Faik Miftari

Faik Miftari: Reflektimi i vendimeve të Gjykatës Speciale në Kosovë

Gjatë periudhës së kaluar kohore kemi qenë dëshmitar të reagimeve të ndryshme  të elitave politike, shoqërisë civile, medieve dhe qytetarëve përkitazi me shpalljen e aktgjykimeve  të Tribunalit  të Hagës lidhur me të akuzuarit për kryerjen e gjenocidit, krimeve  kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të kryera në hapësirat e ish Jugosllavisë, në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.

Së fundit pamë  edhe skenat tronditëse televizive nga shpallja e aktgjykimit ndaj gjashtë kroatëve të Bosnjës për krimet e kryera të luftës nga Tribunali i Hagës. Ishte tejet tronditëse skena “live” e  helmimit të gjeneralit kroat Slobodan Praljakut  në mënyrë publike në gjykatë, gjatë shpalljes së aktgjykimit nga ana trupit gjykues të Tribunalit të Hagës.

Tash më në mënyrë publike në Republikën e Serbisë priten si heronj të gjykuarit e Tribunalit të Hagës për gjenocid, krimet kundër njerëzimit dhe krimet të luftës. Këtyre të gjykuarve u jepen mirënjohjet, shpallen heronj  dhe veprimet e tyre të kryera konsiderohen si veprime  patriotike në shërbim të atdheut. Por,  aspak  nuk përmenden krimet e kryera në kundërshtim me konventat ndërkombëtare  të luftës . Këto ditë qarkullojnë në media mendime se duhet të ngritën edhe  shtatoret për nder të gjykuarve të Tribunalit të Hagës. Shpalljet si të pafajshëm  të kriminelëve të supozuar të luftës në anën tjetër krijojnë pakënaqësi dhe reagime të ndryshme në opinionin publik .

Në Republikën e Kroacisë të dënuarit për krime të luftës nga Tribunali i Hagës konsiderohen si viktimë sepse ata kanë mbrojtur integritetin territorial të shtetit të tyre nga agresori serb dhe se veprimet e tyre nuk mund të konsiderohen si  krime lufte meqenëse kanë qenë të imponuara nga pala tjetër, duke harruar se edhe në mesin e tyre ka pas individë të cilët i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe kanë shkelur ligjet e luftës dhe për këtë edhe  janë  gjykuar nga Tribunali i Hagës.

Gjatë këtyre ditëve po ballafaqohemi  në media me këto dukuri dhe duke pas parasysh se këto ditë pritet që të fillojë së vepruari  Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë,  kompetenca e së cilës është të gjykojë krimet e kryera në Kosovë për një periudhë të caktuar kohore(1998-200), është interesant  të shihet se  si do jetë reagimi i elitave politike , mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve të Kosovës.

Gjykata  Speciale e Kosovës me seli në Hagë  e cila do të gjykojë krimet e luftës në Kosovë, është themeluar nën presionin e fuqishëm të faktorit ndërkombëtar, si të Washingtonit ashtu edhe të Brukselit, kundër vullnetit të faktorit vendor.

Saktësisht, Gjykata Speciale e Kosovës  u themelua me miratimin e Kuvendit të Kosovës, së pari të ndryshimit  të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës, pas së cilës pasoi edhe aprovimi  i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me 3 gusht të vitit 2015,  me të cilin edhe iu hapën dyert procedurës së  krijimit të Gjykatës Speciale. Edhe pse Gjykata Speciale e Kosovës është themeluar brenda në Kosovë, nga organi  i saj legjislativ, Kuvendi i Kosovës, funksionimi i saj do të jetë jashtë Kosovës, me seli në Hag të Holandës.

Krijimi i kësaj Gjykate  Speciale dhe pajtimi për themelimin e kësaj ishte për shkak të dobësive të vet elitës politike dhe shtetërore kosovare për dështimin e mos krijimit të një Gjykate vendore në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, e cila do të merrej me gjykimin e krimeve të supozuara  në Kosovë, sikurse janë themeluar Gjykatat vendore në shtetet tjera të krijuara nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, sikurse në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, të cilët në një mënyrë apo tjetër gjykuan  një numër të caktuar të përgjegjësve të supozuar që kanë kryer krime të luftës në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Veçanërisht është brengosës Ligji për Dhomat e veçanta dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale i miratuar nga Kuvendi i Kosovës  në të cilin ka shumë zbrazëtira të cilët si të tillë lënë të hapur interpretime të lira të tyre. Sidomos është non sens dispozita e nenit 19 paragrafi 4 i cili parasheh që rregullat e procedurës dhe provat mund të ndryshohen nga gjyqtarët e dhomave në seanca plenare në konsultim me prokurorinë e specializuar. Jashtëzakonisht  është shqetësuese edhe dispozita e nenit 37 që ka të bëjë me prova të paraqitura e cila lejon mundësin që provat të mbledhura nga ndonjë autoritet ose agjenci kombëtare ose ndërkombëtare për zbatimin e ligjit para krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, do të mund të përdoren si provë. Kjo nënkupton se edhe provat e mbledhura nga autoritetet e shtetit të Serbisë mund të përdoren si prova, e para se gjithash shqetëson fakti se këto prova mund të jenë të manipuluara.

Krerët e caktuar  shtetëror dhe politik të Kosovës do të duhej të reagonin dhe të mendonin mirë e mirë për pasojat e saja në vitin 2015 me rastin e themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës,  por në vend që të reagojnë atëherë, ata tani  reaguan, duke parë rrezikun nga Gjykata Speciale e Kosovës pasi ishim dëshmitar  të iniciativës së pasuksesshme për zhbërjen e kësaj Gjykate Speciale nga ana e Kuvendit të Kosovës. Së fundi kjo iniciativë nga ana e Kuvendit iu dërgua  qeverisë së Kosovës që të përgatis projektligjin për ndryshimin apo zhbërjen e Gjykatës Speciale  dhe më pas të procedojë Kuvendit të Kosovës për miratim.

Mirëpo  kërkesat e tilla në këtë moment jo vetëm që rrezikojnë prishjen e raporteve me faktorin ndërkombëtar, ” miqve tanë që na ndihmuan të krijojmë shtetin e Kosovës” por ekziston edhe rreziku i “zhbërjes së shtetit të Kosovës edhe ashtu akoma me pranim jo të përfunduar sipas drejtës ndërkombëtare ”.

Në aktualitetin e tanishëm kosovar, me këto veprime të pamatura  ad hock, aty për aty, fitohet bindja se klasa e caktuar politike e cila e ka bërë thirrje  për miratimin e  Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar( të njohur në opinionin e gjerë publik si Gjykata Speciale me seli në Hag)  tani  përpiqet për ndryshimin apo shfuqizimin e  këtij Ligji në Kuvendin e Kosovës, por këtë nuk është duke bërë në interes të popullit dhe shtetit kosovar, por për interes të tyre personal.

Në përmbyllje të këtij vështrimi, do të konludojë se kjo është rrjedhojë e dobësisë dhe shkurtpamësisë politike të krerëve të caktuar politik e shtetëror, pasi që  veprimet kryesisht i bëjnë në mënyrë stihike, paushale, , aty për aty, duke mos menduar më tutje se çfarë pasoja do të mund të  sjellin më vonë vendimet e këtilla sikurse që është rasti me Asociacionin, Demarkacionin e së fundmi tani edhe me Gjykatën Speciale të Kosovës. Në fund nuk mund e të mos e citojë thënien  e veprimtarit tonë të shquar, bacës Adem Demaçit, e cila korrespondon plotësisht me të cekurat e këtij opinioni të shkruar:

“ Fatkeqësisht ne edhe sot si popull në shumicën e rasteve jemi më shumë të përfshirë nga stihia sesa nga një përparimi si duhet dhe sa duhet. Prandaj sa i takon, dijes, vetëdijes e organizimit si popull ende jemi në bisht të Evropës. Kjo është një e vërtet fortë e hidhur, mirëpo poqese nuk e tejkalojmë edhe më tutje do të mbetemi popull i vonuar”.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …