Adil Fetahu

ADIL FETAHU: ELITA INTELEKTUALE E ULEMAVE TË ÇAMËRISË (EPIRIT) III

Nga biografitë në vazhdim mund të njiheni edhe me disa nga personalitetet e elitës së ulemave të Çamërisë dhe Epirit, të periudhës së gjysmës së dytë të shekullit të 19 deri dy dekadat e para të shekullit 20.

Mehmet ef.Fejzulahu (Janina)

(Mehmet “Tevfik” ef.Fejzullahu)

U lind më 17 maj 1870, në fshatin Koskë të Filatit. Ishte i biri i Sefinaze hanëmit dhe i Fajzullah efendiut, ish imam në xhaminë e fshatit Koskë. Familja e tyre ishte e fisit Muhatë.

Mësimet e para Mehmeti i mori në shkollën fillore sibjane të fshatit. Pas kryerjes së shkollës fillore, nëntë vjet tjera (1882-1891), i ndoqi mësimet në Medresen e Filatit, në grupin e studentëve te myderrizi Mehmet Tevfik effendi Isa Aga-Çaushi. Aty mësoi: morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës arabe, logjikën, jurisprudencën islame dhe hadithet.

Për t’i plotësuar studimet, në janar 1892 shkoi në Stamboll dhe u regjistrua në Medresen ‘Çifte Bash Kurshunlu’, krahu i Detit Marmara. Aty hyri në grupin e studentëve të myderrizit Haxhi Ali efend Alasonjaliut, tek i cili mori diplomen më 29 dhjetor 1900.

Menjëherë pas diplomimit në Stamboll, u kthye në vendlindje dhe afro dhjetë vjet sherbeu në detyrën e imamit të fshatit të tij (Koskë). Në qershor të vittit 1911, Mehmet efendiu u zgjodh dhe emërua myfti i Koskës.

Krahas gjuhës turke dhe arabe, të cilat i fliste dhe i shkruante, e fliste edhe shqipen dhe greqishten.

Safet ef.Shejh Mehmet Ali efendiu (Janina)

(Mehmet ‘Safvet’ efendi Shejh Mehmed Ali efendiu)

U lind më 2 shkurt 1880, në qytetin e Janinës. Ishte i biri i Tevfike hanëmit dhe i Mehmedali efendiut. I ati, Mehmedali efendiu, ishte myderriz, shejh në xhaminë ‘Arsllan Pasha’ të Janinës; ishte një nga shejhët e mëdhenj të tarikatit nakshibendi.

Shkollën fillore ibridaije Safeti e kreu në mektebin ‘Fejzije’ të qytetit të Janinës. Pas fillores, kreu gjimnazin idadie të Janinës, te babai i tij, shejh Memedali efendiu, që ishte myderriz i asaj atij gjimnazi. Aty mësoi morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës arabe, logjikën, jurisprudencën islame dhe stilistikën.

Për t’i plotësuar studimet shkoi në Stamboll, në medreset e kompleksit “Fatih“,  ku jepnin mësim myderrizët më të shquar të kohës. Aty e mori ixhaznamen e përgjithshme nga myderrizi Ali efendiu.

Pas Stambollit, studimet i vazhdoi në Universitetin e famshëm “Al-Az-har” të Kajros. Në atë Universitet Safet efendiu mori katër ixhazname: një të përgjithshme, dhe tri të veçanta, të specializimit në fushën e tefsirit, në fushën haditheve, dhe në fushën e jurisprudencës, te profesorët e njohur të atij Universiteti prestiçioz.

Pas mbarimit të studimeve,  në janar të vitit 1906, u caktua myderriz në Medresen “Gazi Isa Begu” në Mitrovicë, vilajeti i Kosovës, ku punoi katër vjet. Gjatë asaj kohe, zhvilloi  edhe aktivitete politike  të përhapjes së ideve  të Partisë “Bashkim e Përparim”,  që ishte lëvizje xhonturke. Atë aktivitet e zhvillonte në pjesën veriore të “Arnautllukut”, si në Mitrovicë, Gjakovë, Prizren, Jeni Pazar, Sjenicë, Akovë (Bjelo Pole) etj. Këso aktivitetesh Isa efendiu ka zhvillua edhe në kazanë e Himarës.

Pasi i ati, myderrizi shejh Mehmedali efendiu kishte ndërrua jetë, Safet efendiu u detyrua të kthehet në vendlinjen e tij, në Janinë, ku vazhdoi punën si myderriz i medreses “Arsllan Pasha” të Janinës. Një kohë, paralelisht me detyrën që kryente në Medrese, jepte mësim edhe në Gjimnazin idadie të Janinës, ku mbante lëndët: njohuri fetare, gjuhë arabe dhe gjuhë perse.

Në vitin 1913 ishte me shërbim në kazanë e Nigdes, rrethi i Izmirit.

Safet efendiu dinte gjashtë gjuhë: shqipen, boshnjakishten dhe gjuhën bullgare vetëm i fliste, ndërsa gjuhën arabe, turke dhe perse i fliste dhe i shkruante.

Për sukseset e arritura në drejtim dhe shërbimet e kryera, dhe kontributin edhe në kuadër të Partisë “Bashkim e Pëparim”, ka marrë mirënjohje e falënderime.

Shuajb ef.Abdullah Hoxhazade (Janina

(Shuajb “Rahmi” ef.Abdullah Hoxhazade)

U lind në vitin 1855, në fshatin Borsh, sanxhaku i Himarës. Ishte i biri i Hava hënëmit dhe imamit Abdullah efendiut.

Shkollën fillore sibjane e kreu në vendlindje, në Borsh. Pas mbarimit të fillores, u regjistrua në medresen “Vejsi Aga” të Filatit, te myderrizi Mehmet Tefik efendi Çami, ku studjoi pesë vjet, e pastaj vazhdoi në medresen “Velijudin Pasha” në Janinë, ku studjoi edhe shtatë vjetë tjera te myderrizë të shquar të Janinës. Mësoi gjuhën arabe, retorikën, logjiken, traditën islame (hadithet),  etimologjinë e fjalës, semantikën, tefsirin. Ixhaznamenë (diplomën) e mori në gusht 1892. Pas diplomimit, u emërua mësues i shkollës së mesme, rushdije, të Delvinës, ku qëndroi deri më 7 shkurt 1896. Pastaj u emërua mësues i shkollës fillore të fshatit Lëkurës të Margëlliçit. Për shkaqe shëndetësore, dha dorëheqje dhe një kohë qëndroi i paangazhuar.Por, me lutjen e autoriteteve të kazasë së Delvinës, dhe me vendim të Drejtorisë së Arsimit të vilajetit të Janinës, përsëri nisi punën në atë shkollë, ku punoi më se dhjetë vjet (27 gusht 1899 deri më 3 nëntor 1909). Pastaj kaloi në detyrën e drejtorit të Drejtorisë për Jetimët e kazasë së Delvinës, dhe njëkohësisht mbante mësime në shkollën e mesme rushdije të Delvinës.

Me kërkesën e popullates së Tepelenës dhe me vendimin e organeve të vilajetit të Janinës, në korrik 1910 u emërua dhe filloi punën si myfti i Tepelenës. Krahas kësaj, me vendim (“mazbatë”) të organeve të vilajetit dhe me “beratë të sulltanit”, u emërua myderriz në medresen “Ali Pashë Tepelena”, të cilën e kishte themeluar vetë Ali Pashë Tepelena i mirënjohur, ku për një kohë dha mësim në shkollën e mesme rushdije të Tepelenës.

Përveç gjuhës amtare (shqipe) të cilën e fliste mirë, Shuajb efendiu e fliste edhe persishten dhe greqishten, ndërsa gjuhët turke dhe arabe edhe i shkruante.

Hafiz Mustafa ef.Jusuf efendiu (Ajdonati)

U lind më 1856, në Ajdonat, vilajeti i Janinës. Ishte i biri i Asime hënëmit dhe i Jusuf efendiut.  Edhe vëllai më i madh i hafiz Mustafë ef, haxhi Ahmet efendiu ishte hoxhë.

Mustafa mësimet e para i mori në vendlindje, në Ajdonat. Studimet i vazhdoi te myderrizi dhe dijetari i njohur në vilajetin e Janinës  në përgjithësi dhe në viset çame në veçanti, Mehmet Qamil efendiu, tek i cili mori ixhaznamen. Me akt të lartë përkatës (“meshura e lartë”), u emërua myfti i kazasë së Ajdonatit, me qendër në Ajdonat, që e pasoi myftiun Mehmet Emin efendiun, i cili kishte ndërruar jetë. Detyrën e myftiut të Ajdonatit e ushtroi deri në pensionim, më 1909.

Pasi ishte shpërngulur me familje nga Ajdonati dhe vendosur në qyetin e Janinës, ka shërbyer edhe si myderriz në medresen “Asllan Pasha” të Janinës.

Haxhi Qamil ef. Ahmet Aga (Drama, Selanik)

U lind në vitin 1848 në kazanë e Dramës, vilajeti i Selanikut. Ishte i biri i Ahmet agës.

Mësimet e para i mori në kazanë e Dramës, ndërsa i vazhdoi në Stamboll, në medresenë “Zekerija efendiu”, ku i përfundoi studimet dhe mori ixhaznamen e përgjithshme dhe një ixhazname të veçantë, në vitin 1883, nga myderrizi Ahmet Shaqir ef.Stambolli, ndërsa ixhaznamen e tretë, për specializim të veçantë nga fusha e të drejtës trashëgimore islame, e mori te myderrizi Mehmet Rashit ef.Ibahim Hazergradi.

Katër vjet i ndoqi studimet në Shkollën e Lartë për Gjykatës të Sheriatit, të cilën e përfundoi në vitin 1889.

Gjatë luftës serboruso-turke (1876-1877), ishte emërua këshilltarë shkennor për të motivuar ushtarët osmanë, dhe për sekrificën, durimin, urtësinë dhe sinqeritetin e treguar në luftë, është nderuar me dekoratë të cakuar.

Haxhi Qamil efendiu ka shërbyer në disa kaza e vende si zëvendësgjykatës i sheriatit:

– në kazanë e Tiranës, 1892-1895,

– në kazanë e Tetovës, 1895- 1898,

– në kazanë e Keraferjes, 1898 – 1905,

– në kazanë e Sulltan-jerit, 1905 deri më 7 shtator 1907.

Ka ndërrua jetë më 8 tetor 1907.

* * *

(Të dhënat biografike për personalitetet e përmendura, të shkurtuara dhe përshtatura për këtë shkrim,  janë marrë nga libri: “DIJETARËT SHQIPTARË NË PERANDORINë OSMANE (1880-1912)”, nga autorët: Sadik Mehmeti-Hatixhe Ahmedi-Ramadan Shkodra, Prishtinë, 2021). Gjithashtu edhe emërtimet e lëndëve mësimore, janë marrë nga i njëjti burim.

Kontrolloni gjithashtu

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË - I

Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba: DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRAT E VITIT 1981 NË KOSOVË – I

Dokumentet britanike për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, sjellin para lexuesit informacione të rëndësishme, …