Ismail Kadare

Dr. Enver Bytyçi: “Mos ma prekni Kadarenë”!

Mos ma prekni Kadarenë”! – është një thirrje të cilën e lexova thënë nga goja e një njeriu publik në Kosovë! U ndala dhe bëra disa paralelizma: “Mos e prekni Skënderbeun”! – Ishte pasthirrma më e përhapur javëve të fundit, pasi atë e preku një opinionist mesatar i ekranit dhe mediave shqiptare në Shqipëri! Këngë pa fund titullohen “Mos ma prek flamurin”, “Mos ma prek trollin shqiptar”! Këto dy të fundit lidhen me simolika jofrymore, por që janë sinetza e përvojës njerëzores te një kombi, shqiptarët. Flamuri, atdheu, heroi kombëtar janë tri simbolikat kombëtare që i lidhin në përgjithësi kombet ballkanike. Serbët nuk duan t’ua prekësh Car llazarin, Shën Savën,e Shën Stefanin, deri te Beteja e Fushë-Kosovës, me të cilën ata formuan mitin serb të viktimizmit, tradhtisë dhe vetëmohimit! Maqedonët janë marrosur pas figurave të lashtësisë si Aleksandi I Madh apo Filipi II, megjithëse e dinë mirë se nuk janë pasardhës të tyre! Por miti u duhet dhe atyre, ata thërrasin në ndihmë historinë e maqedonasve të vjetër vëllezër të ilirëve për të sunduar mbi shqiptarët! Personalisht besoj se mitet e vjetra ndër ballkanasit janë të mjaftueshëm, madje të tepërt që ne të përballojmë sfidat e kohëve tona moderne. Disa duan të krijojnë mite të reja ideologjike e joideologjike, bazuar në besimin fetar ose në ndonjë besim tjetër pagano-atdhetar! Pikërisht këto përpjekje për të krijuar “Mitin Kadare” kanë prodhuar antimitin Kadare!

Çdo aksion e ka një lloj reaksioni. Prandaj diskutimi i sotëm për Ismail Kadarenë është kontravers e me plot kategorizime pohuese e mohuese. Natyrshëm lind dhe zhvillohet një debat i tillë në kushtet e një shoqërie që thirret në mite dhe frymëzohet prej tyre, duke u i ngjarë kështu një shoqëri arkaike, e cila ushqehet me ëndrrat e së shkuarës, duke harruar të tashmen e të ardhmen e vet! Mitet janë dualitet i së shkuarës në vetëdijen njerëzore. Ky dualitet ndërtohet nga pikëpamja shpirtërore në ndeshjen e ndërgjegjes njerëzore midis dy kategorive, dashurisë dhe të kundërtës së saj, frikës, e cila shkakton urrejtje, mohim të së vërtetës e deri hakmarrje!

Nëse njohim mitologjitë aty do të gjejmë vetëm dy kategori njerëzish: Të mirin dhe të keqin, lindjen dhe vdekjen, dashurinë dhe urrejtjen. Në mitologji nuk gjendët në asnjë rast një mundësi e tretë e artë për mendim, veprim dhe gjykim. Mitologjia përmbledh gjithnjë skenarët e betejave dhe luftërave, në të cilat gjenden përballë tyre dy palë e dy forca, në njërën anë dhunuesit, sunduesit, mizorët, në anën tjetër engjëjt, viktimat, nga njëra anë të mirët nga ana tjetër të këqijtë, në antitezë me njëra-tjetrën drita me errësirën e kështu me radhë. Kështu ka ndodhur që në kohën e Evës dhe Adamit, midis të cilëve “hyri djalli”! Mitologjia është përpjekje e njerëzve për t’i imponuar ngjarjet komike e të zakonshme në vetëdijen e njerëzimit dhe për t’i shndërruar ato ngjarje e personazhet e tyre në qenie mbinjerëzore! Religjionet janë gjithashtu burim i përpunimit dhe përhapjes së teorive dhe ngjarjeve e personazheve mitologjike. Popujt që ushqehen me mitet dhe mitologjinë janë popuj të harruar në skutat e shekujve dhe mijëvjeçarëve. Popujt e civilizuar e mësojnë historinë e kombit në mënyrë kritike dhe jo mitike, siç e mësojmë ende ne shqiptarët.

Një histori që shkruhet mbi gojëdhëna dhe legjenda nuk është histori. Një lloj histori si kjo ka për qëllim dogmatizimin e shoqërisë dhe e pengon atë të shohë sfidat e kohës në të cilat ajo jeton. Është karakteristikë e mendimit unitarist e totalitarist të ushqejë shoqërinë me ngjarje dhe personazhe mitike. E ndërsa bota e civilizuar ka heq dorë nga mitologjia si botëkuptim, por jo si shkencë, ka mendje të ndritura në Shqipëri që bëjnë thirrje të krijohen mite të reja. Si një prej këtyre na shpërfaqet edhe shkrimtari shqiptar i përkthyer në shumë gjuhë të botës, Ismail Kadare. “Mos ma prekni Kadarenë”! – thirret me piskamë një analist antimysliman. Dhe jam i bindur se ka ndër këta që Kadarenë nuk e njohin për veprën e tij letrare, sa e njohin për replikat e shumta dhe qëndrimet e tij kundër Islamit dhe Turqisë. E shohin Kadarenë si ushqim për të kategorizuar ngjarjet, fenomenet, personazhet sipas skemës mitologjike të të mirit e të keqit, pa vënë në lëvizje mendimin, gjykimin, eksperiencën, dhe shkencën.

Në këtë mënyrë përjetimi i ze vendit dijes, përceptimi kufizohet në formën e disa ndijimeve dhe e vërteta nuk merr formë asnjëherë. Nga ana tjetër, duke hymnizuar njerëzit e duke i shndërruar ata në mite të gjalla ose jo të gjalla, humbet mundësia për të shkuar tek e vërteta. Njeriu që vihet në kërkim të së vërtetës është njeriu i kohës. Njeriu i të vërtetave i bën shërbimin më të madh kombit e shoqërisë. Dhe e vërteta del në pah përmes debatit. Ndërsa debate kërkon argument, fakte, të dhëna, gjithëpërfshirjen e ngjarjeve dhe personazheve të tyre. Aktualisht diskutimi kontravers për Kadarenë dhe veprën e tij, një diskutim që erdhi në jetë nga përpjekja e grupimit të rrjetit të madh kadareistë, për ta shndërruar shkrimtarin ashtu të madh, në një shkrimtar hyjnor e madje edhe në një personazh hyjnor. Me këto përpjekje të çmendura për ta shkëput shkrimtarin nga realiteti në të cilin ai ka jetuar dhe ka prodhuar letërsinë e tij, në vend që t’i vihen vetullat, duket se u krijua mundësia që disa t’i turren shkrimtarit për t’ia nxjerrë sytë. Kësisoj erdhi në publik letra e shkrimtarit për korrektoren e veprave të tij, e motrën e tij, Kadrije Kadare, e cila në përkushtimin e saj për të vëllain dhe famën e tij jo vetëm desh përfundoi në burg, por mbeti edhe pa familje! Është ndoshta sakrifica e motrës për vëllain, një rit ky që meriton të renditet edhe në mitologji. Grupimi i hyjnores në raport me Ismail Kadarenë është përgjegjës pse reagimi i kundërt ndoshta e tepron kur kërkon varrosjen e tij dhe veprës që ai ka krijuar. Sepse psh nëse për serbët Beteja e Fushë – Kosovës është një mit, për shqiptarët është antimit. Nëse ajo betejë ka diçka të vërtetë që duhet parë me objektivizëm, serbët e zhveshën nga njerëzorja dhe nxitën shqiptarët që ta shohin si të keqen e historisë së tyre për ekzistencë. E njëjta gjë ndodh në çdo rast kur tentohet të krijohen mite. Kjo po ndodh për fat të keq edhe në rastin e Kadaresë. Prandaj duhet besuar në realitetet që ekzistojnë, edhe kur ato cënojnë integritetin e shkrimtarëve ose njerëzve të mëdhenj. Ndryshe shoqëria shqiptare vetëm sa polarizohet dhe askush nuk mund të mbërrijë kurrkund!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …