Dr. Skënder Demaliaj: Kush e fsheh dhe e kërcënon të vërtetën bën një krim të ri komunist

E kam ndjekur debatin për botimin e letrës së shkrimtarit Ismail Kadare drejtuar udhëheqësit më të lartë të partisë, Enver Hoxhës, më 2 prill 1980.

E kam ndjekur për shumë arsye:

Së pari, si intelektual e qytetar i këtij vendi nuk mund të qëndroj indiferent në këtë debat që ka të bëjë me probleme të rëndësishme për demokracinë dhe shoqërinë tonë: me rolin e intelektualëve shqiptarë dje dhe sot, me çështjen e hapjes së dosjeve komuniste, me vetë thelbin e demokracisë, njeriun e lirë (i lirë për të shprehur mendimet pa u shantazhuar, i lirë për të zgjedhur alternativën, i lirë në zgjedhjen e atyre që do të qeverisin).

Së dyti, e kam ndjekur pasi në këtë debat ka qenë protagonist kryesor, djali i xhaxhait tim, Ilir Demaliaj, si dhe është përmendur edhe xhaxhai im, Binak Haxhi Demaliaj si oficer i sigurimit.

Duke e ndjekur këtë debat në shumë plane: në këndvështrimin politik, social, psikologjik dhe juridik arrij në disa përfundime:

Së pari, intelektuali vepron mbi shoqërinë, kjo e fundit është e themeluar mbi konceptin e lirisë, ajo është e lirë dhe të lirë janë edhe anëtarët e saj, të cilët intelektualit nuk i lejohet t’i trajtojë ndryshe, përveçse përmes rregullave morale. Jo t’i përfitojë bindjet e tij, duke përdorur instrumentet shtrëngues. Intelektuali është prodhim historik. Në këtë kuptim asnjë shoqëri nuk mund të ankohet ndaj intelektualëve të vet pa e akuzuar veten, sepse nuk ka intelektualë të tjerë, veç atyre që ka krijuar vetë shoqëria. Nisur nga teza se rigjenerimi i inteligjencës fillon me pavarësinë intelektuale, diskutimet e deritanishme dëshmojnë dhe pohojnë se intelektualët tanë në përgjithësi nuk kanë një pavarësi mendimi dhe veprimi.

Së dyti, o hapi dosjet o mos i hap. Seleksionimi është metodë dhe mentalitet komunist. Shumica e dosjeve para viteve `90 ishin Rezervat. Kishte nga ato që nuk lejoheshin të hapeshin, kishte nga ato që lejoheshin, por për një kategori njerëzish “për të besuarit e Partisë”. Ato hapeshin, si dje dhe sot kur udhëheqësi, lideri kishte nevojë për të goditur kundërshtarët e tij politikë. Ne themi se Beogradi nuk po i hap dosjet për Shqipërinë, në një kohë që i kanë hapur shtete si Italia, Vatikani, Turqia, Franca, Gjermania, Austria, Britania e Madhe, ShBA, bile një pjesë edhe Rusia. Po ne nuk po i hapim dosjet këtu për shqiptarët. Përse ?!… Për interesa politike, personale pushtetmbajtëse, për përfitime materiale, për të mos goditur shokët, miqtë, të afërmit, ata “të Partisë sime”.

Drejtorët e arkivave, të përkëdhelurit, padronët e tyre, të tjerë që politikisht janë në një linjë me këta drejtorë kanë të drejtë të pakufizuar për të shfrytëzuar dokumentat arkivore. I kanë shfrytëzuar në këto 27 vjet për të bërë libra drejtuesit e arkivave. Si ju ka dalë koha kur ata janë zyrtarë të shtetit dhe duhet të merren me problemet e shumta të institucionit ?!… Kanë botuar në shtypin e ditës dokumenta dhe dosje arkivore, duke u paguar mirë, siç është edhe rasti i ish-drejtorit të Arkivit të Ministrisë të Punëve të Brendshme, zotit Kastriot Dervishi, i cili boton pothuajse çdo ditë në gazetën 55. Sikur ky arkiv është çifliku i tij, prona dhe malli i babait të tij.

Seleksionimi dhe botimi i dosjeve është bërë edhe lidhur me interesat e partisë që të ka zgjedhur dhe në përputhje me qëndrimet politike të saj, duke synuar të ndikojnë edhe në  fushata elektorale për të mbledhur sa më shumë vota për “Nënën Parti”. Një mentalitet tipik komunist. Nuk kam parë të ketë botuar Kastriot Dervishi dosjen e Sali Berishës si sekretar i byrosë së partisë të Fakultetit të Mjekësisë, të qindra drejtuesve të tjerë të lartë të PD-së, të cilët janë bijtë e bijat e sekretarëve të KQPPSH, të sekretarëve të parë të partisë në rrethe, të ministrave, bile një pjesë e tyre në regjimin komunist kanë patur detyra të rëndësishme partie dhe shtetërore. Po punove për partinë, për udhëheqësin Sali e ke biografinë pa njolla, po të jesh kundër tij gërmohet në arkiva, të qëndiset biografia me ato që i ke dhe nuk i ke dhe shpallesh armik e je i papranueshtëm në stanin dhe torishtën e partisë.

Së treti, u botua një letër. Nuk ndodhi gjëma. Nga disa studiues nuk ishte gjetur (duhet të jesh i vëmendshëm kur hyn në arkiv, të hulumtosh me integritet të lartë profesional dhe moral). Të tjerë e kishin gjetur, dinin për të, por për ta nuk ishte e rëndësishme (kur nuk analizojmë raportet e intelektualëve më në zë me pushtetin e djeshëm dhe të sotëm i bëjmë një dëm të madh demokracisë dhe të ardhmes së vendit). E kanë ditur për këtë letër, por qëllimisht e kanë fshehur për publikun (kjo përbën një faj të rëndë dhe duhet ndëshkuar).

Është e drejta e çdonjërit të mbrojë ose të mos e mbrojë Ismail Kadarenë apo politikanë e shkrimtarë të tjerë, por pa e shkelur ligjin dhe me argumenta të besueshme për publikun. Kastriot Dervishi bën një faj të rëndë ligjor dhe moral. Ia jep dosjen e Binak Haxhi Demalisë, Çerçiz Loloçit. E kam verifikuar dhe nuk më rezulton se kjo dosje është marë prej Çerçizit në Arkinin e Ministrisë së Punëve të Brendëshme. E bën publike pa qënë drejtor, pa kërkesën e familjes dhe të ndonjë institucioni shtetëror për verifikime dhe arsye të ndryshme, pa patur qëllime botimi. Thjesht për të shantazhuar e kërcënuar djalin e tij, Ilirin. Edhe ky është nje mentalitet komunist që është përdorur nga politikanët shqiptarë të këtyre viteve për të kërcënuar dhe shantazhuar kundërshtarët e tyre politikë. Rasti më flagrant janë pyetjet që gazeta Albania, dekada më parë i drejtonte Liderit te Dhjetorit, Azem Hajdari.

Solzhencini, shkrimtari i madh sovjetik u dëbua nga atdheu i tij nga regjimi i Brezhnjevit jo për unitet me pushtetin real, sigurisht, jo sepse ndonjë përfaqësues i regjimit ndihej i kërcënuar nga rreziku i zëvendësimit prej tij. Dëbimi i tij ishte diçka tjetër: përpjekje e dëshpëruar për të penguar rrjedhjen e tmershme të së vërtetës, një e vërtetë për të cilën askush nuk mund t’i parashikonte ndryshimet që mund të sillte në ndërgjegjen e shoqërisë dhe tronditjet e forta politike që këto ndryshime mund të sillnin një ditë të bukur. Kësaj i tremben politikanët e djeshëm e të sotëm dhe pseudointelektualët servilë të tyre.

Së katërti, justifikimi se letra e Kadaresë kishte për qëllim ta shpëtonte motrën prej burgut, se kështu kanë verpruar shumë familje shqiptare, duke iu drejtuar udhëheqësit per falje e ulje dënimi- është i papranueshëm, tepër mjeran. Ismail Kadare nuk është si ata, ka status tjetër, bile vetë ai e kërkon një status tjetër, stausin e disidentit. Ismaili e pohon me gojën e tij sesa me i shquar është njeriu, aq më i dukshëm është. Populli thotë më mirë një armik i zoti sesa një mik i pazoti.

Letra e Kadaresë për udhëheqësin nuk është thjesht lutje për falje, por qëndrimi i tij politik, testamenti i tij politik. Po citoj disa pasazhe nga letra e tij: “ është jeta e popullit dhe e partisë që kanë qenë dhe janë burimi dhe materia e vetme për veprat e mija”, “se partia është e rreptë, por e drejtë, ashtu siç më ka kritikuar me rreptësi, me një dashuri po aq të madhe më ka dhënë prap dorën”, “ shpreh mirënjohjen më të madhe për atë çfarë keni bërë për vëndin dhe për mua në momente të rëndësishme të jetës dhe të krijimtarisë sime”, “po punoj për të pasqyruar rrugën epike 35 vjeçare të partisë sonë”, “ mora vendimin e rëndësishëm që motra ime të mos shkelë më në shtëpinë time, bile njoftova gjithë fisin”etj.. Fuqia e një shoqërie, e ndërtuar mbi frikën nuk bazohet vetëm tek ushtria dhe policia sekrete, por edhe tek “shpëlarja e trurit”. Këtë detyrë e realizoi shumë mirë Ismail kadare si shkrimtari i oborrit dhe shkrimtarët e tjerë të realizmit socialist. Këtë po përpiqen ta bëjnë sot edhe disa politikanë të dështuar dhe disa pseudointelektualë.

Enver Hoxha e ka ditur se Ismail Kadare ndiqej nga Sigurimi i Shtetit, bile e ka porositur ta ndjekë, t’i hapë dosje, ka shkruar ndonjë rresht në ditarin e tij për “devijimet” e tij nga vija politike e partisë. Sa më shumë e ndiqte Sigurimi i Shtetit, aq më shumë e nënshtronte dhe e skllavëronte Enver Hoxha Ismail Kadarenë për interesat e tij, duke u paraqitur si mbrojtesi i tij që nuk do të lejonte askënd që ta fuste në burg. Ashtu ndodhi, askush nuk guxoi t’i vinte prangat atij edhe kur ishte gjallë, edhe pas vdekjes. Jo se e kishte frike, por se ishte njeriu i tij, shkrimtari i oborrit të tij. Sartri e refuzoi Çmimin Nobel. Ismail Kadare nuk e refuzoi teserën e partisë, funksionin e deputetit të partisë, detyrën ë zëvendësit të Nexhmije Hoxhës, privilegjet dhe shpërblimet e shtetit komunist.

Së pesti, intelektuali duhet të çlirohet nga megalomanitë. Unë jam specialist, unë e di më mirë nga të gjithë këtë çështje, unë jam studiuesi i letërsisë, i artit, unë jam historiani e të tjerët nuk mund të flasin e të shkruajnë për historinë, unë dhe vetëm unë i kam parë dhe studuiar dokumentat, une dhe tani jam çdo ditë duke studiuar, jam në arkiv etj. etj.. Sikur të mos jenë këta, obobo çfarë do të na gjejë ne e si do ta pësojë ky vend!!!…

Këta intelektualë (në të vërtetë pseudointelektualë, intelektuajë të rrejshëm) që iu kundërvunë me egërsi e me metoda komuniste Ilir Demalisë për materialin që botoi për Ismail Kadarenë, dëshmuan se janë të paaftë për t’iu përshtatur plotëshisht realitetit të ri politik. Ata ndërruan padronët, fjalën, por jo mënyrën e të mënduarit e të vepruarit komunist. Nuk kanë arritur akoma të formojnë fizionominë e tyre intelektuale, pavarësinë në gjykime, në vlerësime dhe në zgjidhjen problemeve.

(Autori është Shef i Departamentit të Shkencave Politike dhe Administrative në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …