Adil Fetahu

Adil Fetahu: Historia e qytetit dhe e ngjarjeve të Mitrovicës

Dardania (Kosova) ka dy porta kryesore që e lidhin me botën: Kaçanikun në Jug, dhe Mitrovicën në veri. Dhe nuk është çudi që, për t’i lidhur këto dy porta (hyrje-dalje) të Kosovës, Perandoria Osmane në vitin 1873-1878 e kishte ndërtuar hekurudhën Mitrovicë – Hani Elezit.

Mitrovica është një nga vendbanimet e hershme të Dardanisë shqiptare; gjatë historisë e pushtuar nga pushtues të ndryshëm: romakë, bizantinë (bullgarë e serbë), otoman, gjermanë. Megjithatë, gjatë tërë kohës e ka ruajtur karakterin etnik dominues nga popullsia shqiptare, sado që një kohë, gjatë pushtimit serb (në kohën e Nemanjiqëve) shumë shqiptarë u detyruan të kovertohen nga besimi katolik në atë ortodoks dhe të asimilohen në serbë.

Përveç rëndësisë strategjike, si portë hyrëse nga veriu për në rrafshin e Kosovës, Mitrovica shtrihet në një ambient të pasur me minerale të begatshme me metale të plumbit, zinkut, argjendit,arit dhe të tjera, të njohura prej kohës së neolitit. Në shekullin VI, Perandori Justiniani I e kishte ndërtuar kalanë e Zveçanit, ndërsa në afërsi të Minierës Staritërg gjendën mbeturinat e kalasë së quajtur – Qyteti, që besohet se është ndërtuar në shekullin XIII. Në nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve në rrethinën e Mitrovicës kanë punuar edhe Sasët e njohur për këto punë.

Mitrovica dhe gjithë Kosova e Maqedonia u pushtuan nga Serbia në vitin 1912, në Luftën Ballkanike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1945), Kosova që ishte e ndarë në tri zona pushtuese midis Italisë, Gjermanisë dhe Bullgarisë, Mitrovica me rrethinë ishte mbajtur zonë nën pushtimin gjerman, mu për shkak të pozitës strategjike  dhe pasurive minerale që dispononte.

Deri në vitin 1988,  komuna Mitrovicës kishte 336 km/katrore, më se 120.000 banorë, më se 77%  Shqiptarë, 10% Serbë, dhe të tjerët Boshnjakë, Romë, Turqë; me 46 fshatra, duke përfshirë  edhe Zveçanin, Zubinpotokun e Leposaviqin, të cilat më vonë u themeluan si komuna politike më vete, me përbërje të pastër etnike serbe.

Pas Luftës 1999, rajoni i Mitrovicës disi ishte lënë pasdore nga kujdesi i strukturave udhëheqëse shqiptare, ashtu që për shkak të afërsisë me Serbinë, atje ishin grumbulluar kriminelë serbë të ardhur nga Serbia, Bosnja e Kroacia. Më 4 shkurt 2000, në qytetin e Mitrovicës ndodhi “Nata e Bartolomeut”, kur bandat kriminale serbe sulmuan shqiptarët e pjesës veriore të qytetit, vranë 10 e plagosën 25 tjerë; burra, gra e fëmijë; i përzunë prej shtëpive e banesave 1564 familje, me 11364 anëtarë, duke bërë kështu spastrimin etnik të pjesës veriore të qytetit. Nën pretekstin e ruajtjes së qetësisë, forcat e KFOR-it (francez), u vendosën mu te Ura e Ibrit, duke ndarë komunikimin e qytetarëve dhe praktikisht e ndau qytetin, që edhe sot e kësaj dite qëndron ashtu i ndarë.

Në tollovitë që ndodhën më 17 mars 2004, kur u vranë 11 shqiptarë e 8 serbë, u dogjën a rrënuan ca shtëpi e kisha serbe, disa serbë nga pjesët qendrore të Kosovës ikën dhe shkuan u vendosën në pjesën veriore të Mitrovicës, në shtëpitë dhe banesat e shqiptarëve të përzënë prej andej. Kështu, në atë pjesë u koncentruan rreth 25000 serbë, më ekstremistë e kriminelë, në mesin e të ciëve ishin e janë edhe shumë ish-policë dhe ushtarë të forcave serbe. Atje, lulëzoi kontrabanda dhe krimi i organizuar, i ndihmuar nga strukturat e pushtetit të Serbisë. Vet kryetari aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim me punëtorët serbë të Trepçës iu dha mesazh kurajimi: “Sa të jetë Serbia, “Trepçën” askush nuk do t’ua grabis”!

Mitrovica dhe bisedimet Kosovë – Serbi

Bisedimet midis Kosovës e Serbisë, që filluan gjoja si  për zgjidhjen e problemeve “teknike”, me lëshimet dhe mungesën e dijes dhe përvojës së palës shqiptare, dalëngadalë “degjeneruan” dhe u shndërruan në negociata politike e statusore, me pretendime për ndarjen e Kosovës, sipas ambicjeve të Serbisë për të marrë pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës me rrethinë, dhe natyrisht komunat tjera serbe: Zveçan, Leposaviq e Zubinpotok, për t’ia bashkangjitur Serbisë, dhe me garancione shtesë për serbët që mbetën në Kosovë dhe eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse.

Në bisedimet e zhvilluara deri më tash, që janë nënshkruar afro 30 marrëveshje në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, Serbia asnjë obligim prej atyre marrëveshjeve nuk e ka përmbushë, ndërsa tërë kohën kakarisë, përse akoma nuk është realizuar Marrëveshja për formimin e Bashkësisë (së 10) komunave serbe, me të cilën synon të krijojë një pykë në Kosovë, sikur ajo e ashtuquajtura Republika Serpska, në Bosnje, me qëllim të destabilizimit dhe pengimit të funksionimit të shtetit të Kosovës.  Angazhimet tjera të politikës së shtetit dhe dipomacisë së Serbisë, për ta izoluar e penguar Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare, janë kapitull i veçantë i mospërmbushjes së obligimeve ndaj marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Pretendimet e Serbisë, në bisedimet me Kosovën nuk kanë të sosur,dhe janë një absurd sui generis. Serbia tërë kohën vërteton se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, që nënkupton se Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë, të cilën një ditë, në rrethana të favorshme ndërkombëtare, do ta kthejë nën sovranitetin e vet. Nga ana tjetër, në bisedime kërkon pjesën veriore të Kosovës, bashkë me gjysmën e Mitrovicës. Atë pjesë e kërkon për shkaqe strategjike dhe ekonomike. Strategjike është për shkak të pozitës dhe lidhjeve të komunikacionit rrugor dhe hekurudhor me Serbinë. Lakmia ekonomike përqëndrohet në minierat dhe kapacitetet e “Trepçës” dhe të Liqenit të Ujmanit (“Gazivoda”), liqen ky që shtrihet nja 10-15% në territor të Serbisë, por pjesa tjetër është në territor (aktualisht) të Kosovës, dhe që është i ndërtuar nga Kosova, me investime e hua prej Bankës Botërore, për nevoja të Elektroekonomisë dhe të Bujqësisë së Kosovës (72000 ha tokë pjellore të Kosovës ujiten nga uji i atij liqeni).

Pala kosovare në bisedime, si gjithmonë shqiptarët që nuk kanë qenë unikë kur kanë pasur bisedime me ndërkombëtarët, dalin me qëndrime të ndryshme, me përfaqësime të ndryshme. Kryetari Hashim Thaçi flet për “korrigjim të kufijve”, “ndërrim të territoreve” e përralla tjera. Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës janë kundër ndryshimit të kufijve, sikur që për këtë deri më tash më kategorik ka qenë edhe Gjermania. Arsyetimet e Thaçit, që ta merr Luginën e Preshevës për Veriun e Kosovës, janë krejtësisht të pabaza, sepse Serbia nuk e jepë atë “korridor” përmes të cilit ka daljen në Selanik dhe Egje. Mund të jep disa fshatra pranë kufirit me Kosovën, por jo edhe ato që shtrihen pranë ose mbatanë rrugës dhe hekurudhës që shkon për Selanik.

Kosova është e njohur në kufijtë që kishte sa ishte në kuadër të Jugosllavisë, dhe nuk duhet biseduar për ndryshim kufijsh.  Fundja, kufijtë e Kosovës janë çështje gjithkombëtare shqiptare dhe nuk janë vetëm çështje e Kosovës e aq më pak çështje e Hashim Thaçit. Sepse për kufijtë etnikë shqiptarë kanë luftuar të gjithë shqiptarët prej kohësh, e posaçërisht pas Lidhjes së Prizrenit.

Sido që të zhvillohen bisedimet, Mitrovica si qytet, me rrethinën e saj me fshatrat etnike shqiptare, me pasuritë e saj minerale të  “Trepçës”, Staritërgun, Ujmanin (Gazivoda),  apo çfarëdo pjese tjetër e Kosovës, nuk duhet të jenë fare temë bisedimesh as marrëveshje me Serbinë. “Kurrigjim kufiri” mund të bëhet vetëm për disa fshatra serbe të komunës aktuale të Leposaviqit, të cilat në vitin 1959, me njëfar riorganizimi territorial të Serbisë, i janë dhënë Kosovës, për qëllime politike, në mënyrë që brenda Kosovës të ketë paksa më shumë serbë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …