Frank Shkreli

Frank Shkreli: Pushteti absolut korrupton absolutisht

 “Pushteti absolut, korrupton absolutisht”, është një citim që i atribohet politikanit britanik të shekullit të 19-të, Lordit Akton, megjithse – në forma të tjera me të njëjtin kuptim – është përdorur edhe nga shkrimtarë dhe opinionistë të tjerë, shumë kohë para tij. Por, që në thelb do të thotë se sa më shumë që të rritet pushteti i një personi, aq më shumë zhduket edhe ndërgjegja dhe përgjegjësia morale tij ndaj të tjerëve.   Ndërsa në shekullin e kaluar, ish Senatori amerikan, demokrati William Fulbright ka shkruar gjërësisht mbi ushtrimin e pushtetit absolut politik të një individi, por edhe të një shteti. Ai citohet të ketë thënë se “Pushtetari e konfuzon ose e ngatërron veten me virtytet e larta morale, duke e konsideruar veten si të gjithëfuqishëm ose të gjithëpushtetshëm.”

Shembuj të ushtrimit të pushtetit absolut ka shumë gjatë gjithë historisë, duke filluar nga ditët e sotëme, historia e regjimeve komuniste të shekullit të kaluar e deri thellë në histori duke filluar me shembuj si perandori Napoleon Bonaparti e deri në kohën kur perandorët romakët e konsideronin veten si zotër të universit të tyre.  Për pushtetarët të cilët mund të mendojnë se janë të gjithëpushtetshëm, ish-Senatori Fulbright këshillon se, “Në rrugën e gjatë të historisë, është një siguri më e mirë dhe më e madhe të kesh njerëz që kuptojnë mendimet dhe qëndrimet tua (me fjalë tjera t’i bindësh ata), se sa të kesh edhe një nëndetse tjetër”, duke shtuar se, madje edhe, “Në emër të objektivave fisnike, njerzit kanë kryer dhe kryejnë aktet më mizore kundër njëri tjetrit.”

Ndonëse kjo frazë është përdorur fillimisht në shekullin e 18-të, ç’do të thotë dhe çfarë kuptimi ka për aktualitetin politik dhe shoqëror në botën e sotëme, pa marrë parasyshë se për cilin vend ose për cilën shoqëri, ose për të cilët pushtetarë të korruptuar flasim. Të gjithë e dimë se edhe sot kemi mjaft shembuj, ku kjo frazë u përshtatet shumë pushtetarëve aktualë kudo – pa i përmendur me emër sepse janë shumë të tillë – megjithse ata mund ta konsiderojnë veten të zgjedhur nga shumica, e të cilët pretendojnë, se si të tillë, nuk kanë karahasim me perandorët e dikurshëm ose me “perandorët e kuq” të shekullit të kaluar. Shumë akademikë dhe opinionistë kanë folur dhe flasin për të ashtuquajturën “diktaturë e shumicës”, sidomos kur nuk ekziston dialogu midis shumicës dhe pakicës politike në një vend, por le ti këthehemi subjektit për të cilin po flasim, se cili është pra kuptimi i frazës, “Pushteti Absolut, Korrupton Absolutisht”, për aktualitetin e sotëm politik.  Sipas përcaktimit të definacionit të frazës do të thotë se pushteti e korrupton njeriun, pakëson vlerat morale të një pushtetari dhe sa më shumë pushtet të ketë një individ, aq më i korruptuar do të bëhet ai në ushtrimin e pushtetit të tij.  Ashtu si edhe në shekullin e 18-të, kjo frazë do të thotë gjithashtu se ata që janë në pushtet, shpeshëherë nuk kanë parasysh interesat e popullit dhe janë të përqendëruar, kryesisht, në përfitimet sa më të mëdha për veten e tyre dhe si rrjedhim abuzojnë me pushtetin në mbështetje të interesave të tyre personale, partiako-politike, ose rrethit të tyre të ngusht.

 Prandaj në qoftë se ndiqet kjo logjikë, sipas disa eskpertëve, arrijmë në përfundimin se individët që ushtrojnë pushtetin më të lartë në shtet dhe në qeveri — natyrisht me ndonjë përjashtim aty këtu — kanë një mungesë të madhe të vlerave morale, kombëtare dhe shpirtërore. Nuk janë pra krijues të vlerave të mëdha si pushtetarë që duhet të jenë shembull për shoqërinë mbi të cilën ushtrojnë pushtetin e tyre.  Përfundimi, prandaj është se sa më shumë të rritet pushteti i një individi, aq më shumë zhduken vlerat e tija morale, si njeri dhe si pushtetar. Kulti i personit, quhej në regjimet komuniste!

Keqpërdorimi ose abuzimi me pushtetin buron, mbi të gjitha, nga dëshira e një pushtetari për të imponuar vullnetin e vet mbi të tjerët, në vend që me durim të bashkpunojë me ta — përfshirë pakicën politike — për të arritur objektivat madhore në interes të vendit dhe të kombit, nepërmjet proceseve ligjore, politike dhe përfaqsuese të një vendi.  Por, fatkeqësisht, dëshira për përfitime personale dhe partiake si dhe keqdashja ose vullneti i keq i një pushtetari ndaj atyre që ai mund t’i konsiderojë si kundërshtarë të pushtetit të tij, qoftë për arsye politike ose të tjera dallime shoqërore, fetare ose krahinore, duke mos përjashtuar edhe mos aftësinë ose mungesën e kompetencave ose zotësive të nevojshme të një pushtetari të ndershëm për të udhëhequr me moral dhe me drejëtësi – janë sipas ekspertëve – arsyetë kryesore se pse, në të gjitha kohërat, përfshirë edhe sot — pushtetarët absolutë, pothuaj pa përjashtim, janë absolutisht të korruptuar!

Pothuaj çdo ditë në medien shqiptare nuk mungojnë kryeartikujt në lidhje me mungesën e dialogut politik dhe për sjelljet arrogante të shumicës. Të korruptuar ose jo, kur është fjala për pushtetarët e sotëm shqiptarë, qoftë në Shqipëri qoftë në Republikën e Kosovës, qoftë kudo në trojet shqiptare, një gjë është e sigur. Se, mungesa e dialogut dhe arroganca e pushtetarëve në marrëdhëniet me njëri tjetrin dhe me kundërshtarët e tyre politikë, si dhe mos ndëshkimi i të korruptuarve po e zhdukin njëherë e përgjithmonë ëndërrën dhe shpresën që shqiptarët kishin në mbarim të shekullit të kaluar, se shekulli 21 do të ishte, më në fund, “shekulli i shqiptarëve”.  Por cilat do qofshin arsyet: pushtetarët e korruptuar, mungesa e dialogut ose përçarjet politike – një gjë është e qartë, fatkeqsisht, se nga dita në ditë vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtyre pothuaj 30-vjet post-komunizëm, për të jetuar në harmoni dhe në vëllazërim kombëtar, në dialog dhe mirëkuptim e respekt me njëri tjetrin në veçanti, por edhe me të tjerët përtej kufijve, në përgjithsi, në kuadër të integrimeve euro-atlantike.  Historikisht, armiqtë e shqiptarëve i kanë dashur ata të ndarë e të pëçarë, politikisht dhe gjeografikisht, në trojet e veta dhe qëtë jenë larg botës së qytetëruar.  Sot, fatkeqsisht, shqiptarët po e bëjnë këtë vet, pa ndihmën e të huajve.

Si kurrë më parë, fati i shqiptarëve është sot në dorë të vet shqiptarëve. Sidomos në këtë vit të shpallur si Viti i Gjergj Kastriotit-Skenderbe, nepërmjet dialogut kombëtar, të gjithë shqiptarët, siç është shprehur dikur edhe At Anton Harapi, t’u tregojnë, “Miqëve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë vetë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare…Të punojnë sa të jetë e mundur më tepër për të futur dashurinë midis vëllëzërve që jetojnë në një vend me ne, që kanë të njëjtin emër shqiptar, ndjekin të njëjtin fat dhe të njëjtin ideal: Fatin e Shqipërisë, idealin shqiptar…Paçim të vërtetën udhëheqse, dashuria të na mbajë ngahera”, ka shkruar ai.

Kjo është mënyra më e mirë që të minimizohen dëmet që vijnë, për mbarë shoqërinë, nga të gjithë pushtetarët absolutë të korruptuar dhe të pandëshkuar, tani ose në të kaluarën – të gjithë duhet të gjykohen dhe të ndëshkohen bazuar në disa standarde morale themelore universale për hir të së vërtetës, të drejtës dhe të integritetit kombëtar dhe të historisë së shqiptarëve.  Ushtrimi i pushtetit absolut pra, jo vetëm që korrupton absolutisht, por është edhe armiku më i madh i harmonisë dhe vëllazërimit kombëtar, dialogut, i mirëkuptimit dhe respektit për njëri tjetrin dhe për shoqërinë në përgjithësi.

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …