Edmond Ekrem Krasniqi: Pozicionim i panevojshëm i Edi Ramës për ngërçin Kosovë -Mali i Zi për kufirin

Edmond Ekrem Krasniqi: Pozicionim i panevojshëm i Edi Ramës për ngërçin Kosovë -Mali i Zi për kufirin

Kryeministri i Shqipërisë e befasoi shumë kë të mërkurën, e më së shumti homologun e tij nga Kosova kur u pozicionua në favor të marrëveshjes së nënshkruar midis qeverisë së mëparshme të Kosovës me Malin e Zi për demarkacionin, por Edi Rama nuk do të duhej të befasohej nëse dikush nga Kosova, në shenjë hakmarrje, tash do t’i thotë atij se Sali Berisha e kishte mirë kur e nënshkroi marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë…

Partia e cila udhëhiqet nga Edi Rama në vitin 2010, asaj kohe në opozitë, e pat fituar betejën në Gjykatën Kushtetuese për marrëveshjen e vitit 2009 të qeverisë së asaj kohe të Sali Berishës për kufirin detar me Greqinë.

Mposhtja e kësaj marrëveshjeje nga gjykata mé e larté shqiptare bëri që situata të mos zgjidhet tashmë plot tetë vite dhe ngërçi midis Tiranës dhe Athinës vazhdon edhe sot, kur në pushtet gjendet për të dytin mandat me radhë, vet Edi Rama dhe PS-ja e tij.

 E njëjta situatë po i përsëritet edhe Ramush Haradinajt me AAK-në e tij që nga viti 2015. Haradinaj e kundërshtoi sa ishte në opozitë marrëveshjen e nënshkruar nga qeveria e Isa Mustafës për demarkacionin me Malin e Zi, të nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Skender Hyseni.

Tash Haradinaj ndodhet në pushtet në Kosovë dhe vazhdon që të jetë kundër kësaj marrëveshje, ashtu siç Rama vazhdon që të jetë kundër marrëveshjes së Berishës me Athinën për detin Jon.

 Pozicionimi i papritur dhe madje edhe befasues i Ramës, i shpalosur në konferencën për shtyp të mërkurën ishte i panevojshëm dhe i çuditshëm.

 Arsyet e theksuara nga Rama për pozicionimin e tij kundër kundërshtimeve të Haradinajt ndaj kësaj marrëveshjeve të nënshkruar dy vite më parë midis Prishtinës dhe Podgoricës, përkatësisht ato të ndërlikimeve që po dalin për shkak të pozicionimit të njëjtë të bashkësisë ndërkombëtare (lexo : diplomatëve të SHBA-së dhe atyre të BE-së) mua personalisht më duken jashtëzakonisht banale.

Nuk ka të bëjë hiç aspak nëse marrëveshja në fjalë është apo nuk është në rregull.

 Nuk ka të bëjë hiç aspak nëse qeveria e kaluar e ka mirë apo gabim, apo nëse qeveria e tashme me në krye me Haradinajn e ka mirë apo gabim për 8200 hektarët e kontestuar tek bjeshkët e kufirit Kosovë- Mali i Zi.

 Ka të bëjë me korrektësinë që deri dje ka mundur të llogariste (deri para konferencës për shtyp) Haradinaj nga homologu i Tiranas, Rama.

 Edi Rama pa pikë nevoje iu përulë qëndrimeve të perëndimorëve dhe e vuri në pozitë jo të lakmueshme personalisht Haradinajn, i cili edhe ashtu ndodhet me probleme dhe ndërlikime të të gjitha llojeve që në javët e para të detyrës së re, jo vetëm me çështjen e demarkacionit në fjalë me vendin fqinjë, por … lista e tyre është shumë e gjatë.

 Të paktën që ka mundur të bëjë dje Edi Rama, do të ishte që të mbante një qëndrim neutral ndaj ngërçit midis qeverisë së re në Kosovë dhe Podgoricës, e jo që të pozicionohet pa asnjë kalkulim të vetëm mbi efektin aspak pozitiv që krijoi qëndrimi i tij.

 Haradinaj nuk mund të jetë krenar me takimin e së mërkurës me Ramën, edhe pse pjesa më e madhe e vizitës së tij në Tiranë për çështje të bashkëpunimit midis të dy vendeve kishte një rend të ditës mjaft të ngjeshur dhe pozitiv, të paktën kështu tingëlluan premtimet e të dy kryeministrave.

Në të njëjtën kohë, as Rama nuk do të duhej të jetë krenar me këtë « thyerje hunde » publike té pa matur që i bëri Haradinajt për demarkacionin.

 Të paktën ai do të kishte mundur t’i jepte ndonjë këshillë Haradinajt bazuar në përvojën që Rama si dikur opozitarë e pati dhe tash pushtetarë e ka me Greqinë për ngërçin e kufirit detar.

Por kjo nuk ndodhi.

Haradinaj, përkatësisht AAK e tij, tash në Kosovë ndodhet e vetmuar me VV-në kundër versionit aktual të demarkacionit. Nuk është fjala këtu nëse do i humb apo do i mbeten Kosovës 8200 hektarë kur do t’i vihet epilogu çështjes së demarkacionit.

 Këtu është fjala për një koordinim më të mirë dhe më profesional midis të dy kryeqyteteve për çështje të ndjeshme si kjo.

Këtu është fjala për këshilla dhe ndihmë e jo siç ndodhi turpërim dhe « thyerje hunde » në mënyrë publike nga kryeministri i Shqipërisë atij nga Kosova.

 Në fund të fundit, Shqipërisë BE-ja ia hoqi vizat edhe pse Tirana nuk e ka të rregulluar çështjen e ngërçit të kufirit detar, të shkaktuar nga Sali Berisha dhe qeveria e tij me Greqinë.

 Kosovës BE-ja ia bëri të kundërtën. Vetëm Kosovës dhe asnjë vendi tjetër të rajonit, pra as Shqipërisë, BE nuk ua ndërlidhi çështjen e liberalizimit të vizave me ngërçet e kufijve. Kësaj i thonë standard i dyfishtë i pa skrupull.

Edi Rama nuk do të duhej që të përqafonte kuturu qëndrimet e të tjerëve për çështje që nuk kanë të bëjnë aspak me Shqipërinë, në këtë rast kufirit të Kosovës.

Merreni me mend, nëse tash Ramush Haradinaj do të dilte e të thoshte se Sali Berisha kishte të drejtë kur nënshkroi marrëveshjen e kufirit detar me Shqipërinë e Edi Rama e pati keq kur u ankua në Gjykatë Kushtetuese.

Zotëri Rama, u ngute pa nevojë.

A do të thotë kjo se për shkak të presioneve të diplomatëve perëndimorë qeveria e re në Kosovë u dashka që të ndryshojë qëndrimin për demarkacionin, ashtu siç ti do të mund të ndërroje në të ardhmen qëndrimin për vendimin e Sali Berishës për detin Jon, sepse Greqia po i kërcënohet Shqipërisë me bllokadë të rrugës për në BE ?

(Autori është themelues i agjensionit të lajmeve në gjuhën angleze për BE-Ballkan Perëndimor dtt-net.com)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …