për atdheun, ata do të kenë zërin e tyre dhe do t’u dëgjohet ai zë, sepse në të mishërohen “Përpjekje shqiptare për çfarë duhet të bëjmë për ta bërë Shqipërinë më të mirë ». Kjo largpamësi dëshmon se përgjegjësia për t’i bërë institucionet të dobishme për shqiptarët është edhe një privilegj historik.

« Mjafton të mos harrojmë se fytyrat tona janë të përhershme, por atdheu është i përjetshëm », jehon në zemrat e shqiptarëve kudo që të ndodhen. Ato janë fjalë të një idealisti. Ky është  një revolucion botëkuptimor në krahasim me pikëpamjet me të cilat jemi mësuar gjermë tani. Në këtë dialog me shqiptarët, idetë  themelore të programit qeveritar, parashikojnë një pohim të vlerave më të mira të bashëkpunimit për një Shqipëri të zhvilluar. Me projekte kombëtare ai e ka kundërshtuar njëherë e përgjitmonë « pushtetin e partive » që përdoret për interesa jashtëkombatare : « Opozita dhe qeveria të jenë të bashkuara për interesat e Shqipërisë, në rrugën për në Europë ». Europa nuk është më një parullë, por një mundësi për të qenë një nga anëtarët e saj . Ajo  kërkon që të hyjmë në hapësirën e saj me vlerat tona kombëtare.

Çdo shqiptar që e ka dëgjuar dje fjalën e Edi Ramës, ka menduar me seriozitet se idetë e emancipuara të politikës shqiptare kanë arritur një lartësi të re. Lartësi të tjera e presin atë : zhvillime ekonomike, sociale, politike, morale, kulturore. Vetëm atëherë besimi i shqiptarëve do të forcohet në mënyrë të tillë që në të ardhmen cilado forcë që ta marrë pushtetin, do të vërë interesat e Shqipërisë përpara partive.

Ideja se « Ditet më të mira të Shqipërisë janë përpara nesh » përshkohet nga një optimizëm realist, nga njëlloj qëndrimi që vështron anën pozitive të gjërave dhe fenomeneve. Ai është gjithashtu një lloj besimi se gjërat do të venë mbarë. Por ky optimizëm nga ana tjetër hedh idenë e fuqishme se Shqipëria do të jetë një vend i sigurt dhe i mundshëm për të jetuar në paqe e mbrothësi, me rregull dhe punë, me kulturë dhe kënaqësi, ashtu siç e ëndërronin të parët e këtij vendi, ashtu si shkruan edhe Naim Frashëri : « Lum kush të rronjë / ta shohë zonjë ».

Nëse mbahet gjallë fryma jonë kombëtare, ëndrra shqiptare do t’i afrohet ëndrrës europiane dhe do të ecë e sigurt përpara përmes sfidave të mëdha të kohëve të reja.

Me ligjërimin  e djeshëm, Edi Rama u shprehu mirënjohjen shqiptarëve për besimin që patën ata kur i dhanë votën. Besimi i tyre në vazhdimësinë e reformave të nisura dhe në vështrimin e ri të momentit historik me të cilin do të përballet Shqipëria, është një përgjegjësi e dyfishtë e tij dhe e qeverisë që do të drejtojë. Vullneti i tij për të bashkuar shqiptarët rreth një ideali kombëtar për zhvillim dhe emancipim është shpresëdhënës. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …