Enver Hoxha

Bedri Islami: Mbi figurën e Enver Hoxhës janë hedhur të gjithë rrebeshet e sulmet, por ai vazhdon të jetë edhe më i pranishëm

Në politikën shqiptare, qëndrimi ndaj Enver Hoxhës, ka pasur dyzimet e tij. Që nga 20 shkurti i vitit 1991 e deri tani, shumë ujra kanë rrjedhur nën këmbët e një politike të çartur dhe shumë tabu të së djeshmes nuk janë më të tilla.

Një forum i tillë, dy dekada e më shumë më parë, as që mund të mendohej. Ishte koha e mohimit të gjithçkaje, dhe, si dihet mohimi nuk sjell progres. Ishte koha e “çekut të bardhë” dhe e logos politike pëdëiste “ne qeverisim, bota na ndihmon”, dhe dalldia e përgjithshme nuk kishte asnjë vend të lirë për forume të tilla.

Ka pasur gjithnjë një triumvirat, që shkurt mund të përmblidhet, e djathta, Enveri, e majta.

Ndërsa forcat e së djathtës politike, në fakt nuk janë të tilla, është më shumë një lëvizje amorfe politike, figurën e Enver Hoxhës nuk e kanë analizuar kurrë, me seriozitet, saktësisht, pa mllefe dhe verbëri. Ata kanë sharë, kanë mallkuar, janë çjerrur, kanë mbushur sheshet me urrejtje, por nuk kanë bërë asnjëherë një gjë të duhur, thellësisht shkencore dhe serioze. Duke sharë gjithçka, ata kanë shkuar në të kundërtën e asaj që kanë synuar; kanë afruar një kohë që dukej e largët të afrohej. Bashkë me kohën kanë ripërtërirë edhe figurën e Enver Hoxhës.

E majta, megjithëse duket shumë më e afërt me figurën e Enver Hoxhës, në fakt ka pasur një shkëputje më serioze ndaj tij; figura të shquara të së majtës, si Dritëroi dhe Moikom Zeqo kanë bërë katarsin e një politike të shkuar. E kanë bërë pa mllef, seriozisht, me dinjitet dhe të saktë.

Megjithëse, mbi figurën e Enver Hoxhës janë hedhur në një kohë të shkurtër, të gjithë rrebeshet e mundshme, përsëri dyzimi ndaj tij vazhdon të mbetet një gjë e pranishme, e prekshme dhe që nuk mund të hiqet me dekretet, as të së djathtës e as të së majtës.

Vitet që erdhën e shkëputën mllefin nga arsyeja, e hoqën zemërimin nga mendimi, sollën krahasimin mes dy kohëve, njëra e së shkuarës, që nuk perceptohet dot në gjerësinë e saj dhe tjetra, e tashme, e prekshme dhe shpesh herë, neveritëse.

Por, fakti mbetet fakt. Dy dhjetëvjeçarë më parë, kudo, në të gjithë shtetin, e përtej tij me një shpejtësi të marramendshme, ndryshuan gjërat, ndryshoi edhe mendimi e qëndrimi ndaj liderëve të kohës, e mes tyre, edhe për Enver Hoxhën. Nuk ka ndryshim dramatik, por shenja e rikthimit të Enver Hoxhës, megjithëse nuk duam ta pranojmë, ashtu si pa u ndjerë, po futet gjithnjë e më shumë tek disa njerëz, jo edhe aq si nostalgji, por si përcpetim i një bote ndryshe nga sa ishte menduar.

Enver Hoxhën nuk mund ta rikthejnë disa vetë që mbartën portretin e tij. Atë po e rikthen politika jonë, politika e ditës, e sharjeve, e pasurimit të padenjë, e vjedhjeve, e grabitjeve, e rikthimit të alfabetizmit, po e rikthen, duke thënë se e luftuam, pikërisht ajo klasë politike që në vitin 1990 ,u shfaq kundërshtare e vendosur e tij.

Dhe njeriu, i cili ka një të metë, ai mund të mendojë, thotë me vete: po këta, në këtë kohë, kur i thonë demokraci, bëjnë kaq shumë gjëma, çfarë do të kishin bërë në një kohë tjetër? Dhe fillon e mendon për kohën tjetër, fillon e mendon kur ishin të varfër, por nuk kishin mbi kurriz gjithëfarë vagabondësh politikë. Fillon e mendon për një kohë kur mjekët nuk largoheshin dot nga fshati ku shërbenin, ku për një fëmijë të sëmurë rrinin gjithë natën në këmbë dhe harronin fëmijët e tyre. Ju sjell një shembull. E kam pasur mik të afërt mjekun Skender Zaimaj. Nuk bën nëna djalë më të mirë se si ishte ai. Nuk jeton më. Ishte drejtor i spitalit në Selcë të Vermoshit, specialist i sëmundjeve kancerogjene, dhe natën e vitit të ri, sapo ishte ulur me familjen, një telefonatë për një të sëmurë në Vermosh, 100 kilometra larg, e ngre nga tryeza e shtruar, udhëton gjithë natën, nëpër borë e akull dhe i shpëton jetën një njeriu. Kush e bën tashti këtë. Askush, ose më saktë, pak kush. Tani mjekët rrinë me turne në zonat e tyre… një javë unë, një javë ti, një javë ai tjetri. Dhe njerëzit fillojnë e marrin mall, sepse nuk kanë as lekë të paguajnë për mjekun, ilaçet, analizat…

Enver Hoxhën e ndalon ajo politikë, tek e cila njerëzit kanë shpresuar që nga dhjetori i vitit 1990 dhe që nuk po e gjen rrugën për të ardhur tek ne.

Nuk e risjell atë zhurma e pak çasteve e disa njerëzve, të cilët ende e kanë mendjen në një portret.

Atë e risjellin njerëzit tanë të politikës, të cilët, edhe në një vend të shenjtë, si parlamenti ynë, e kanë kthyer në një grazhd të neveritshëm.

Njerëzit kanë një të metë, ata mendojnë. Kanë të drejtën të mendojnë. Nuk besoj se do të ketë ende njerëz që ëndërrojnë kthimin e luftës së klasave, izolimin, ritkhimin e ndalimit të pronës private. Edhe dikush, kushdo qoftë, do të kishte provuar rikthimin e tyre, ai do të ishte shumë shpejt i dëbuar.

Por duan më shumë qetësi, çka  nuk e kanë; duan punë, të cilën duhet ta blejnë; duan siguri për jetën e tyre dhe nuk kanë ku e gjejnë, sepse të vrasin ditën për diell e jo më natën për hënë; duan politikanë të ndershëm, por ata janë për faqe të zezë; duan që qytetet të mos shkretohen, por ata po mbesin bosh; duan një politikë agrare ndryshe nga sa është sot, por financat fluturojnë drejt së panjohurës.

Enveri ishte simbol i një kohe tjetër. Ajo kohë nuk kthehet më. Nostalgjia mbetet, e jo rrallë jo vetëm nostalgjia. (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …