Pëllumb Xhufi: Mitrovica e veriut është vatër të problemeve jo vetëm për Kosovën por edhe për Serbinë

Pëllumb Xhufi: Rruga e lirisë së Kosovës sipas një ambasadori

Lufta e Kosovës mobilizoi si kurrë më parë, mbarë komunitetin ndërkombëtar në një aksion të përbashkët për të shpëtuar, kësaj here shqiptarët e Kosovës, nga kasaphana e radhës e regjimit të Millosheviqit.

Organizma me shtrirje globale e rajonale, si OKB-ja me agjencitë e shumta të saj, BE, OSBE, NATO, OKI dhe shtete të veçanta, brenda dhe jashtë kuadrit të tyre, si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Turqia etj., u gjendën përpara një sfide të re që, pas tragjedisë së Bosnjës, klika kriminale e Beogradit i bënte parimeve të barazisë e të bashkëjetesës demokratike në respekt të të drejtës së çdo populli për të vendosur vetë për të ardhmet e tij, mbi të cilat mbështetet paqja dhe rendi i ri botëror.

Kapitulli i Kosovës vuri përpara provës së zjarrit edhe shtetin shqiptar, me të gjitha strukturat e mekanizmat e tij, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në atë kohë politika dhe diplomacia shqiptare kanë vepruar vendosmërisht në mbrojtje të çështjes së Kosovës, duke e kthyer Tiranën në një faktor të rëndësishëm të koncertit ndërkombëtar që u angazhua për zgjidhjen e konfliktit.

Për shumë nga politikanët dhe diplomatët shqiptarë, ku përfshihet me plot të drejtë edhe ambasadori Ksenofon Krisafi, vitet 1998-1999 përfaqësojnë pikën kulmore të karrierës, dhe jo vetëm të karrierës, por edhe të angazhimit qytetar e patriotik të tyre.

Me ndjenjë të fortë përgjegjësie, ata mbrojtën plot dinjitet, kompetencë e pathos çështjen e Kosovës, në çdo forum ndërkombëtar dhe në çdo takim formal a informal me përfaqësuesit e qendrave vendimmarrëse të politikës botërore.

Këtu vendosen në rend të parë ndërhyrjet dhe fjalimet e përfaqësuesve të shtetit shqiptar pranë OKB-së dhe organizmave të OKB-së në Nju Jork e në Gjenevë, pranë NATO-s, OSBE-së, BE-së etj.

Në vitet dramatike 1998-2002, kur në Kosovë u konsumuan ngjarjet epokale të krizës, luftës, çlirimit e rindërtimit, që çuan në mëvetësimin e Kosovës si shtet i pavarur e sovran, një prej njësive më aktive të diplomacisë shqiptare ishte padyshim përfaqësia pranë Zyrës së OKB-së në Gjenevë, ku prof. Ksenofon Krisafi mbuloi detyrën e përfaqësuesit të Përhershëm të Republikës se Shqipërisë.

Gjeneva ishte një nga tribunat kryesore ku shteti shqiptar shpalosi në vazhdimësi qëndrimet e tij ndaj ngjarjeve që zhvilloheshin në Kosovë.

Lexuesi bindet për këtë, teksa lexon ato fjalime, që janë përzgjedhur e botuar në këtë vëllim, dhe që janë mbajtur gjatë atij katërvjeçari nga Ambasador Krisafi në mbledhjet e seancat plenare të Komitetit të të Drejtave të Njeriut, në ato të Këshillit Ekonomik e Social të OKB-s, të Komitetit Ekzekutiv të UNHCR, të Këshillit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, të Këshillin Administrativ të PNUE-s, të Kryqit të Kuq e Gjysmëhënës së Kuqe.

Sigurisht, fjalimet e ambasadorit Krisafit të përfshira në këtë vëllim, përfaqësojnë vetëm një pjesë fare të vogël të angazhimeve të përditshme të tij e të Misionit të drejtuar prej tij në favor të promovimit të çështjes së Kosovës në organizmat e OKB-së me seli në Gjenevë dhe në kontaktet gjithashtu të përditshme me përfaqësuesit e vendeve të tjera në këto organizma.

Gjithsesi, në to mishërohen në mënyrë koncize e mbresëlënëse linjat e politikës së Tiranës zyrtare ndaj çështjes së Kosovës, të cilat përcilleshin në Gjenevë, pse jo, me vlerën e shtuar që i jepte mesazheve politike të Tiranës zyrtare informacioni, erudicioni e pasioni kombëtar i prof. Krisafit.

Siç e konstaton vetë autori sot, pas 20 vjetësh, vitet 1998-1999 ishin një tjetër epokë, dhe për një përfaqësues të Shqipërisë ishte e pamundur të ruhej ftohtësia e qelqtë, tipar emblematik i një diplomati, ndërkohë që në Kosovë martirizohej një pjesë qenësore e popullit shqiptar.

Ky zjarr e pasion, veç erudicionit e kompetencës juridike e diplomatike, ka qenë pjesë e recetës origjinale që me siguri i bënte fjalimet e ndërhyrjet e ambasadorit Krisafit të depërtonin e të linin gjurmë deri edhe në ndërgjegjet më të ftohta e skeptike të auditorit diplomatik të Gjenevës, të cilat ndonjëherë nuk donin ose nuk arrinin të dallonin xhelatin nga viktima.

Në këtë kuptim, fjalimet e përfaqësuesit të Shqipërisë në Gjenevë janë herë-herë atipike për një mjedis diplomatik. Gjuha e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë e zgjedhur qëllimisht prej tij përcillte tek auditori i zgjedhur sigurinë e mbrojtjes së një kauze të drejtë dhe urgjencën për të vepruar e për të parandaluar tragjedinë e një populli.

Qysh në fjalimet e para të tij, menjëherë pas fillimit të masakrave e të dëbimit masiv të shqiptarëve të Kosovës, ambasador Krisafi artikulon disa koncepte të forta, politike e juridike, të cilat shumë shpejt do të adoptohen edhe në ligjërimin ndërkombëtar kundrejt regjimit të Beogradit.

Aty flitej për përdorimin sistematik të terrorit kundër shqiptarëve, për masakra dhe shkelje flagrante të instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare, për tentativë të regjimit serb për të shuar identitetin e Kosovës e të shqiptarëve të Kosovës nëpërmjet shkatërrimit të dokumenteve zyrtare e personale.

Akuzohej gjithashtu regjimi i Milosheviqit për krime ndërkombëtare të luftës, për krime kundër njerëzimit e, në fund, për akte të spastrimit etnik e të një genocidi të programuar serb mbi popullin shqiptar. Akte të tilla, konkludonte Ambasador Krisafi, rrezikonin jo vetëm ekzistencën e një populli, por paralajmëronin një destabilizim të krejt Ballkanit e më gjerë.

Qysh në 1 prill të vitit 1999, përfaqësuesi i Shqipërisë njoftonte vendimin e qeverisë shqiptare për të denoncuar krerët e regjimit të Beogradit dhe ushtarakët e lartë serbë në Gjykatën e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, dhe jepte lajmin se autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me hetues të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, kishin nisur mbledhjen e fakteve dhe kishin nisur zyrtarisht hetimet për të dokumentuar me prova e dëshmi autentike krimet serbe.

Në kushte të tilla, në fjalën e tij të 6 prillit 1999, ambasador Krisafi nënvizoi me forcë kërkesën që popullit të Kosovës t’i jepej mundësia të ushtronte të drejtën e tij të patjetërsueshme për vetëvendosje, si e vetmja zgjidhje e drejtë.

Ambasador Krisafi nuk mungoi t’i drejtohej me nota kritike ndonjë kancelerie të huaj, që ndërsa kishte heshtur ndaj represionit e masakrave të regjimit të Beogradit mbi shqiptarët e Kosovës, kërkonte t’i bënte fajtorë apo bashkëfajtorë edhe këta të fundit për gjendjen e krijuar në Kosovë.

Në këtë kuptim, Krisafi iu kundërvu hapur e ashpër ndonjë përpjekjeje që bëhej në tribunat e OKB nga përfaqësuesit e ndonjë shteti për t’i ngjyrosur si “terroriste” qëndresën e armatosur të rinisë kosovare ndaj agresionit ushtarak serb dhe UÇK-në, ndërkohë që të njëjtët kishin heshtur dhe vazhdonin të heshtnin kundrejt gjenocidit që autoritetet serbe po zbatonin me konsekuencë kundrejt shqiptarëve e madje përpara syve të opinionit botëror.

Figura emblematike e qëndrimeve të tilla, që ambasadori Krisafi i denoncoi hapur si “antishqiptare” u bë, në vitet 1999-2001, i dërguari special – raportues i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në ish-Jugosllavi, Jiri Dienstbier. Jo më kot, ndër fjalimet më me nerv që ambasadori Krisafi ka mbajtur në seancat e KDNJ në Gjenevë, janë ato në të cilat ai denoncon prerazi rolin e padenjë që ky funksionar i lartë i OKB-së luajti gjatë periudhës së konfliktit e asaj të post-konfliktit në Kosovë.

Në një fjalim të mbajtur në mars të vitit 2000, ambasadori Krisafi e pikturonte saktë portretin e Diensbirit, të njeriut që, siç shprehej ai, e quante gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë edhe më të rëndë se ajo e vitit 1999.

Si është e mundur, pyet Krisafi, që të vihen në të njëjtin plan politikat e Beogradit të genocidit e të spastrimit etnik, viktimë e së cilave ishin mbi një milion shqiptarë, me raste të rralla e të izoluara dhune, që raportoheshin në Kosovën e çliruar në dëm të ndonjë individi serb.

Nëse Dienstbier rezervon epitete të tilla si “terroristë”, “banditë”, “mafiozë”, “luftënxitës” për shqiptarët e Kosovës, pra për ata që ishin pikërisht viktima të terrorit serb, kjo, sipas Krisafit ishte prova më e qartë se z. Dienstbier ishte jashtë rolit e funksionit të tij si raporter i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut në Jugosllavi, dhe ishte vënë në shërbim të politikave të diskredituara e botërisht të dënuara të regjimit kriminal të Beogradit.

Krisafi denoncoi gjithashtu ashpër rolin prej Kasandre, që Diensbir mori në atë kohë, duke fryrë “rrezikun” e gjoja “Shqipërisë së Madhe”, që paskish nxjerrë kokë tani, pas ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës. Me fakte historike ai i provoi auditorit të zgjedhur të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, se fantazma e “Shqipërisë së Madhe” ishte një shpikje e shovinizmave ballkanike, përkatësisht e shovinizmit serb, me të cilën ky rrekej të maskonte synimet e veta për shtrirje territoriale në dëm të Shqipërisë e të popullit shqiptar.

Sigurisht, Jiri Diensbir është sot një personazh i harruar.

Por, ky libër i prof. Ksenofon Krisafit merr një vlerë të veçantë edhe për këtë gjë: kundrejt zhvillimeve që kanë ndodhur pas qershorit të vitit 1999, pengesave që ka ndeshur procesi i mëvetësimit, i zhvillimit ekonomik, institucional e demokratik të Kosovës dhe kundrejt “tolerancës” së pajustifikuar, që është treguar ndaj Beogradit edhe kur veprimet e tij kanë rënë ndesh me vlerat evropiane dhe me prirjen e përgjithshme drejt paqes e integrimeve euroatlantike, në të cilat tashmë e njohin veten të gjithë popujt e Ballkanit, libri i tij tregon se “fenomeni Dienstbier” nuk është një aksident historik, por është një orientim politik i qendrave të caktuara të politikës rajonale e të asaj globale, me të cilin duhet të jetojmë edhe në të ardhmen. /lexo.al/

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …