Abdirahim Idrizi: Zbehja e indigjenit shqiptar

Indigjenet janë popullsi autoktone që ka lindur a është krijuar aty ku ndodhet. Indigjeni s’ka zgjidhje tjetër: robërinë, nënshtrim apo sovranitetin. Të tillë jemi ne shqiptarët të shtrirë në gadishullin ballkanik por të ndarë administrativisht në disa shtete. 


Shqiptarët, sot për fat të keq, derdhin djersë dhe lot nëpër dyert e Evropës. Jemi dëshmitarë të faktit se pjesëtarë të këtij komuniteti indigjen po largohen nga vatrat e tyre stërgjyshore dhe në kërkim të një jete më të mirë po e rrezikojnë edhe jetën. Janë vërtetë tronditëse lajmet kur dëgjojmë se gjatë rrugëtimit nëpër “korridoret” e hapura enkas për ta, shqiptarët po e rrezikojnë edhe jetën. Janë së paku dy të vdekur, në mesin e të cilëve edhe një fëmijë dyvjeçar që rrugëtimin për në “parajsën” e ëndërruar e përfunduan tragjikisht. 


Një pjesë e qytetarëve po kërkojnë zgjidhje duke e varur shpresën e vetme në Evropë. Sipas institucioneve, njerëzit që lëshojnë Kosovën po ia prishin imazhin e Kosovës, duke mos e respektuar ligjin. Mbase dikush përfiton nga kjo, por kjo është relative, që lidhet me marrëveshjet sekrete të shtrigës plakë Evropë andaj korridoret për shqiptarët e Kosovës nuk janë rastësisht e hapura. 


Bashkësia Evropiane ka angazhuar në hije për Kosovën ekspertë, grupe të veçanta që kujdesen dhe “punojnë” për fatin tonë. Evropa është e “lënduar” nga bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, sepse pa pëlqimin e saj e bombarduan Serbinë. 


Në hije Evropa hakmerret në dëm të shqiptarëve. Ata kanë angazhuar agjencitë të huaja tregtare dhe mercenare për të kontrolluar politikën dhe politikanët e Kosovës. Këto përfaqësues të Evropës, këto agjenci mercenare vazhdojnë të punojnë, kjo goditë, lëndon në palcë, në zemër popullin e Kosovës.


Për këtë eksod masiv, më të madhin pas eksodit të vitit 1999 kur nga Kosova u dëbuan dhunshëm gati gjysma e popullsisë së saj, po flitet shumë por nuk po bëhet gati asgjë për parandalimin e tij. Kjo nuk më duket aspak normale. Cipa e trurit të shqiptarëve duhet të jetë mbinatyrore dhe vërtetë meriton studim. Sikur shkencëtarët të hulumtonim trurin e shqiptarit, jam i sigurt se do të bënin zbulim të çmueshëm! 


Duket se neve shqiptarëve qe disa vjet, na ka kapluar një lloj krize shpirtërore. Kjo krizë duket se ka prek edhe trurin tonë. Ndoshta, duke mos mundur ta shkatërrojmë indigjenin, dhuna kthehet mbi ne, akumulohet brenda nesh dhe kërkon një rrugëdalje. 


Derisa rreziku që vinte nga jashtë është shmangur falë luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes së forcave ushtarake të NATO-s të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, druaj se tash lufta është bartur, vendosur brenda neve, këtu mes nesh. Kjo për faktin se disa individë gati të tërbuar, që duan ta lajnë turpin, përpiqen të shlyejnë mëkatet e tyre nga e kaluara. Pastaj janë të tjerë, po ashtu fajtorë, që kërkojnë alibi për të arsyetuar gabimet dhe dështimet e tyre. 


Sot mjafton dy shqiptarë të takohen në një parking të automjeteve, për t’u shkaktuar konflikt që mund të përfundojë në konflikt fizik madje deri në vdekje. 


Si të shërohemi nga kjo ndjenjë e dhunës që na ka kapluar? Sot jemi në ankth, të përbuzur, të sëmurë. Fatkeqësisht kjo është një tragjedi që po na përcjellë me shekuj. Përfaqësuesit tonë, inteligjenca jonë, akademikët nuk janë në gjendje, të arsyetojnë përkrahjen e popullit si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës. 


Zbehja e indigjenit shqiptar po ndihmohet edhe nga zhvillimet globale. Fuqitë e mëdha po e pengojnë përparimin e njerëzve autoktonë, duke i përdorur njerëzit për planet, interesat dhe lavdinë e tyre. Federata Ruse u shpartallua. Gjithashtu edhe Kina nuk ka pretendime për tu zgjeruar. Nuk dua të flas për lindjen e mesme, ata kanë mbet në shekullin 19. Aleanca Euroatlantike (Shtetët e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa) morën në duart e veta udhëheqjen e botës me shumë vrull, me cinizëm dhe me një demokraci të dyshimtë. Shikoni se si evropianët arritën të largojnë monedhat e tyre kombëtare: markën gjermane, frangun francez, lirën italiane…, vetëm e vetëm për të krijuar valutën e përbashkët, dhe kështu më lehtë të manipulojnë me masën dhe t’i konkurrojnë dollarit. 


Dollari dhe euro tash udhëheqin tërë botën. Evropa me lëvizjet e veta po mundohet t’i zgjeroj kufijtë dhe hapësirën, por edhe të shfrytëzojë mendjen e njeriut në emër të demokracisë. 


Kjo Evropë me misionin e vet, e ka helenizuar lindjen e mesme por edhe aziatikët duke e krijuar një “racë” të re, zezakët greko-latinë. Ajo ka shpikë njëmijenjë arsye: demokracia lejon të demonstrosh, të protestosh; të ankohesh, të bërtasësh, sepse kjo ua lehtëson politikanëve që të manipulojnë në masë. Evropa po mundohet të marrë udhëheqjen e botës me shumë vrull, po zgjeron kufijtë e hapësirës, por edhe ato të mendimit. Ajo ka hequr dorë prej çfarëdo modestie dhe butësie. 


Bota nuk është homogjene. E kam fjalën për Amerikën dhe për Evropën. Aty ka ende popuj të robëruar në emër të demokracisë. Disa kanë fituar një pavarësi, shumica luftojnë për ekzistencë, të tjerët për një standard më të mirë, të tjerë kanë fituar një pavarësi të rreme. Disa luftojnë për sovranitet, disa kanë fituar lirinë, por shumica jetojnë në varfëri. Këto dallime kanë lindur që nga historia e vjetër koloniale, 2000 vjet para erës sonë, që nga Shumerët, që nga sunduesi “Humarabi”.


Aspiratat dhe thirrjet e shpeshtuara për bashkim kombëtar më duket se ua kanë futur tmerrin dhe përçarjen liderëve politikë e shtetëror. Kjo për faktin se bashkimi kombëtar kërkon sakrifikim të posteve, të interesave dhe kërkon llogaridhënie.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e lëshojnë sallën e Kuvendit, nuk marrin pjesë në votime

Në Kuvendin e Kosovës. në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të themelohet komisioni hetimor për kontratat njëburimore, pasi deputetët …