Ahmet Qeriqi: Shënimi që nga pikëllimi nuk arrita ta lexoj në varrimin e Agim Lecit

A. Q. Servilizmi i disa shqiptarëve ndaj të huajve, është një si sëmundje malinje e pashëruar ndër shekuj

Thuhet se popujt e vegjël përdorim mekanizma mbrojtës, duke vënë në lëvizje të gjitha format e veprimit me qëllim për të ekzistuar. Kjo është një e vërtetë relative, por në rastin tonë, është diçka më shumë. Mbase nga frika e lindur që ka ardhur si pasojë e pësimeve dhe tragjedive të rënda historike,  me të cilat jemi ballafaquar  në të kaluarën, një pjesë jona, duke ndodhur para dilemave të rrezikshme si ajo, dilema hamletiane,“ të jesh apo të mos jesh”, gjithnjë ka pranuar  të parën, pavarësisht pasojave. Në raste të veçanta kjo duket se ka qenë njerëzore, por jo gjithherë është treguar si e vetmja rrugë.

Mjerisht, servilizmi, sidomos  ndaj të huajve, ka qenë dhe po mbetet nus prodhim i pacifizmit historik shqiptar, të cilin e kemi pasur dhe e kemi prodhim të fortë kombëtar, me të cilin mund edhe të krenohemi para kujt do në botë.

Besnikëria ndaj të huajve mbase çerdhen e vet e ka në Kanunin shqiptar të lashtësisë, ku thuhet se “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, pra është pak më shumë se shtëpia ime. “Miku është i shenjtë, atij i shërbehet gjithçka përpara dhe është ne besë të konakut derisa dalë në Rrugën e madhe”, kështu shkruan në kanun.

Ky fenomeni i servilizmit që nuk është vetëm shqiptar, dhe, mund të mos jetë pjesë historike e ADN-së, është bërë përpjekje të lidhet me Besën si fenomen fondamental i mbajtjes së premtimit, por nuk del të jetë ashtu.

Kodi zakonor: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”, ka një relevantë të hershme biblike, sepse shtëpia është konsideruar e shenjtë dhe shtëpiari është detyruar ta mbrojë me çdo kusht e me çdo çmim. Është e njohur historia  e profetit Lot në Bibël.

Pretendimi që fenomeni i Besës ka bërë që shqiptarët të shpëtojnë hebrenjtë gjatë luftës së Dytë Botërore është i paqëndrueshëm, sepse shqiptarët nuk u kishin dhënë besë askujt për t’i shpëtuar, meqë edhe vetë ndodheshim para katrahurave dhe pësimeve nga të gjitha anët.

Shpëtimi i  hebrenjve lidhet krejtësisht me mikpritjen, por edhe kjo është ekzagjeruar, sepse kishte edhe shumë njerëz etnish të ndryshme, që kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Servilizmi i sotëm me preferenca politike të zyrtarëve, politikanëve të caktuar, të OJQ-ve mercenare, që marrin favore në këto nisma, ndaj shtetit të Izraelit, duke u përpjekur me qëllim për të bërë kapital politik në këtë drejtim, kalon mbi nderin dhe respektin që kanë treguar shqiptarët në një moment të caktuar historik dhe krejt kjo  fsheh  anën tjetër të medaljes, atë të urrejtjes së dikurshme ndaj kësaj etnie, në kushte dhe rrethana të caktuara. Natyrisht se kjo heshtet, me qëllim të përforcimit të servilizmit

Duke ditur edhe këtë anë të kësaj medaljeje, duke marrë për bazë që shteti i Izraelit nuk e ka pranuar as e pranon kurrë Shtetin e Kosovës, për shkak të shumicë dërrmuese islame, servilizmi ndaj Izraelit duket anakronik dhe nuk arsyetohet, përkundrazi vetëm sa përforcon servilizmin si të tillë.

A thua pak fonde ka Izraeli, shteti më militarist i botës, ekonomikisht ndër më të zhvilluarit, sa u dashka shqiptarët të mbledhin fonde për renovimin e një ndërtese të vjetër në Prizren, të cilin komuna e Prizrenit, ia ka dhënë për përdorim bashkësisë hebraike të Kosovës. Për këtë ndërtesë, biznesmenët shqiptaro amerikanë- Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj, janë ata që po e mbështesin me fonde këtë Muze, që do t’i shërbejë qëllimit humanitar të promovimit të tolerancës. “Rrustem Gecaj dhe unë jemi angazhuar të grumbullojmë 50 mijë dollarë për Muzeun në fjalë, dhe deri më tani kemi grumbulluar 30 mijë dollar, ku deri në fund të këtij muaji, do të arrimë shumën deri në 50 mijë dollarë”, tha Bajraktari. Kurse, ambasadorja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara , Besiana Kadare, shprehu mbështetjen për organizatën “Motrat Qiriazi”.

Ndërkaq, shefja e Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në New York, Teuta Sahatqija, tha se Qeveria e Kosovës, tashmë e ka dhënë ndërtesën , komuna e Prizrenit i ka dhënë të gjitha lejet për Muzeun, por ajo ndërtesë, me ndihmën e komunitetit shqiptaro-amerikan, o të bëhet shtëpi. “Shqiptarët edhe kësaj here dëshmojnë, se jo vetëm në luftën e dytë botërore, i kanë shpëtuar hebrenjtë prej holokaust, por po e dëshmojnë çdo ditë që janë afër dhe janë njerëz të ndershëm dhe që janë aty ku nevojiten”, tha ajo.

Çka tregon kjo përpjekje, kush përfiton nga ky bllof politik, kur dihet fare mirë se Izraeli gjatë kohës së luftës në Kosovë ka mbështetur regjimin e Milosheviqit, edhe pse dihet mirë se pikërisht Izraeli është shteti më besnik i Amerikës, e cila e ka krijuar e mbanë, e siguron dhe e financon, ndërsa  Tel-Avivi zyrtar  nuk e pranon pavarësinë e Kosovës. Pse u dashkan fonde për një ndërtesë, në një vend ku ka pasur dikur  hebrenj, shumica syresh të konvertuar, të asimiluar dhe të shqiptarizuar. A thua Izraeli ka mungesë fondesh për qëllime të tilla, apo mosnjohja e Kosovës e vë në siklet, “mikëpritjen” shqiptare e cila në raste si këto nuk ka të bëjnë me ruajtje të ndonjë tradite, por me shpikje për qëllime e favore politike.

Një servilizëm i tillë i  një stafi të tërë politikanësh shqiptarë, jo vetëm të krishterë, por shumë të tillë me emra myslimanësh,  janë po kështu ekstremisht  servilë ndaj Vatikanit, në pretendime për të marrë simpatinë e këtij Shteti, kryeqendër e Krishterimit perëndimor. Do të ishte shumë më mirë, shumë më e moralshme që ata fillimisht të hiqnin dorë nga emrat islamë dhe të konvertoheshin në emra të krishterë, me qëllim që me vepër ta bindin Vatikanin se nuk janë dyfytyrësh fetarë, sepse Vatikani nuk e pranon një dyfytyrësi të tillë, edhe pse nuk e thotë hapur dhe kurrë nuk do ta thotë.

Qëndrimin e Vatikanit ndaj Kosovës “si tokë e shenjtë serbe”, edhe pse shkizmatike  ortodokse, me kohë dhe në mënyrë konstante e kanë shprehur kardinalët dhe krerët më të lartë fetarë. Këtë e di fort mirë edhe kleri katolik i Kosovës, i cili po kështu gjatë këtyre 11 viteve nga pavarësia e vendit tonë, ka spekuluar dhe  spekulon në vazhdimësi duke premtuar se Vatikani së shpejti do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Vatikani dhe Izraeli duket se e kanë kuptuar më shumë se ne, servilizmin atavist shqiptar, dyfytyrësinë fetare, laramane, të moçme disa shekullore dhe nuk na kanë ngenë, meqë kanë tjera orientime dhe preokupime.

Në vazhdën e këtij servilizmi atavist. “Të befasishme e ka cilësuar gazeta prestigjioze amerikane “Washington Post”, deklaratën e Thaçit se do ta lëvizte Ambasadën e Kosovës në Jerusalem, sigurisht nëse do ta kishte një të tillë, por nuk e ka. “Nëse Kosova do të njihej nga Izraeli, unë do ta hapja Ambasadën e Kosovës në Jerusalem”, tha Thaçi për mediet shqiptare. Gazeta amerikane ka kujtuar se vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump, që të lëvizë Ambasadën nuk ishte përkrahur nga shtete të mëdha dhe vetëm Guatemala dhe Paraguai e kanë ndjekur shembullin e tij.

 

Çka ka këtu më shumë se servilizëm, me qëllim për të ruajtur me çdo kusht pushtetin nën ndikimin amerikan, pavarësisht se një veprim i tillë del të jetë i dobishëm apo i dëmshëm për të ardhmen e vendit. Ja se deri në çfarë niveli e shpreh servilizmin e tij ndaj Izraelit zëvendës-kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj: Pata kënaqësinë të takoj një mik timin dhe të Kosovës, njëjtin nga njerëzit me ndikim të diasporës hebreje në Amerikë dhe në botë, Robert Singer. Si aktivist dhe zëvendëspresident i ‘World Jewish Congress’, ai ka ndihmuar shumë Kosovën dhe vizita e tij e parë këtu flet për një raport të veçantë që kemi si shqiptarë me popullin hebre” ka thënë Hoxhaj.

Janë me dhjetëra rastet e politikanëve dhe zyrtarëve tanë të kaluar e të tanishëm, të cilët kurrë nuk kanë pushuar duke e madhëruar Izraelin, duke treguar servilizëm të neveritshëm, por kurrë dhe asnjëherë nuk janë nderuar as respektuar nga zyrtarët apo politikanët e Izraelit.

Ndihma që shqiptarët u kanë dhënë hebrenjve në kohën kur krejt Evropa po i shfaroste, ishte e veçantë dhe i takonte kodit zakonor shqiptar, mirëpo edhe kjo ndihmë e ky përkushtim kanë shkuar për lesh, sepse miqtë e partnerët tanë  të mirën kurrë nuk na kanë kthyer me të mirë, por vazhdimisht kanë llogaritur dhe llogarisin interesat e tyre dhe jo nostalgjinë e servilëve të përjetshëm.

Me kot sot politikanët e Kosovës i bien në gjunjë dhe përkulën para shtetit të  Izraelit.

Tel-Avivi zyrtar kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, jo për shkak të precedentit të Palestinës, por për shkak të fesë dhe historisë së tyre.

Vatikani mund ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi ta ketë njohur Serbia dhe Kisha politike serbe. Deri atëherë, servilët tanë venë e vinë, duke parë ëndrra mos ndofta Amerika do ta bëjë Kosovën një Izrael të dytë, që do ta dridhte Evropën. Sa ëndërr e marrë dhe e çmendur. Kjo na kujton kohën kur shqiptarët e lidhur si mishi me thoin me Perandorinë Osmane, në kohën kur ajo po shembej,  ëndërronin në Topin e madh që e kishte shpikur,  “Baba dovleti” i cili do ta dridhte tërë botën…

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …