Frank Shkreli

Frank Shkreli: Një kadet nga Shqipëria në Akademinë Amerikane, West Point

Të hënën që kaloi, në javën e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, Akademia e Ushtarake e Shteteve të Bashkuara, West Point, priti mbi 1200 kadetët e rinjë për këtë vit të ri shkollor, ndër ta edhe një shqiptar, nga 16 kadetët ndërkombëtarë të pranuar këtë vit në Akademinë prestigjoze ushtarake amerikane. Dita e pritjes së kadetëve shënon fillimin e një trajnimi e stërvitjesh rigoroze, pas të cilave studentët pranohen zyrtarisht në Korpusin e Kadetëve, me 18 gusht.  Ndër kadetët e rinjë përfshihen 294 femëra, 400 studentë nga radhët e pakicave dhe 16 studentë ndërkombëtarë, përfshirë edhe kadetin Enea Hilaj nga Shqipëria.  Me 21 qershor, gjatë një ceremonie në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Atasheu Ushtarak amerikan pranë kësaj ambasade, Z. James Hilton i dorëzoi Enea Hilajt — i cili shoqërohej aty nga familja e tij, Certifikatën e pranimit të tij në Akademinë Ushtarake Amerikane.

Sipas një njoftimi në portalin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Enea Hilaj është kadeti i katërt nga Shqipëria, i pranuar deri më tani në Akademinë Ushtarake amerikane West Point, por është i pari kadet nga Shqipëria, që është pranuar në West Point, në shtatë vitet e fundit.  Shqipëria u zgjodh për të dërguar një kadet, megjithse vendet për studentët ndërkombëtarë këtë vit ishin të kufizuar vetëm në gjithsejt 16 studentë nga vendet e huaja. Në njoftimin e ambasadës thuhet se Enea Hilaj u emërua pas një procesi të drejtë dhe transparent rekrutimi, të bashkrenduar me Qendrën Shqiptare të Rekrutimit.  Thuhet se Z. Hilaj pritet të diplomohet nga West Point në vitin 2022 dhe pastaj do të këthehet në Shqipëri për të shërbyer, në bazë të kontratës, si oficer në radhët e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.  Në njoftimin e Ambasadës amerikane në Tiranë thuhet se emërimet për West Point janë të hapura për të gjithë të interesuarit civilë dhe ushtarakëtë moshave 17 deri në 22 vjeç dhe bëhen bazuar në arritjet akademike, gjëndjen e mirë fizike në aftësitë e demonstruar për udhëheqje.  Vendet nga do vinë kandidatët përzgjidhen nga Departamenti Amerikan i Shtetit në konsultim me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes dhe pastaj ambasadat amerikane në vendet përkatëse u kërkojnë atyre të caktojnë deri në gjashtë kandidatë për të konkuruar për pranim në Akademinë Ushtarake Amerikane.  Në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë për emërimin e Enea Hilajt për kadet në West Point, theksohet se në vitet e ardhëshme pritet që të bëjnë lutje edhe kandidatë të tjerë dhe e cilëson pranimin e kadetit Hilaj në Akademinë Ushtarake në West Point si, “Shembullin më të fundit në listën e gjatë të shembujve të një marrëdhënieje të shkëlqyeshme midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”

Atasheu ushtarak pranë ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Z. James Hilton duke i dorëzuar  më 21 qershor kadetit shqiptar, Enea Hilaj Çertifikatën e pranimit në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara

Të pranohesh në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në West Point nuk është aspak e lehtë, por është një nder i jashtzakonshëm që gjithmonë është rezervuar vetëm për studentët më të mirë dhe më të shquar të kombit amerikan. Për t’u pranuar në Akademinë më prestigjioze ushtarake amerikane, kadetët jo vetëm që duhet të jenë inteligjent, por duhet të jenë edhe fizikisht në gjëndje të mirë dhe individ që shquhen nga tiparet e karakterit të shkëlqyeshëm njerëzor. Ata që përzgjidhen për tu pranuar në West Point, sigurojnë një edukatë universitare që nuk e ka shoqën askund në botë, ndërkohë që të gjitha shpenzimet janë të paguara nga Akademia.  Diploma nga Akademia Ushtarake Amerikane në West Point, gjatë gjithë jetës do i dallojë të diplomuarit e Akademisë West Point nga të tjerët, për nga aftësitë, për nga karakteri, si dhe për zotësitë udhëheqse që ata do të kultivojnë aty, duke i bërë ata anëtarë të një grupi ushtarakësh ndërkombëtarë të dalluar dhe shumë të respektuar midis kolegëve të tyre.

Dy vjetë më parë Akademia Ushtarake e Shteteve të Bashkuara kishte pranuar edhe dy kadetë nga Republika e Kosovës, dy të rinjë shqiptarë të FSK-së, të pranuar në akademinë ushtarake më të njohur në botë, janë Arilena Shala dhe Ylli Dalladaku.  Të dy këta janë studentët e parë nga Kosova që shkollohen në Akademinë Ushtarake Amerikane në West Point.

Misioni i Akademisë Ushtarake në West Point është, “Për të edukuar, për të trajnuar dhe për të frymëzuar korpusin e kadetëve, ashtuqë secili kadet që diplomohet, të jetë një udhëheqës i dedikuar ndaj vlerave karshi Detyrës, Nderit dhe Atdheut… dhe gjithëherë i gatëshëm për ti shërbyer kombit të vet”. Akademia realizon misionin e saj duke edukuar dhe zhvilluar kadetët me tipare të një udhëheqsi për të ardhmen, duke u bazuar në programet akademike, ushtarake dhe fizike që ofron West Point. Sipas Akademisë, zhvillimi i udhëheqsve të ardhëshëm ushtarakë e politikë i ka rrënjët në parimet e një përgatitjeje etike dhe morale si dhe në Kodin e Nderit, sipas të cilit kadetët betohen se, “Nuk do të gënjejnë, nuk do të mashtrojnë, nuk do të vjedhin dhe nuk do të tolerojnë as ata persona që bëjnë gjëra të tilla”. Secili kadet, është një udhëheqës, thuhet në portalin e Akademisë West Point, dhe si të tillë janë shembuj për të tjerët.

Kadetit shqiptar Enea Hilaj si dhe kandidatë e mëparshëm shqiptarë nga Shqipëria dhe nga Kosova, janë pranuar në West Point krejtësisht bazuar në meritat e tyre duke konkuruar, jo vetëm me mijëra studentë amerikanë që çdo vjet bëjnë lutje për t’u pranuar në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara, por ata kanë konkuruar me më të mirët dhe me më të shkëlqyeshmit e këtij vendi, për nga sjelljet dhe karakteri, por edhe për nga përgatitjet akademike dhe fizike. Dhashtë Zoti që të rinjë shqiptarë të dalin me sukses në nismën e tyre e të dallohen dhe të diplomohen nga Akademia Ushtarake më e njohur në botë dhe si të tillë të shërbejnë edhe si frymëzim për moshatarët e tyre shqiptarë kudo, duke treguar se me mund, djersë, nder, moral e karakter, çdo gjë është e mundur.

Shpresojmë gjithashtu se njëkohësisht, me arritjet, me sjelljet dhe eventualisht me sukseset e shkëlqyeshme akademike dhe ushtarake që kërkon prej tyre Akademia Ushtarake në West Point, kadetët shqiptarë nga Shqipëria dhe nga Kosova, të nderojnë dhe t’i japin emër të mirë vetes, familjeve që i rritën dhe mbarë kombit shqiptar, të cilit i përkasin.

Duke marrë parasyshë zhvillimet aktuale politike – shpesh tepër zhgënjyese, anë e mbanë trojeve shqiptare — detyrohemi të shpresojmë se e ardhmja e kombit shqiptar do të njohë ditë më të mira kur të udhëhiqet, eventualisht, nga brezi i këtyre kadetëve shqiptarë, të brumosur në etikën dhe moralin, në nderin dhe në dashurinë për Atdheun, karakteristika këto që do t’ua ofrojë disiplina, edukata ushtarake dhe akademike në West Point. Dalshin me faqe të bardhë!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …