A. Qeriqi: Filloi ofensiva serbe kundër Bajrakut të Kumanovës. E diel 23 gusht, 1998. (Nga libri në dorëshkrim: "Kronikë Lufte") I

A. Qeriqi: Filloi ofensiva serbe kundër Bajrakut të Kumanovës. E diel 23 gusht, 1998. (Nga libri në dorëshkrim: “Kronikë Lufte”) I

Në orën pesë të mëngjesit,  ka filluar sulmi i forcave policore dhe ushtarake serbe mbi pozicionet e Komandant Kumanovës,  në Bajrak të Luzhnicës. Fillimi i furisë së shpërthimit të granatave ishte çmeritës. Serbët kanë goditur me të gjitha armët, e sidomos me raketa, me topa të kalibrave të mëdhenj dhe me tanke. Rrezja e veprimet të armës armike shtrihet në tërë Rrafshnaltën prej Dukës, Karaçicës, Luzhnicë, Javurit, Kleçkës e Divjakës, mirëpo në epiqendër të sulmit janë pozicionet luftarake në Bajrak të Luzhnicës, pastaj Te Godenët, në Qafë të Duhlës, në Bllacë dhe në drejtim ta rrugës, Javur Kleçkë. Jam zgjuar tejet i shqetësuar dhe kam dalë jashtë tendës. Gjëmimet janë të pandërprera. Janë të parat të këtij lloji për nga intensiteti dhe armatimi i rëndë. Duket sikur për asnjë sekondë nuk pushon asnjë breshëri arme. Është një furi tmerruese vetëm t`i dëgjosh nga largësia prej  dy kilometrash ku gjendemi ne, se lerë më të jesh nën goditje  të atij zjarri djallëzor.

Në kohën ku po ngjitesha për të parë se ku po luftohej, erdhi Faruk Gashi dhe më tregoi se cila ishte rrezja e veprimit të armës armike. Ai propozon që së bashku me Naim Rizanin të shkojnë përforcime, meqë për të ruajtur pikën e Lezhës gjatë ditës mjaftonte Hasani, vëllai im i cili ndodhet në Leshkë me tërë familjen e tij, në shtëpinë e dajës së gjyshit. I lejoj të shkojnë dhe e porosis që të kthehet pasi të vë kontakt, me qëllim  për të na lajmëruar.

Gryka e Shpëtimit po gjëmon. Banorët e Grykës janë të shqetësuar. Askujt nuk i shkon ndërmend për të ngrënë bukë. Të gjithë shikojnë nga jugu, ku po derdh zjarr lubia shumëkrerëshe. Secili duket i hutuar, sepse  të gjithë e dimë se ç na pret po që hyjnë serbët në Bajrak.

Në orën 11.00, nga shtabi në Luzhnicë është kthyer Faruk Gashi. Ai gjendjen e përshkruan si të rëndë. Thotë se e ka takuar Komandant Kumanovën  dhe me një grup ushtarësh kishte depërtuar në Luzhnicë.

Faruku thotë, nëse është për t`i besuar se nuk ka rrezik të depërtimit të këmbësorisë armike, ashtu ka dëgjuar të flasin ushtarët, ndërsa mua më bëhet se këmbësoria armike e ka nisur hapërimin. Serbët kanë sulmuar edhe në drejtim të Graiçevcit e të Rancës e të Budakovës në pikat e luftimeve të komandant, Jetullah Qarrit – Gurit, Sadik Halitjahës e të tjerëve.

Gjëmimi i topave dhe tankeve të armikut po dëgjohet edhe në pjesën qendrore të Drenicës si dhe në drejtim të fshatrave Fushticë, Mirenë, Kizharekë, Nekovc. Baicë e Shalë. Krojmiri si duket është lënë për më vonë.

(Fletoren e shënimeve dhe disa pajisje të tjera i kam marrë me vete.

I kam shënuar ngjarjet kryesore, por nuk i kam sistemuar në fletore për shkak se gjendem në rrugëtim dhe nuk ka më siguri qëndrimi në vend të caktuar).

Gryka ka filluar të hallakatet. Fëmijët po qajnë. Gratë janë ngurtësuar nga lebetia dhe krisma që gjëmon nga të katër anët. Furia është tejet e paparashikura. Tani duhet vepruar me ngut dhe me mend.

Lufta dhe jeta megjithatë po vazhdojnë…

Në orën 13.oo tre ushtarë të Karaçicës më kanë lajmëruar se një njësit paramilitarësh kanë depërtuar te Rrahi i Latifit, pika më strategjike e cila  duhet t`i parandalonte forcat serbe. Si duket ushtarët e asaj pike kanë dezertuar. Pas një kohe e takoj Elezin, i cili është mbytur në djersë.

Edhe ai ka dëgjuar lajmin e kobshëm të depërtimit të paramilitarëve serbë në Rrah. I them Elezit që ta çoj ndonjë ushtar për t`i thirrur Sylën dhe Luanin, të cilët po bëjnë përforcime në Grykë.

Elezi shfryn, kundër ushtarëve që e kanë lëshuar pikën, edhe pse nuk kemi sa duhet informacione se kush do të mund të ketë qenë atje dhe a kanë dezertuar me të vërtetë, apo kanë qenë të detyruar të lëshojnë pozicionet e para. Sipas përshkrimeve që ka bërë një vrojtues, me rastin e daljes së serbëve, te Rrahu, përmbi Pjetërshticë, ushtarët tanë në Grykë të Pjetërshicës kanë menduar se atje ka  depërtuar një njësit rezervë i UÇK-së.  Vetëm kur serbët kanë filluar të godasin në drejtim të tyre, ata e kanë kuptuar se çfarë ka ndodhur.

Jemi në momentet më të vështira për popullatën, e cila tanimë në kushte  të tërë këtij zjarri artilerik nuk mund të zhvendoset. Vijnë për të biseduar  edhe anëtarët e Shtabit Civil, Isa, Idrizi, Vehbiu, Hakiu, Ramadani, Heseti, Ismeti  e dhjetëra të tjerë. Secili propozon, secili diçka flet përçart, ndërsa unë ziej nga marazi

Pa vonuar vjen Sylë Qeriqi, Ramiz Qeriqi, Jetë Hasani, Halil Olluri dhe ushtarë të tjerë të vijës së parë të fronit. Unë dhe Elezi e ndajmë mendimin se serbët në Rrah duhen sulmuar nga shpina  qoftë edhe me çmimin më të lartë të mundshëm. Mendimi aprovohet. Fuqia e armës çlirimtare pas një konsultimi lidhur me municionin niset për në veprim.

Ndërkohë me Elezin  depërtojmë nga ana perëndimore për të marrë ndonjë informacion.

Në orët e pas ditës, Syla dhe Jeta kthehen në bazën tonë në Grykë. Ata tregojnë se njësitin armik e kanë vënë në rrethim.

Syla tregon se ushtarët tanë kanë depërtuar barkas dhe po presin urdhër.

Sipas përshkrimit të gjendjes në terren, e marr me mend se forcat serbe kanë për qëllim që Bajrakun e Kumanovës ta sulmojnë edhe nga ana e Karaçicës, nga pika strategjike, te Godenët. Atje po zhvillohen luftime të ashpra. Pikërisht atje ndodhet edhe Coli, Sejdi Elezi nga Karaçica, ish i burgosur politik, pastaj Shaip Kelmendi dhe ushtarë të tjerë.

Krojmiri në hyrje është i fortifikuar po ç të bësh kur serbët kanë depërtuar në majën e malit, te Rrahi, afër Aravae të Harozëve. Plani për eleminimin e bazës serbe  “Te Rrahi i Latifit” është vënë në veprim. Fillimisht duhet ta tërheqim popullatën.

Në mbrëmje, krismat kanë rënë nga intensiteti. Plani për largimin e popullatës së zhvendosur, ka filluar të realizohet  në orët e natës, në drejtim të Ngucatit

Atje do të shkojë edhe Epiri, Zymryti, Zamiri, Rrezja, ndërsa Arbana mbetet në njësitin ushtarak shëndetësor. Hasani me familjen mbetet në Lezhë. Familja e Isë e Idriz Qeriqit dhe e imja nisen drejt Ngucatit rreth orës 21.oo Me ta janë nisur edhe familja e vëllait tim të ndjerë, Isufit: Shpendi, Gazmendi, Shpresa dhe nëna e tyre Meleqja. Ata shkojnë në Bellanicë. Së bashku me popullatën janë urdhëruar të nisen edhe mjekët, Jakup Ismajli, Reshat Gashi, pastaj në ndihmë të popullatës për nevoja emergjente Shyqri Iballi me djalin e tij dhe disa ushtarë të tjerë Familjet të tjera me traktorë, këmbë, me rroba ngarkuar mbi shpinë, në heshtje e zallahi njerëzore  nisen  në drejtim të Lezhës (kështu i themi Leshkës)  dhe depërtojnë në Javur e prej andej derdhen në Ngucat, në Bellanicë, në Senik e në Lladroviq. Disa familje rrinë të përgatitur derisa të kthehen traktorë të tjerë. Të gjithë janë mobilizuar. Nëpër male nuk ka më shteg të pakalueshëm.

Në drejtim të Ngucatit janë nisur edhe familje të tjera. Karavani sa vjen e rritet. Lugina po boshatiset, ndërsa kemi marrë vendim që për shkaqe sigurie askush të mos mbetet në Grykë përveç disa burrave të moshura, të cilët edhe ashtu veprojnë krye në veti dhe nuk kanë gajle për vetveten, pasi i kanë përcjellë familjet. Edhe ana e fshatrave të Podgurit  është tejet e rrezikuar nëse bie Bajraku i Kumanovës, në hyrje të Luzhnicës, në drejtim të Javurit.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s, kanë sulmuar njësitë e motorizuara serbe në lëvizje (E shtunë 10 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Aeroplanë bombardues të NATO-s, kanë sulmuar njësitë e motorizuara serbe në lëvizje (E shtunë 10 prill, 1999)

Herët në mëngjes jemi larguar nga selia në Berishë. Shtëpia është identifikuar dhe shihet mjaft …